Pse Rama i përbuz shqiptarët?
E quaj dikë a diçka krejt të padenjë për ta nderuar, për ta çmuar ose për ta përfillur; nuk e përfill fare e shpreh neveri për dikë a për diçka; nuk e pranoj, e braktis me një ndjenjë përçmimi të thellë; e përçmoj haptas: ky është pak a shumë përkufizimi i përbuzjes sipas fjalorit të gjuhës shqipe. Përbuzja është parë shpesh në cilësimet publike që i bën kreu i PS-së, Edi Rama, shqiptarëve dhe Shqipërisë. Përçmimi i fundit publik i Ramës për shqiptarët e Shqipërinë ka ndodhur para dy ditësh, në Londër, përballë studentëve anglezë e shqiptarë të London School of Economics. Duke diskutuar me audiencën e përzgjedhur për zgjedhjet në Shqipëri, Rama i cilësoi shqiptarët si të paaftë për të bërë zgjedhje, si njerëz që s’e duan ligjin dhe si partnerë me rebelët e Kosovës. Gjatë bashkëbisedimit, Edi Rama shpesh herë iu drejtua audiencës me fjalët, “ju jeni këtu, në Angli, por Shqipëria nuk është Angli”. Këtij përçmimi për vendin e vet një i ri iu përgjigj me një pyetje, “Kur ju Edi Rama nuk i besoni shqiptarët dhe i përçmoni kështu, për se pretendoni që shqiptarët tu besojnë juve?”.
Megjithatë nuk është hera e parë që lideri i socialistëve shpreh një përbuzje ndaj qytetarëve. Ai ka një background të gjerë dhe të gjatë përçmimesh ndaj sojit të tij. Jo si politikan, por si piktor Rama paraqiti në Francë, në vitin 1995, kryeveprën e tij artistike si e përfytyronte Shqipërinë; ai paraqiti një bunker me lecka-lecka dhe e titulloi “Kjo është Shqipëria”. Edi Rama sapo emërohet Ministër i Kulturës në vitin 1998 menjëherë u dallua për një komunikim të pazakontë me publikun. Ministri i Kulturës së asaj kohe e nisi komunikimin me përbuzje dhe ironizime jo vetëm për kundërshtarët politikë por edhe personalitete të njohura. Nga të parat shprehi zhvlerësuese të Edi Ramës të sapo emëruar Ministër Kulture në gusht të vitit 1999: “Është vështirë të jesh ministër Kulture në një vend me kulturë të tillë”. Pastaj përgjatë tentativës për të prishur Teatrin Kombëtar kur artistët i hidhen kundër dhe i thonë që TK jo vetëm nuk duhet të prishet por duhet të mundësisht të kthehet në një muze të artit skenik, Rama u thotë: “Po çdo varni aty? Brekët e Violeta M.? Brekët e kuqe të Violeta M. nuk janë brekët e Greta Garbos!”. Por nuk mbaron me kaq.
Sepse kur Edi Rama kthye në Paris për të marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Les promesses du passé”, dhe për të promovuar filmin “Dammi i colori” me regjisor Anri Salën dhe protagonist Ramën që lyente fasadat e pallateve të Tiranës ndër fjalët e para të vetëpromovimit tha: “Ditën e parë që hyra në Bashkinë e Tiranës, në korridor nuk kaloje dot dhe nuk shihej asgjë nga tymi se të gjithë punonjësit kalonin ditën aty duke pirë cigare”. Madje shton se “edhe në opera po të shkosh njerëzit pinë duhan dhe flasin në celular. Mund të të qëllojë që të luhet Mozarti, por t’i të dëgjosh edhe një tjetër kompozitor që dikush e ka si zile telefoni”. Kësisoj Edi Rama po u thoshte francezëve në maj të 2010 se shqiptarët janë njerëz të pakulturuar, me demek injorantë, prandaj civilizuesi do të ishte ai në version e konkuistadorit të qytetërimit europian që ndërgjegjëson indigjenët shqiptarë.
Sakaq një nga gjërat më të çuditshme që ka dëgjuar ky vend, unike në botë, nga Edi Rama është se qytetarët ishin fajtorë për trafikun në Tiranë, sepse kanë mungesë qytetarie. “Është një problem që ka të bëjë me një ndërgjegje të caktuar shoqërore dhe me një nivel të caktuar qytetarie. Nuk është as numri i rrugëve, as numri i mjeteve. Tirana nuk do të kishte probleme me trafikun, nëse qytetarët tanë do të silleshin sikur janë në Europë”, - është shprehur ish-Kryebashkiaku Rama, me datë 13/10/2010, në një takim në Universitetin Politeknik.
Sidoqoftë janë të shumta rastet e papërmendura këtu që dëftejnë një sjellje përbuzëse të Edi Ramës për intelektin, shijet dhe sjelljen e qytetarëve shqiptarë. E kam thënë edhe një herë tjetër që Rama qysh në fillimet e karrierës së tij politike a pasur mendimin se shqiptarët janë thellësisht gabim, të paktën mazhoranca e tyre, dhe detyra e atij që qeveris është të ndërhyjë në trupin e gjallë të kombit për të ndrequr deviacionet dhe të rregullojë moralitetin dhe funksionimin. Prandaj kursi i ri për “rilindjen” e shqiptarit të ri ka në thelb shtysën raciste për t’u “ndrequr” kurrizin dhe moralin qytetarëve. Me një fjalë, Rama ka hyrë në listën e atyre njerëzve që kanë shprehur dëshirën për të shndërruar nga e para zakonet, mënyrat e jetesës dhe deri bindje kolektive të qytetarëve. Rama ka një pikëpamje për të “rilindur” Shqipërinë dhe shqiptarët është e gabuar sepse është një pikëpamje pesimiste e jetës dhe ngjan se tepërmi më platformat totalitariste të “ndreqjes” së të tjerëve dhe kurrë të vetes.