“Grupit i Gjilanit”, Nuhiu ekstradohet në Serbi

Pjesëtari i “Grupit të Gjilanit”, Shemsi Nuhiu, i cili është arrestuar në Zvicër në bazë të një urdhër-arresti serb, është ekstraduar në Serbi, mbrëmjen e së mërkurës.
Për shkak të arratisjes, Nuhiu është gjykuar në mungesë, me akuzat se ai dhe 16 pjesëtarë të tjerë të “Grupit të Gjilanit” kanë kryer krime lufte kundër civilëve serbë në Gjilan.
Pas mbërritjes në aeroportin e Beogradit Nuhiu është transferuar në burgun e qarkut në Beograd, raportojnë mediat serbe.
Nuhiu është arrestuar në Zvicër para një viti, ndërsa vendimi i Gjykatës Federale zvicerane për ekstradimin e tij ka hyrë në fuqi më 7 mars.
Ministri i Brendshëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se me kapjen dhe ekstradimin e pjesëtarit të “Grupit të Gjilanit” të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u vu në vend drejtësia. Ai ka thënë se “Grupi i Gjilanit” akuzohet për vrasjen e më shumë se 150 qytetarëve serbë dhe të kombësive të tjera joshqiptare në Gjilan.
Autoritetet kosovare kërkuan nga shteti zviceran të mos ekstradojë në Serbi, Shemsi Nuhiun por për shkak të mosanëtarësimit në Interpol, Kosova nuk mund të kërkojë shfuqizimin e fletarrestimeve të lëshuara nga Serbia, të cilat i konsideron politike.