E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbresa udhëtimi, Stambolli, përrallë që s’mbaron



Petraq Zoto

Dikur pata lexuar një libër të vjetër, në të cilin një hanëme joshëse i çonte në vetëvrasje dashnorët e saj të njëpasnjëshëm. Ngjarjet zhvilloheshin së pari në Stamboll dhe atëherë m’u përhi si një qytet i mistershëm, ku mund të ndodhte çdo gjë. Pleqtë rrëfenin ngjarje nga më të çuditshmet për atë qytet. Në gojën e tyre ngjante si përrallë vetë historia e tij. Ishte Bizant, u bë Kostandinopojë. Pa thirrej edhe Roma e Re dhe Roma e Dytë. Mëpastaj e pushtoi Sulltani dhe e quajti Stamboll. Sulltani pushtues i paskësh vënë çallmë kishës së Shën Sofisë dhe e ktheu në xhami!…Qyteti u madhua edhe më, s’e nxinte kontinenti e u çap përtej, në tjetrin…Atje do të jetë fundi botës, thoshin ata. Me një luftë të tmerrshme, ku do mbytet në gjak demi trevjeçar…
Megjithatë, ashtu si personazhi i përrallave që shtegton pareshtur në kërkim të fatit, të parët tanë ngarendnin drejt qytetit të përbotshëm për të gjetur shumëçka që u mungonte…Ca pasuroheshin, ca humbnin pa nam e nishan...Dikush e quante të mrekullueshëm, një tjetër të përbindshëm, po në këngët e fjalët e urta, deri dhe në shprehjet e përditshme, mbetej përherë i përralltë, më i dëshiruari. Ky ta sjell Stambollin te dera, thonë në Korçë për ndonjë që premton shumë…
Kësaj here Stambollin na e solli pranë Dritani me agjencinë e tij turistike. Aeroplanët e shumtë nëpër pistat e aeroportit Ataturk dhe hapësirat e gjera të terminalit të japin një perceptim për qytetin ku po vete. Hipëm në autobus e u nisëm. Sekuenca e parë befasuese,deti Marmara “i mbjellë” me anije, që prisnin radhën për të hyrë në Bosfor. Pastaj një kodër-qytet, ku komplekse pallatesh ngjiten lart si shkallare të stërmëdha, ndërkohë që rruga e gjerë ndjell të tjera bukuri. Së largu u dukën mure të vjetër rrethues, me kulla të larta të restauruara. Janë muret mbrojtës të Kostandinopojës dhe kullat Jedi Kule, ( 7 kullat).
Jedi Kule?!… Më përshkoi një emocion krejt i veçantë. Në kohën e pushtimit otoman në njërën nga ato kulla e patën burgosur atdhetarin Koto Hoxhi. Sevasti Qiriazi, në atë kohë studente në Stamboll, u vesh si djalë dhe vajti e takoi që t’i kumtonte asisoj se nuk e kishin harruar dhe ai të merrte zemër e të mbahej fort. Vite më parë pata bërë një tregim me këtë subjekt, të dhënat m’i dha shkrimtari korçar Andon Mara, ai e kishte kaluar fëmijërinë në atë qytet…
Brenda mureve mbrojtëse të Kostandinopojës së lashtë ndërtesa të rralla në stilin e asaj kohe, pemë e gjelbërim dhe lule shumëngjyrëshe, aty-këtu ndonjë kishë. Ndërmjet vëzhgimit e meditimit mbërritëm në hotelin Grand Uashington. Përballë tij një tjetër hotel Uashington, gjithë zona Laleli me hotele 4-6 kate, gati krejt me emërtime perëndimore. Midis tyre fare natyrshëm shfaqen objekte të së shkuarës:diku një xhami e vjetër, më tej një han mesjetar me oborr të zymtë dhe një çezmë në hyrje…
