E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Mesazhet” ogurzeza dhe mobilizimi centro-etnik

28-03-2012 / Nga Ismail Arsllani

Marrëdhëniet ndëretnike në Maqedoni, kohëve të fundit, janë bërë top-temë  në media jo vetëm brenda kufijve të këtij vendi, por edhe jashtë, ku analistë të shumtë me renome ndërkombëtare japin vlerësime për situatën e krijuar në këtë “tampon-zonë” të Ballkanit, pas një serie ngjarjesh “të inskenuara” apo të frymëzuara nga pushteti, që ndodhën në pikat më të ndjeshme të banuara me shqiptarë, por edhe në mjediset e pastra etnike maqedonase, ku u fyen rëndë ndjenjat dhe qenia kombëtare e shqiptarëve, ku pati edhe brohoritje jo korrekte në ndeshje sportive, me ngjizje nacionalizmi dhe shovinizmi, me djegie flamujsh, sulme autobusësh, me rrahje, vrasje, arrestime...Kësisoj, problemi numër një i këtij vendi, zgjidhja e kontestit të emrit me Greqinë, që i siguron Maqedonisë hyrje në NATO me automatizëm, u hodh në plan të dytë, vetëm dy muaj para mbajtjes së Samitit të NATO-s në Çikago, ku optimistët më të mëdhenj ende presin ftesë për aderim të RM-së. Ndërkaq, pa zgjidhjen e kontestit të emrit, por edhe me përshkallëzimin e situatave të tendosura dhe me ndërlikimin e raporteve ndëretnike, me një katandisje të këtillë pra, është pak e besueshme se ky vend do të ftohet në Aleancën më të fuqishme politike-ushtarake, siç është NATO.
Kjo nomenklaturë qeveritare, ku është përfshirë edhe subjekti politik shqiptar, që po bën përpjekje Sizifiane për ta “shpëtuar” këtë shtet nga vetë maqedonasit, jo vetëm që nuk ka gatishmëri për zgjidhjen e problemeve jetike, si një vend kandidat dhe deri para pak vitesh lider në këtë pjesë të Ballkanit sa i përket strategjisë euro-integruese, mjerisht sot po e bën të kundërtën, duke komplikuar edhe më shumë perspektivën e integrimeve euro-atlantike. Këto veprime të kreut maqedonas ngjasojnë në ato “receta” politike-diplomatike të presidentit të dikurshëm amerikan, Dvajt Ajzenhauer, i cili me një rast kishte thënë se: “Nëse nuk mund ta zgjidhësh problemin, atëherë ndërlikoje edhe më shumë”. Kjo në diplomacinë ndërkombëtare mbase është e kuptueshme, kur synohet një zgjidhje strategjike më afatgjate, por këtu në Maqedoni, ku “nuk ka kohë për pritje”, ka të bëjë me një veprim sa absurd, po aq edhe provokues, që mbyll shtigjet e zgjidhjes së problemeve, duke ushtruar një strategji diletante të lajthitjes së opinionit publik, që për qëllim të fundit ka mbrojtjen e interesave të ngushta grupore e partiake.
Një qasje e këtillë e pushtetarëve të këtij vendi, sidomos kur është fjala për marrëdhëniet ndërnacionale, është një miopi politike e strategjike dhe është një kryeneçësi e pakuptimtë nacionaliste, që ndez zjarr dhe rrezikon edhe qenien e vet, në njërën anë, kurse në anën tjetër “trimëron” forcat radikale shqiptare për të vepruar në terren. Këtë “film” e kemi parë në vitin 2001 dhe konsekuencat dihen. Marrëveshja e Ohrit ishte shtylla që e mbajti në këmbë këtë shtet, por edhe pas 10 vjetësh të implementimit të saj, shtohen incidentet e dhunshme dhe rritet pakënaqësia e shqiptarëve. Këtu, në fakt, kemi një mobilizim politik-etnik të një bashkësie, që është kundër-produktiv dhe mund ta çojë vendin në një krizë qeveritare dhe ekzistenciale, e cila në vazhdimësi po qëndron mbi këtë konstrukt si “shpata e Demokleut” dhe është mjaft latente për t’u aktivizuar, pavarësisht deklaratave të liderit të BDI-së, se kjo parti nuk do të dalë nga qeveria edhe nëse vendi nuk zgjidh problemin me emrin dhe nuk hyn në NATO gjatë Samitit të Çikagos.
