Maqedoni, 5000 vëzhgues monitorojnë procesin e zgjedhjeve
Zgjedhjet e 1 qershorit në Maqedoni do të ndiqen nga afro 5000 vëzhgues. Vendimi është marrë gjatë ditës së djeshme nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor, në seancën e radhës. Anëtarët e KSHZ-së vendosën që për zgjedhjet e 1 qershorit të formojnë Komisionin, i cili do të vizitojë Komisionet Komunale Zgjedhore në Tearcë, Bogovinë, Bërvenicë, nga të cilat janë marrë informacione për parregullsi të caktuara. Ky komision dha sqarime për zbatimin e nenit 2 nga Kodi Zgjedhor, në të cilin thuhet se një ditë para ditës së votimit partitë politike duhet të dorëzojnë në Këshillat Zgjedhorë emrat e vëzhguesve të tyre. Sipas KSHZ-së, vëzhguesit nuk duhet të jenë persona kandidatë për deputetët në njësinë zgjedhore që janë kandiduar. Partitë politike kanë intensifikuar aktivitetet politike gjatë fushatës zgjedhore që po zhvillohet. Problemet që kanë ngritur partitë shqiptare janë të shumta, por ato që spikasin janë problemet lidhur me identitetin si përdorimi i flamurit dhe çështja e gjuhës. Në këtë fushatë zgjedhore krerët e partive kanë bërë të qartë programin e tyre dhe arsyet për të cilat duhet të votohen. Kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi është shprehur se më 1 qershor duhet të votohet ai pasi partia e PDSH-së ka kandidatët më të përgatitur dhe të rinj dhe kjo parti ka prioritet kryesor integrimin e vendit në BE dhe NATO. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) gjatë ditës së djeshme ka mbajtur në orën 20.00 një tubim me banorët e fshatit Sllatinë të Tetovës. Thaçi është shprehur se projektet e vazhduara të partisë së tij në qeverinë e Gruevskit do të rrumbullakësohen në katër vitet e ardhshme. Sipas tij alternativa e vetme e Maqedonisë është anëtarësimi në strukturat euro-atlantike. Ndërkohë kreu i BDI-së, gjatë fushatës, ka bërë të ditur se do të veprojë në bazë të marrëveshjes së Ohrit dhe ka theksuar se zgjidhja e çështjes së flamurit, përdorimi zyrtar i gjuhës shqipe dhe statusi i dëshmorëve të UÇK-së janë prioritetet që do të përqendrohet BDI-ja. Kjo parti mbajti tubim me qytetarët në Bogovinë në orën 19:00 ndërsa në Tearcë në orën 20.30. Ahmeti më herët ka hedhur akuza ndaj partisë shqiptare në pushtet për mos realizimin e premtimeve të dhëna. “Nuk kanë realizuar premtimet e dhëna por kanë risjellë edhe ligje të cilat i kishim arritur ne siç është ligji i flamurit. Filluan nga brenda rrënimin e Marrëveshjes së Ohrit”, - ka deklaruar Ahmeti. Sipas një sondazhi të Institutit të Lindjes dhe Ballkanit të zhvilluar në Maqedoni ka rezultuar se fituesi për maqedonasit do të jetë VMRO-DPMNE, ndërsa për shqiptarët PDSH. Përfaqësuesit e PDSH-së dhe BDI-së janë shprehur se nëse do të humbin në zgjedhjet e 1 qershorit nuk do të pretendojnë të jenë pjesë e qeverisë. Përfaqësuesit Izet Mexhiti dhe Sulejman Rushiti, këto deklarata i bënë gjatë programit të BBC-së “Forum”. Mexhiti, shef i shtabit zgjedhor të BDI-së ka thënë: “Edhe unë edhe lideri ynë Ali Ahmeti ka deklaruar vazhdimisht se BDI-ja nuk do të marrë pjesë në qeveri nëse nuk merr mandatin nga populli shqiptar”. Të njëjtën deklaratë ka bërë edhe Sulejman Rushiti, ministër i Arsimit në largim, njëkohësisht kandidat për deputet i PDSH-së. Kjo është hera e parë që të dy subjektet kryesore politike shqiptare të thonë se nuk do të jenë pjesë e koalicionit të ri qeverisëse nëse nuk janë fitues.
28 Maj 2008