Rrugët zbresin butësisht në autostradë, në mes të saj kalon linja e tramvait. Në anë të rrugës së madhe fragmente të hershme arti në blloqe të cunguara mermeri, vendosur aty ku janë zbuluar. Më tutje një pjesë e vjetër e qytetit, me një shesh të gjerë shtruar me rasa të zeza guri në formë tulle. Në ballë korpusi i Universitetit të Stambollit, aty dhe xhamia e vjetër e sulltan Bajazitit e tyrbja e tij, muzeu i kaligrafisë ngjitazi me një hamam. Pëllumba të murrmë ulen e ngrihen, pak më tej gëlojnë pazare e lokale, ku të ftojnë me zell, ndërsa djem të rinj venë e vijnë duke u çuar klientëve çaj në kupa të vogla të qelqta. Në shesh shiten misra të zier, shishqebap e ëmbëlsira…
Duke ecur asaj udhe, hymë në një pazar si tanët. Unë s’i kam qejf pazaret, ndaj thashë të ktheheshim. Shkoni më tutje, shkoni, më foli shqip një shitës. I rrokëm duart, ishte nga Tetova, lindur në Turqi. E pyeta për shqiptarë të tjerë. Ja, ai atje… Tjetri më tej… Ai në krah të tij… Në një copë vend shtatë shitës shqiptarë!…Fare pranë gjendet një mrekulli tregtimi, Kapaliçarsi, pazari i madh i mbuluar. Më parë ka qenë edhe qendër financiare, vendi ku organizohej ekonomia. Një tërmet e rrafshoi krejt, po u restaurua dhe sot venë shumë turistë. Kapaliçarsi zë një sipërfaqe prej 30 ha, tregunqytet e përshkojnë 80 rrugina, aty punojnë 15.000 shitës në 3.500 dyqane me mallra të vendosura ngjeshur deri në tavan. Brenda ka dhe mjedise çlodhëse, shatërvanët flladitin pareshtur mjediset e mbingarkuara…
Teksa një shitës arturinash po na ftonte në dyqanin e vet, befas ngriti kokën e na pa me kërshëri. Qenkeni shqiptarë, tha shqip dhe, kur dëgjoi emrin tim, tërhoqi zinxhirin që kishte varur në qafë e na tregoi një figurinë të Shën Mërisë. Ortodoks jam dhe unë, më quajnë Daniel. Jemi nga Gostivari, gjysh stërgjyshi këtu. U afrua djali i tij, ai e kuptonte shqipen, po nuk e fliste.
Të nesërmen bëmë një shëtitje me anije nga një liman në Bririn e Artë. Anija mori kthesën dhe shpejt u gjendëm nën urën e njohur të Gallatës. Pastaj, oh, pastaj u përshfaq pamja e mahnitshme e ngushticës së famshme të Bosforit. Në të dyja anët brigje të blertë, vila e pallate që nxitojnë të kapin kodrinat e buta për të rendur më tej, më tej…Rend përbri bregut dhe një rrugë e bukur, në anë të saj qëndrojnë të ankoruar disa tragete të mëdha, njëri norvegjez…Vështrimi të trazohet, s’di ç’të shikosh më parë, nuk di ku ta ndalësh vëzhgimin. Ergini flet me mikrofon që nga pulti. Ai shpjegon me zell, po ç’e do, ndihem i gjithi vështrim dhe fjalët mezi m’i kap veshi. Na shoqëron së largu një kullë e lartë rrumbullake, Kulla e Gallatës, ndërtuar nga gjenovezët në vitin 1349. Ka qenë pikë vrojtimi e zjarrfikësve, po edhe depo e burg. Zona e Gallatës u ndërtua nga tregtarët venecianë e gjenovezë si një koloni italiane. Pastaj atje u vendosën shumë ambasada.
