E Diel, 1 Nëntor 2026

Ban Ki Mun përgatit draftin për rikonfigurimin e UNMIK-ut



Sekretari i Përgjithshëm i OKB së, Ban Ki Mun, ka përgatitur një draft, me anë të së cilit me anë të së cilit do të prezantojë qëndrimet dhe idetë e tij në lidhje me rikonfigurimin e UNMIK-ut pas 15 qershorit. Pas kësaj do të duhet të rinisë procesi i përmbylljes së funksionit të administratës ndërkombëtare në Kosovë, kanë bërë të ditur mediat kosovare duke iu referuar burimeve diplomatike perëndimore. Por më parë Ban Ki Mun duhet të dërgojë dy letra në adresë të Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe atij të Serbisë, Boris Tadiç, me anë të të cilave, duhet të arrihen disa qëllime kryesore, kanë pohuar mediat. Ky propozim do të duhej të siguronte vazhdimin e prezencës së UNMIK-ut në Kosovë, por jo me kapacitetin që ka aktualisht. Po ashtu propozimi i Ban Ki Munit duhet të hapë dyert për sistemimin e misionit të EULEX-it.

RAPORTI
Organizatat paqeruajtëse akuzohen për abuzim fëmijësh

Organizata ndërkombëtare bamirëse “Save the Children” ka akuzuar paqeruajtësit dhe punonjësit e OKB-së për abuzime seksuale me fëmijë të vegjël, deri në moshën 6 vjeç. “Më tronditës se abuzimi është heshtja që e rrethon atë”,- pohon raporti i organizatës.
Kombet e Bashkuara janë shprehur se e mirëpresin raportin e organizatës “Save the Children” dhe do ta studiojnë me kujdes.
Drejtorja për Çështjet Humanitare në organizatën tjetër bamirëse, “Oxfam”, ka shprehur mbështetjen ndaj këtij raporti të rëndësishëm.

KROACI
Zhvillon punimet Konferenca e nismës Adriatik-Jon

Është zhvilluar gjatë ditës së djeshme në Zagreb të Kroacisë Konferenca e nismës Adriatik-Jon në të cilën përfaqësuesit e tetë vendeve diskutuan për bashkëpunimin e ardhshëm, nxitjen si dhe përparimin e vendeve të rajonit. Fushat me prioritetet më të rëndësishme u paraqitën ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, mbrojtja e mjedisit si dhe lidhjet rrugore. Në këtë konferencë morën pjesë përfaqësuesit e Kroacisë, Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Greqisë, Italisë, Sllovenisë dhe Serbisë.

VENDIMI
Shpallet i pafajshëm i varuri më 1922-shin, i akuzuar për vrasje

Është varur në vitin 1922 për vrasje dhe dhunim të një vajze në qytetin jugor australian, Melburn dhe është shpallur pas vdekjes i pafajshëm pas zbulimit të provave të reja për pafajësinë e tij, ka njoftuar Reuters. Autoritet në shtetin Viktoria kanë shpallur të pafajshëm Kolin Kampbell Rosin, i cili u var për vrasjen e një 12-vjeçareje më 1921-shin. “Ky është një rast tragjik kur drejtësia e gabuar ka varur padrejtësisht një person. Ky është një rast tragjik”,-është shprehur pas vendimit prokurori i përgjithshëm i Viktorias.

SHBA
Ish-presidenti Karter: ”Izraeli ka 150 armë bërthamore”

Ish-presidenti amerikan, Xhimi Karter, është shprehur se Izraeli ka së paku 150 armë bërthamore. Këto komente, Karter i bëri në një konferencë për shtyp, i pyetur lidhur me kërcënimin bërthamor nga Irani. Ai gjatë përgjigjes së tij, këtë rrezik e përshkroi në kontekst, duke paraqitur listën e armatimit bërthamor në përmasa globale. Gjerësisht besohej se Izraeli ka armatim bërthamor, por zyrtarët izraelitë kurrë nuk kanë pranuar ekzistencën e tyre, ndërsa këtë linjë, për vite të tëra, publikisht e kanë mbajtur edhe zyrtarët amerikanë.

ITALI
Arrestohen 50 pjesëtarë të mafies

Policia italiane ka bërë të ditur arrestimin e rreth 50 pjesëtarëve të familjes së krimit të organizuar Kamorra, kontrolli i së cilës mbi fushat e plehrave pranë Napolit ka rënduar krizën e plehrave që po përjeton ky qytet. Ndër të arrestuarit ishte edhe Xhuzepe Xhovine, vëllai i bosit të krimit Antonio Xhovine, i cili është në kërkim. Kamorra akuzohet për shantazh ndaj biznesmenëve, posedim armësh dhe larje parash. Ajo dyshohet gjithashtu për ryshfete si dhe për manipulim të zgjedhjeve.

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›