Aplikimi tashmë një kohë të gjatë i kësaj politike centro-etnike po shndërrohet gjithnjë më shumë në një gjenerator të nxitjes së urrejtjes dhe ndarjes mes dy bashkësive më të mëdha në këtë vend (maqedonase dhe shqiptare), gjë që nuk po vërehet aq hapur në prononcimet e protagonistëve të kësaj politike, por po identifikohet hapur tek të gjitha shtresat qytetare, si një “model” që duhet ndjekur. Kësaj politike të “lojës me zjarr” i fryjnë edhe mediet që mbetën me lojalitet ndaj pushtetit (disa u mbyllën), të cilat në vend që të sanksionohen për promovimin e fjalës së urrejtjes, ato edhe më shumë po motivohen nga privilegjet që i gëzojnë. Këto janë porosi ogurzeza për shqiptarët në Maqedoni, të cilët gjithnjë më shumë po humbin besimin tek politikanët dhe institucionet e shtetit dhe po harxhojnë edhe atë sasi të vogël të lojalitetit që kanë pasur.
Ndonëse nga tabori i BDI-së thonë se “janë parti serioze dhe projeksionet e tyre politike nuk i ndërtojnë me eufori”, për analistët e vëmendshëm është i qartë pozicioni i kësaj partie dhe ky pozicion nuk është i ngurtë si po tregohet, por ndryshon varësisht nga paleta e ngjarjeve politike. Është e qartë se për të ardhmen evropiane të Maqedonisë nuk mjafton vetëm ndarja e pushtetit dhe e funksioneve mes partnerëve të koalicionit. Tronditjet e fundit mund të shndërrohen në një artikulim të vrazhdë të pakënaqësisë së shqiptarëve, që do të rezultonte me kërkesa të reja konkrete të tyre, madje edhe me dimensionin e destabilizimit të qeverisë. Këto kërkesa nuk do të kenë peshën e njëjtë para dhe pas mbajtjes së Samitit të NATO-s në maj të këtij viti në Çikago.
Në anën tjetër, raporti i forcave në parlament nuk është në favor të VMRO-DPMNE-së, sikundër që ishte para vitit 2011, por ajo ka gjetur instrumentin joshës për ta mbajtur partnerin shqiptar në qeveri. Me daljen e BDI-së nga qeveria, do të shkaktohej krizë qeveritare, por kjo parti shqiptare aktualisht nuk dëshiron që ta shfrytëzojë këtë favor. Opozita maqedonase vazhdimisht i tërheq vërejtjen BDI-së, se me mbetjen e saj në qeveri merr një bagazh të rëndë të përgjegjësisë, për ngecjen e proceseve euro-integruese të vendit. Edhe lideri i opozitës më të madhe shqiptare (PDSH), nuk beson se oponenti i saj (BDI), do të ndërmarrë ndonjë hap më radikal pas samitit në Çikago.
Duke mbetur në këtë qeveri dhe në pushtet, BDI dëshiron që zgjedhjet e ardhshme lokale në fillim të marsit të vitit 2013 t’i presë nga pozicioni i pushtetit, sepse pozita e saj në zgjedhjet e vitit 2009 u dobësua dukshëm, me humbjen e Tetovës dhe Gostivarit, si bastione të rëndësishme të shqiptarizmit në Maqedoni. Nuk do mend se kreu shtetëror është bërë peng i politikave që i ka zhvilluar dhe i ka bart tek populli. Tash kthim prapa s’ka. Me këtë as zgjidhje të problemeve s’do të ketë. Kjo qeveri nuk mund ta presë degën në të cilën është ulur. Atë e mban në pushtet nacionalizmi dhe orientimi anti-shqiptar. Atë e mban kontesti me Greqinë për emrin. Po qe se zgjidh problemin me emrin dhe ka relaksim marrëdhëniesh ndëretnike, atëherë partia maqedonase në pushtet do ta humb pushtetin dhe do të tretet nga skena politike. Kjo strukturë s’do ta bënte kurrë këtë luks politik. Andaj, është iluzion që të mendohet se problemi në fjalë do të zgjidhet dhe raportet ndëretnike do të konsolidohen. Ndërkombëtarët kanë nerva të çelikta, atyre s’u bëhet vonë. Për atë që dikush kyçet më shpejtë në euro-integrime dhe dikush më ngadalë, kjo u përket elitave politike se sa janë të afta t’i shpijnë popujt e vet në këto integrime. Dikush duhet të jetë i fundit, do të thoshin në mënyrë lakonike, megjithatë shtetet perëndimore s’do të lejojnë rrënimin e një qeverie të zgjedhur në mënyrë demokratike. Zgjidhja ende s’duket në fund të tunelit, por në politikë çdo gjë është e mundshme.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Koha”

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›