Ngulur në anë të anijes, vëzhgojmë me ëndje. Qejflinjtë e celuloidit ngjiten mbi kuvertë e bëjnë fotografi. Kur e kur përbri nesh kalojnë vaporë të mëdhenj, më së shumti tankerë. Bosfori është nyje e rëndësishme transporti, gjatë një viti nëpër të lëvizin 50.000 vaporë!… Shoqëruesi ynë e ngre zërin për të na tërhequr vëmendjen. Ishulli përballë u quajtka Arnautkoin, Fshati i shqiptarëve. I shohim me ëndje ndërtesat e bukura dhe mjedisin e bukur. Ende ka mbetur një kishë, në rrëzë të bregut ngrihet një xhami. Xhamia është më e re, gjë që dëshmon se banorët e mëparshëm kanë qenë të krishterë. Cilët qenë, vallë? Me siguri zejtarë të moçëm, aq të pranishëm në jetën e qytetit perandorak. ǒndodhi me ta më pas? A jetojnë ende në Arnautkoi pasuesit e tyre?…Sa shqiptarë ka tani në Stamboll?…Askush s’të jep dot përgjigje.
Ndërkohë po lundronim nën urën e madhe Ataturk, e ngritur në vitin 1973. Që poshtë duket si e varur në qiell, makinat përmbi të u ngjajnë kukullave në kompjuter. Trafiku i saj ditor numëron 200.000 makina, megjithatë në vitin 1988 u desh të ndërtohej edhe një tjetër, e gjashta në botë nga gjatësia. Kur po i afroheshim asaj ure, përtej së cilës fqinjëron Deti i Zi, anija e ndërroi drejtimin. Do të ktheheshim nga bregu tjetër, dua të them kaluam në Azi. Ishim në Europë, pra, vajtëm në Azi! Dhe shpejt e shpejt, brenda një minute, pa e vënë re kush. Kapërcimi m’u duk kaq i beftë, kaq i çuditshëm, m’u soll në mendje mitologjia, Kolosi i Rodit me këmbët të hapura mbi dy ishuj…Si për ta bërë më të pranishëm perceptimin mitologjik, Ergini po tregonte një legjendë për bregun përballë. Zeusi u dashurua me vajzën e bukur Io. Që të mos i binte në sy gruas së tij xheloze, ai e shndërroi të dashurën në mëshqerrë. Mirëpo Hera e pikasi, u bë zegël dhe e pickoi keqas e pandalshëm, Iomëshqera e pa zor e u hodh në ujë…Pas kësaj ngushtica mori emrin Bosfor, (Buosphoros-Kalimi i lopës)…
Pjesa europiane e Stambollit është historike, ekonomike e tregtare, aziatikja kryesisht rezidenciale. Ndër godinat bie në sy Akademia e marinës, një muze ushtarak nga më të rëndësishmit në botë, vila e pallate dhe blerim, blerim…
Gjatë kthimit së largu spikat xhamia Sulemanie. Sulltan Sulejmani ka qenë zgjeruesi më i madh i pushtimeve turke, njëherësh më ligjbërësi, madje dhe poet. Krenar e ambicioz, e punësoi arkitekt Sinanin për projektet e tij madhore ndërtuese dhe i kërkoi të barabitej me Mikelanxhelon, i cili ndërkohë po ndërtonte katedralen e Shën Pjetrit… Ndodheshim në një nga zonat më luksoze të botës. Pallati Belejrbi është kthyer në hotel, për një natë bujtësi paguan 10.000 dollarë. Dëgjoj të përmenden bujtës të famshëm si Majkëll Xhekson, Shumaker e të tjerë, ndër ta dhe…Fatos Nano!…Fill pas pallatit-hotel, vjen një pallat sulltanor-muze. Në sfond, midis gjelbërimit të ndezur, ngrihen hotele të reja me 5 hyje. Kullat e qelqta nuk i sfumojnë aspak ngrehinat e hershme, përkundrazi, i venë në pah e i vlerësojnë.
