Memorandum për lidership transformues
Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi dhe ambasadori i SHBA, Christopher Dell kanë nënshkruar sot një memorandum mirëkuptimi me të cilin u ofrohet të rinjve kosovare mundësi shkollimi në qendra arsimore amerikane të nivelit të lartë.
Programi 5 vjeçar përfshinë rreth 20 milionë euro bursa që do t’u jepen të rinjve kosovarë për të vazhduar karrierën akademike në SHBA. Me këtë rast, Thaçi tha se përmirësimi i cilësisë së arsimit është prioritet strategjik i qeverisë së Kosovës. Ndërkaq për këtë program qeveria e Kosovës do të ndajë 10 milionë euro.
“Më këtë iniciativë Qeveria e Republikës së Kosovës e mbështetur nga qeveria e SHBA po realizon përgjegjësit e saja për të krijuar mundësi për një shkollim më cilësor për qytetarët e saj. Përmes kësaj Qeveria e Republikës së Kosovës po krijon mundësi për një të ardhme më të ndritur për një mirëqenie më të lartë sociale dhe materiale për qytetarët e Kosovës”, theksoi Thaçi, siç transmeton RTK.
Qeveria amerikane për këtë program, ka ndarë 10 milionë dollarë bëri të ditur ambasadori amerikan Dell. Ai tha se me këtë fond mund të shkollohen 500 deri në 800 të rinj kosovarë.
“Besoj se nëse ky program tregohet i suksesshëm do të tregoj transformimin e përnjëmend të gjeneratave të ardhshme të cilat do të marrin në arsimin të mirë që do të kontribuojnë në të ardhmen e këtij vendi dhe që mbetet një trashëgimi e qëndrueshme e bashkëpunimit të qeverisë së SHBA dhe Kosovës”, tha Dell.
Ky program do të ofrojë më shumë mundësi shkollimi për qytetarët e Kosovës. Programi pritet të prodhojë kuadro të liderëve të ri të cilët do të jenë në krye të ndryshimeve të rëndësishme në fushat prioritare; të zhvillimit ekonomik, politik dhe shoqëror.