E Shtunë, 31 Tetor 2026

Besa-Vllaznia, finalja e Kupës së Shqipërisë

KAVAJE- Besa-Vllaznia do të jetë finalja e Kupës së Shqipërisë për këtë sezon. Dy skuadrat kanë mundur të kualifikohen në takimet e kthimit gjysmëfinale, duke mundur respektivisht Shkumbinin dhe Teutën. Besa e Kavajës fitoi 1-0 në Peqin me një gol të realizuar nga Cikalleshi në minutën e 68-të. Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro kishte barazuar 1-1 në shtëpi dhe peqinasve u mjaftonte një barazim pa gola për të arritur për herë të parë në finale të këtij kompeticioni. Por, goli i realizuar nga Sokol Cikalleshi i ka dhënë fund ëndrrës së tyre. Ndeshja u tensionua shumë në minutat e fundit, madje arbitrit Albano Janku në momente të caktuara i doli situata nga duart. 8 minuta para përfundimit ai nxorri me karton të kuq autorin e golit për Besën, por gjithsesi asgjë nuk ndryshoi. Pas ndeshjes, irritimi i tifozëve ishte i madh dhe një pjesë e tyre hynë në fushë, por u ndaluan nga forcat e shumta të policisë. Ndërkohë, në Shkodër Vllaznia arriti të siguronte kalimin në finale pas fitores 2-0 ndaj Teutës. Shkodranët kishin humbur 1-0 në Durrës dhe nuk e patën aspak të lehtë përballë një ekipi të mirëvendosur në fushën e lojës. Sead Haxhibuliç në minutën e 72-të dhe Smajli në të 77-tën, i dhanë fitoren dhe kualifikimin Vllaznisë. Finalja e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë do të luhet më 9 maj në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, në kryeqytet.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›