Vizita e mëpasshme në një qendër tregtare moderne qe një farë qetësim i syve. Në mbrëmje do të darkonim në një lokal nate, sallë e madhe me tryeza të vëna rresht dhe një podium në mes. U kërcyen valle karateristike turke, mjaft prej tyre humoristike apo me numra shpejtësie, ku nuk mungoi pjesëmarrja e njerëzve nga salla. Surpriza e darkës qe një këngëtar i njohur, Selxhuk quhej. Njeri energjik, fliste edhe anglisht e greqisht dhe sillej lirshëm në skenë, ndaj fitoi përnjëherë simpatinë e të gjithëve. Teksa përshëndeste pjesëmarrësit, u kthye nga ne e na uroi mirëseardhjen me fjalë, pastaj me këngën Mora mandolinën. Më pas vijoi me një këngë greke dhe atëherë e morëm vesh se në tryezat përbri darkonin vizitorë grekë. Pa humbur kohë, iu drejtua një grupi tryezash të tjera me një këngë bullgare. Siç kalonte lehtësisht nga njëra kombësi në tjetrën, po aq lirshëm e natyrshëm krijoi një atmosferë të këndshme, nga salla u ngjitën në podium valltarë e këngëtarë darkues dhe u përzien në vallet e njëri-tjetrit. Gjithë në qendër të podiumit, ai këndoi dhe një potpuri tjetër këngësh shqiptare, Te ura e Shijakut, Kush kërcen Napolonin dhe një tjetër që tani s’po më kujtohet. Duke e ditur që Stambolli është një ndër qytetet më kozmopolitë,( përveç të tjerësh, aty qenkan të shumtë armenët, madje dhe kurdët!), nuk mund të mos emocionoheshim me atë artist, i cili aq natyrshëm kryen një mision të vyer, afrimin e kombeve të Ballkanit e më tej.
Dita e tretë qe më e ngjeshura në vizita. Student në universitetin e Stambollit, Ergini e njeh mirë qytetin e tregonte për gjithçka që shihnim nga autobusi. Po shkonim në qendrën më historike e më turistike nëpërmjet rrugës Arnautkalldrëm, një tjetër dëshmi e pranisë shqiptare në kryeqendrën perandorake 1600-vjeçare. Na emocionon dhe kjo gjurmë shqiptare, ndërkaq mjedisi ku u ndalëm të përpin krejtësisht. Është qendra më e vizituar ne Stamboll dhe në tërë Turqinë. Nuk di të ketë gjetkë një të tillë zonë, ku të ndodhen pranë e pranë kaq shumë vlera historike, arkitektonike apo natyrore e muzeale. Aty ndodhet pallati-qytet Topkapi, vendbanimi i gjithë sulltanëve dhe familjeve të tyre deri në vitin 1856, kur Abdyl Mexhiti e zhvendosi rezidencën në Dolmabahçe.
Ne u ndalëm te Hipodromi. I ndërtuar nga perandori romak Sever gjatë shekullit II, në kohën e Kostandinit të Madh u zgjerua në përmasat e një stadiumi të sotëm me mbi 30.000 spektatorë. Rrënimi nisi në kohën e Kryqëzatës së vitit 1204, tani vendi është mbushur dhe përgjatë lulishtes konkurojnë një sërë obeliskesh. Obelisku egjiptian, monumenti më i vjetër i Stambollit, u krijua në Luksor 15 shekuj para Krishtit në nderim të Tutmosit III. E lashtë është dhe Kolona gjarpërore prej bronxi, sjellë nga tempulli i Apollonit në Delf, ku ishte ngritur në vitin 479 para Krishtit në kujtim të fitores së grekëve ndaj persëve. Obelisku më i lartë, ai i Kostandinit, ruan gjurmët e vandalizmit të kryqtarëve. Ata e pandehën për ar bronxin që stoliste muret e gurtë dhe e rropën barbarisht. Zë vend aty dhe një çezmë e madhe me kolona e kupolë, dhuratë e perandorit gjerman Vilhelm për pritjen e ngrohtë që iu bë në Orient në vitin 1898.
