E Diel, 1 Nëntor 2026

Ban Ki Mun: Kosova të zbatojë me kujdes strategjinë për veriun

PRISHTINë- Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun ka shfaqur brengën e tij për politikën e re të Prishtinës ndaj veriut të Kosovës dhe i ka bërë thirrje Qeverisë kosovare, që të zbatojë në mënyrë të kujdesshme strategjinë e re për këtë pjesë të territorit të vendit të banuar me shumicë serbe.
“Jam i brengosur për mundësinë e rritjes së tensioneve në veri të Kosovës nëse pushteti në Prishtinë nuk zbaton strategjinë e tij në mënyrë transparente dhe përmes dialogut me bashkësitë lokale dhe palët e tjera relevante”, thuhet në raportin e Ban Ki Mun-it për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, raporton agjencia spanjolle EFE nga selia e OKB-së.

Ban ka kërkuar nga të gjitha palët të miratojnë “masat praktike” për afrimin e bashkësisë shqiptare dhe asaj serbe në Kosovë. “Stabiliteti afatgjatë dhe zhvillimi i Kosovës varen nga suksesi i procesit të pajtimit në mes të bashkësive”, thuhet në këtë dokument. Ban po ashtu ka potencuar se UNMIK-u nuk ka qenë i përfshirë në strategjinë për veriun e Kosovës, ndërsa situatën në Kosovë e ka përshkruar si relativisht të qetë, por të brishtë.

Sipas raportit të shefit të OKB-së, UNMIK-u po vazhdon ta kryejë rolin tij në Kosovë, si ndërmjetësues mes palëve, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet për problemet praktike, pa e prekur çështjen e statusit.
(m.a/telegaf/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›