Sllovakia ka njohur pasaportat e Kosovës

Një prej shteteve refuzuese të pavarësisë së Kosovës, Sllovakia, ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në raport me shtetësinë e Kosovës.
Qeveria sllovake i njeh pasaportat e Kosovës prej datës 17 korrik, 2012, kanë thënë për KosovaTimes burime diplomatike ndërkombëtare.
“Qeveria sllovake ka marrë vendim që nga 17 korrik, 2012, të njohë pasaportat e qytetarëve të Kosovës, por jo edhe ato diplomatike”, ka thënë sot një diplomat ndërkombëtar për KosovaTimes.
Autoritetet sllovake do të vendosin vizat në pasaportat kosovare e jo në letra përcjellëse.
Gjithashtu ky shtet pranon që kosovarët që kanë viza Schengen të lëshuara nga shtete tjera të BE-së, të udhëtojnë në dhe nëpër Sllovaki.
Sllovakia është një nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk e njeh Republikën e Kosovës. Ajo ka qenë mjaft e zëshme kundër shtetit të ri, por kjo sjellje ka kohë që ka ndryshuar.