Ban Ki Moon, optimist për Sirinë

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ka shfaqur shpresën se deklarata për Sirinë, e miratuar nga Këshilli i Sigurimit, do të shënojë një “pikë kthese” në dhunën në Siri.
Deklarata jodetyruese shpreh mbështetje të plotë për planin e të dërguarit të OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Anan, i cili parashikon ndërprerje të dhunës, qasje të grupeve humanitare dhe dialog politik.
Ajo njëherësh parashikon “hapa të mëtejshëm” nëse Anani nuk raporton për progres.
“Ky veprim i fuqishëm dhe unanim nga Këshilli do të shënojë pikë kthese në përgjigjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj krizës”, ka thënë Ban Ki Moon.
Protestat antiqeveritare dhe dhuna në Siri u kanë marrë jetën mbi 8,000 personave. Presidenti Bashar al-Asad fajëson “grupet e armatosura terroriste”.