Si e pashë unë Edi Ramën
Endrit Avdullari / Londër
Ekonomia, ekonomia, ekonomia kështu iu përgjigj Edi Rama pyetjes nga salla se cilat do ishin tre përparësitë e tij nëse do fitonte zgjedhjet e ardhshme gjatë leksionit të mbajtur në një sallë të tejmbushur në London School of Economics këtë të hënë. Është inkurajues fakti se çështja e ekonomisë po merr çdo ditë e më shumë vend qendror në tryezat politike, përjashto këtu tryezën e këshillit të ministrave ku ministrat i rrahin shpatullat njëri-tjetrit me vetëkënaqësi dhe mohim të plotë me faktet dhe shifrat. Një borxh i madh dhe i shtrenjtë po na rri të gjithëve mbi kokë si shpatë dhe erdhi koha që dikush të marrë përsipër këtë përgjegjësi. Ishte gjithashtu inkurajues fakti që Z. Rama më në fund po fillon të ketë pamjen e një kryeministri duke mos humbur kohë me temat që kryeministri hap sa për të hequr vëmendjen nga problemet e vërteta (kinezçja, arrorët etj.) dhe duke arritur të kthejë përgjigje për të gjitha temat. Ishte mbase hera e parë që shikoja një politikan të jepte llogari para publikut ndryshe nga mbledhjet e zakonshme në Tiranë ku kryetari flet dhe të tjerët dëgjojnë.
Siç u shpreh Andy Slaughter, deputet nga Londra gjatë një mbledhje më herët atë ditë me delegacionin e Partisë Socialiste në një nga sallat e parlamentit demokracia e vërtetë dallohet kur politikanët japin llogari në vend që të kërkojnë llogari siç ndodh me sundimtarët autokratikë. Me një anglishte të thjeshtë dhe me theks të fortë por të saktë dhe pa shprehje pa kuptim të tipit miracle of freedom u fol për një shërbim kombëtar shëndetësor falas për të gjithë, një politikë të jashtme aktive në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve kudo që ndodhen dhe pro -gati pa kushte – integrimit në BE. E folura të kujtonte pak Margaret Thatcher e cila dukej gjithmonë super e informuar mbi gjithçka që ndodhte me detaj në qeverinë britanike, megjithëse këtë herë ishte e ngadaltë dhe gati pa ton emocional. Sigurisht, programi i PS është ende i papërfunduar dhe ka plot vende për përmirësim siç doli në pah edhe gjatë diskutimit, por të paktën ka një program.
Në Shqipërinë e koalicionit absurd mes të majtës dhe të djathtës, ku partinë nuk negociojnë politikat por postet ministrore, ku figura të respektuara si ish-kryeministri Majko lëshojnë deklarata boshe për mundësi koalicioni me një parti fantazmë pa program e cila ka aktualisht vetëm një anëtar imagjinar presidentin Topi, diskutimi i një programi është një dritë në fund të tunelit. Ka ende shumë tema për të cilat duhet folur, zgjedhja e deputetëve nga anëtarsia dhe jo nga kryesia, të drejtat e minoriteteve, pushteti i tepërt i ambasadorëve, financimi transparent i partive, presioni ndaj medias, themelimi i bursës dhe tregjeve financiare etj. etj. etj. Por ky takim dha një shkëndijë shprese se politikanët në Shqipëri do munden një ditë të kenë një diskutim të hapur me publikun dhe jo me gazetarët e njëanshëm politikë, do debatojnë pa ofendime për platformat dhe jo për të shkuarën, dhe kush e di mbase një ditë sdo jetë më nevoja që të vijnë deri në Londër për ta bërë këtë…