Ban Ki Moon, raport për Kosovën

Situata aktuale në Kosovë ishte pjesë e diskutimeve në seancën e së mërkurës në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon duke raportuar në Këshillin e Sigurimit, e ka vënë theksin tek kriza e zgjatur politike në Kosovë që prej dorëheqjes së presidentit Sejdiu.
"Ndjej keqardhje për bllokimin e institucioneve të Kosovës vitin e kaluar, gjë që shtyu dhe dialogun me Beogradin", ka deklaruar Ki Moon. Gjithashtu, ai ka folur edhe për reagimin që shkaktoi Raporti i Senatorit Dick Marty, me akuzat ndaj zyrtarëve të lartë kosovarë për krime të rënda.
Gjatë seancës ka folur edhe Shefi i Diplomacisë serbe Vuk Jeremic i cili tha se Serbia nuk do ta pranojë në asnjë mënyrë pavarësinë e Kosovës. "Ky është vullneti i qytetarëve të Serbisë. Keshilli i Sigurimit duhet të respektojë territorialitetin e Kosovës”, tha më tej Jeremic.
Seanca e Këshillit të Sigurimit po ndiqet edhe nga një delegacion nga Prishtina, i cili ndodhet në Nju Jork privatisht, pasi Kosova në OKB përfaqësohet ende nga UNMIK. Ndër të tjera, gjatë fjalës së tij Ki Moon ka shprehur shqetësimin për kërcënimet e Beogradit ndaj disa politikanëve serbë në Kosovë që dolën në zgjedhje.