Një rrugë e ndan Hipodromin nga xhamia e sulltan Ahmetit, e njohur me emrin Xhamia Blu. Minaretë dhe kupolat në ngjyrë të blertë i japin xhamisë elegancë të admirueshme. Përbri portës anësore gjendet një radhë me çezma, ku besimtarët lanin këmbët para se të hynin në xhami. Edhe se Xhamia tashmë është muze, vizitorit i duhet t’i heqë këpucët, brenda këmbët të fundosin në një tapet të trashë që mbulon krejt dyshemenë. Kubeja e lartë mbahet në katër shtylla, Këmbët e elefantit, çdonjërën mezi e pushtojnë 10 burra. Si kubeja, ashtu dhe kapitelet e gjithçka sipër janë veshur me copëza majolike ngjyra- ngjyra, më të shumtat blu, nga të cilat ka marrë emrin. Ngjitja e mermerit në kolonat e trasha është bërë me një përzierje me lëndë bazë të bardhën e vezës(u përdorën 5 milion vezë!). Dekoracioni i Xhamisë Blu solli risi në ndërtimet e këtij lloji. Nga kubeja 43 m. e lartë varet një shandan i madh. Tymi i qirinjve përcillej nëpërmjet disa hinkave e shndërrohej në një lëng të zi. Me të firmoste Sulltani...
Pasi e lë në të majtë hamamin, shfaqet në tërë madhështinë e vet kisha famoze e Shën Sofisë më katër minaret që ia ngjiti përane Sulltan Mehmeti II, Pushtuesi. Konsiderohet si mrekullia e tetë e botës. E ndërtuar nga Perandori Justinian në vitin 537, kubeja e Shën Sofisë është ndër tri më të lartat. Kishës i paraprin nje park parajsor me pemë e lule dhe pemëlule në forma të ndryshme me një shatërvan në mes…Atje edhe kangjellat janë tjetërsoj, fare të ulta e të punuara zejtarisht. Për 916 vjet Shën Sofia shërbeu si kishë, 482 vjet si xhami. Me urdhër të Mustafa Qemalit u restaurua në vitin 1935 dhe që atëherë është muze. Sërish ishte në restaurim, ndaj s’e pamë dot nga brenda.
Një vepër tjetër muzeale e atyshme, Kulla Cisternë tani jo funksionale. Ndërtuar me kolona, 336 të tilla në distancë 4m prej njëra-tjetrës, dikur nëpër to vozitnin me varkë. Sapo del që andej, përtej kangjellave anësore të rrugës shikon foto të mëdha të galerisë Ataturk, mëpastaj një obelisk për nder të tij. Objektet e mëdha muzeale dhe fill pas tyre një galeri në natyrë kushtuar udhëheqësit të Turqisë moderne m’u duk një gjetje fort e goditur.
Përjetoja një ndjesi qetësuese, teksa vëreja lumin e makinave që shkisnin lehtësisht, pa zhurmë e pa asnjë farë rrëmuje, megjithëse rrugët më së shumti janë të ngushta, me ngjitje e zbritje e kthesa të forta dhe mbikalime a nënkalime dhe semaforë, semaforë…Të kënaqin syrin, gjithashtu, gjelbërimi e lulet e kudogjendshme, pastërtia dhe mirëmbajtja e gjithçkaje. Pas një kthese u duk një stadium. Shikoni hyrjen, tha Ergini. Syri më kapi emrin Ali Samien. Djali i Sami Frashërit, shpjegoi ai. Ka qenë futbollist dhe një ndër krijuesit e skuadrës së Gallatasarait, prandaj stadiumi mban emrin e tij.
