E Diel, 1 Nëntor 2026

Ban Ki Moon: Vendimi i Izraelit nuk i shërben paqes

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka paralajmëruar se perspektiva e paqes do të pësojë një “goditje pothuajse fatale”, po që se Izraeli ndërton mijëra njësi të reja të banimit për kolonët hebrenj në tokën, të cilën palestinezët e duan për shtetin e së ardhmes.

Një deklaratë e OKB-së tha se plani i Izraelit për ndërtimin e 3 mijë njësive të reja, do të rrezikojë shkëputjen e plotë të Jerusalemit Lindor nga pjesa tjetër e Bregut Perëndimor.

Njoftimi i Izraelit për ndërtimin erdhi një ditë pasi Asambleja e Përgjithshme votoi me shumicë dërrmuese për të përmirësuar statusin e palestinezëve në OKB nga subjekt vëzhgues, në shtet jo anëtar.

Izraeli ka intensifikuar presionin, duke njoftuar se ka pezulluar rreth 100 milionë dollarë, që ua ka borxh palestinezëve për tatimet.

Edhe ministri i jashtëm francez, Laurent Fabius, iu bashkua zërave që i kërkojnë autoriteteve izraelite të heqin dorë nga projekti i ndërtimit të 3.000 banesave të reja në Jerusalemin Lindor dhe në Bregun Perëndimor.

Izraeli, tha shefi i diplomacisë franceze, duhet të abstenojë nga një vendim i tillë dhe të dëshmojë vullnetin e tij për rifillimin e negociatave.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›