E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjigjet e njëjta në provim, maturantët që do ndëshkohen



Jonida Tashi

Maturantët që iu janë gjetur përgjigje të njëjta në provimet
me detyrim do të penalizohen. Burime zyrtare nga Komisioni i Shqyrtimit të testeve, pohuan dje për gazetën “Albania” se deri tani janë gjetur disa raste që i përkasin rretheve. Të njëjtat burime shpjegojnë se këto teste nuk do njihen si provime
Maturantët që në provim kanë kopjuar nga njëri-tjetri së shpejti do të njihen edhe me masat ndëshkuese. Sipas Rregullores së Maturës Shtetërore, një nga masat ndëshkuese për kopjim është mosnjohja e rezultateve të provimit. Ministria e Arsimit, bën të ditur se aktualisht, Komisioni i shqyrtimit të testeve të dyshuara për kopjim (KOPOTED), është duke i shqyrtuar këto teste dhe shumë shpjet pritet të merren dhe masat ndëshkuese, për maturantët dhe për administratorët. Vetëm maturantët e kryeqytetit duhet të rrinë të qetë nga frika e këtij ndëshkimi, pasi asnjë test i tyre nuk është dyshuar si rast për kopjim. Të paktën ky është versioni zyrtar për testin e Letërsisë.
Rastet
Ministria e Arsimit, sqaron se (KOPOTED), nuk ka evidentuar asnjë provim të dyshuar për kopjim në gjimnazet e Tiranës. Sipas kësaj ministrie, testet e dyshuara për kopjim që po shqyrtohen nga ky komision janë në qytete të tjera të vendit. Testet e provimit të Letërsisë që janë dyshuar për kopjim, nuk janë korrigjuar, pasi janë duke u rishikuar nga komisioni i posaçëm i Ministrisë së Arsimit. Nga provimi i parë i detyruar i Maturës Shtetërore 2008, janë evidentuar pesë raste të tilla, ku nxënësit kanë kopjuar nga njëri-tjetri. Për këtë problem, ditën e shpalljes së rezultateve të provimit të Letërsisë, drejtori i Agjencisë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA), Edmond Lulja, bëri të ditur se do të merren masa ndëshkuese jo vetëm për nxënësit, por edhe për administratorët që i kanë lejuar të kopjonin.
Parregullsitë
Për parregullsitë e ndodhura në procesin e zhvillimit të provimeve, MASH-i ngre grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme monitorojnë testet e vlerësuara. Këto grupe gjithashtu shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve. “KOPOTED” është Komisioni i ngritur në MASH për shqyrtimin e testeve që dyshohen për kopjim. Në bazë të rregullores së Maturës, nëse maturanti merr ose jep ndihmë, informacion, kopje ose komunikon me nxënës të tjerë, përjashtohet nga provimi ose nuk i njihen rezultatet. KOPOTED për të gjitha parregullsitë që konstaton informon Ministrinë e Arsimit, e cila merr dhe vendim përkatës për parregullsitë. Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret edhe nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore.

28 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›