Pallatin Dolmabahçe e ka ndërtuar sullan Abdyl Mexhiti, ai që bëri reformat e Tanzimatit. I paraprin një xhami kushtuar nënës sulltaneshë dhe një kullë-orë. Finesa e së parës dhe bukuria e së dytës janë një parathënie ngacmuese për çka do të shohësh më pas. Kjo ndjesi të forcohet teksa sheh portën e madhe me kolona të larta dhe harqe e kapitele gjithë ornamente, si dhe turistët e shumtë që hyjnë apo dalin. Në atë portë kalohet më kartë elektronike, e cila kushton 15 lira, 7.5 euro.
Pallati ka 285 dhoma dhe 43 sallone. Ndërtimi, arredimi, çdo gjë e gjithçka i përmbahet një kriteri të rreptë, përkryerjes. Salloni i pritjes së ambasadorëve është një kryevepër hijeshie, ai i ceremonive zyrtare perceptim madhështie. Të mahnit salloni, ku nuk duken fare muret, veç dritare e dyer të larta dhe kolona mermeri. Në çdo dritare dy kolona, dyerve u shtohet dhe një grup me katër kolona, një pyll me kolona.
Pa e parë, nuk e mendon dot si mund të ketë aq kristal në një ngrehinë. Shandanë të kristaltë me mbështetje, këmbëza parmakësh prej kristali, shandanë të kristaltë të varur, më i madhi, mbajtës i 750 qirinjve, peshon 4,5 ton, dhuratë e mbretëreshës Viktoria të Anglisë. Për dekoracione janë harxhuar 14 ton ar e 40 ton argjend. Nëpër korridore sheh piktura të mëdha, realizuar nga piktorë italianë e francezë, ndër to dhe portreti i gruas së sulltanit, femër e bukur me veshje europiane. Një kthinë e posaçme i kushtohet memories së Pallatit sulltanor. Sulltanët përfaqësohen aty edhe me portrete në pikturë, tre prej tyre në vend të portreteve u kanë bërë skica në pajtim me karakterin, sëmundjen mendore a manierat psikofizike.
Dolmabahçe u ndërtua me synimin që t’u ngjante Luvrit të Parisit e Bakingamit të Londrës për të krijuar te perëndimorët imazhin e një perandorie europiane dhe u quajt Rilindja Otomane. Dhe vërtet, Dolmabahçe s’përkon fare me përfytyrimet tona për jetën orientale të sulltanëve. Nga 12 portat e saj çuditërisht të larta, u mbiquajt Porta e Lartë vetë Perandoria Otomane.
Kryeqytet i tri perandorive më në zë në historinë e botës (romake, bizantine e otomane) dhe bartës e përçues i gjithë qytetërimeve nga helenët e këtej, Stambolli i mahnitshëm i ruan mrekullisht vlerat e mëdha të gjithanshme, disa nga të cilat unikale.
Pas vizitave intensive në objekte-muze marramendëse si ato që kishim parë, shkonte më së miri dreka e vonuar te Kodra e të Dashuruarve, pika më e lartë e qytetit, një Belvedere e shkëlqyer e tij. Rrugëtimi qe i bukur e mbresues. Kaluam mbi urën e madhe, prej nga dukej sikur po udhëtonim me aeroplan…
Në hyrje Stambollin e quajta përrallë, fryt i përjetimeve fëmijërore. Tani që e pashë vetë, qyteti i stërmadh më rrëshqet në përfytyrim dhe ikën e ikën në hapësira të paanë. Përveç të tjerash, vështirë ta rrokë truri një qytet që zë një të katërtën e gjithë vendit tonë. Zyrtarisht ka 12.8 milion banorë, por shifra reale shkon mbi 15 milion. Çdo vit i shtohen 500.000 vetë, afërsisht sa e tërë Tirana. S’ta rrok dot truri, pra, ndaj të ngjan i ëndërrt e i magjishëm, një kryepërrallë e vërtetë pa mbarim.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›