E Diel, 1 Nëntor 2026

Johnny Depp, berberi diabolik sot në “Millenium II”



Sot shfaqet në Kinemanë “Millenium II” në kryeqytet premiera e filmit “Sweeney Todd: the demon barber of Fleet Street”, i cili në vetvete është një muzikal triller, i vlerësuar si një ndër 10 filmat më të mirë të vitit. Nga regjisori i “Batman” dhe skenaristi i “Gladiator” vjen përshtatja më e përsosur e muzikalit të famshëm të Broadëay-it. Filmi më i mirë për gjininë e komedisë apo muzikalit dhe aktori më i mirë i kësaj gjinie në “Golden Globe”. Gjithashtu, filmi ka fituar edhe një statujë oscar për skenografinë më të mirë.
Johnny Depp, (Xhoni Dep) i akuzuar padrejtësisht për disa krime qe nuk i ka kryer, arrestohet e syrgjynoset në Australi. Pasi arratiset, ai shndërrohet në një tjetër njeri. Gruaja dhe vajza e tij kanë vuajtur shumë nga ato që kanë ndodhur sikurse dhe ai vet. Tani, në rrugët e Londrës është një tjetër serial killer, me briskun e berberit në dorë. Dhe ky berber as nuk harron, as nuk pranon të falë, duke kërkuar shpagim. Kjo nuk është historia e vërtetë e aktorit të njohur, por historia e personazhit më të fundit të tij, që prej pak kohësh ka pushtuar të gjitha ekranet e kinemave në botë. Tashmë edhe në kinemanë shqiptare, duke filluar që nga dita e mërkurë, (sot) publiku do të ketë mundësinë të njihet me historinë e berberit të keq në rrugën Flit, me emrin Sweeney Todd (në shqip, Suini Tod). “Sweeney Todd: the demon barber of Fleet Street” është një muzikal triller dhe një përshtatje kinematografike e muzikalit me të njëjtin titull të Stephen Sondheim e Hugh Wheeler. Filmi është një përpjekje e guximshme e regjisorit Tim Burton, të njohur me filmin “Batman”, për të mishëruar në kinema një nga muzikalet më të famshme të Broduejit, duke treguar se edhe në film, historia e berberit demon në rrugën Flit, mund të qëndrojë fare mirë. Dhe në fakt, kjo përshtatje është vlerësuar nga të gjitha garat më prestigjioze të kinematografisë. Në Oscar filmi mori tre nominime; Johnny Depp u kandidua për aktorin më të mirë protagonist, kostumografia dhe skenografia u kandiduan dhe pikërisht kjo e fundit, rrëmbeu statujën e artë. Ndërsa në “Golden Globe”, historia e berberit diabolik fitoi si filmi më i mirë në gjininë e komedisë ose muzikalit. Ndërkaq, regjisori i këtij filmi u vlerësua nga National Board of Review Award 2007, si më i miri i vitit. Johnny Depp spikat në këtë film jo vetëm për ndërtimin e plotë të personazhit, por mbi të gjitha për aftësitë vokale. Dhe nuk ka qenë aspak e lehtë për aktorin që të mësojë të këndojë, pasi në disa prej këngëve kishte kapërcime të tilla vokale, të cilat thuajse dukeshin të pamundura për tu realizuar. Depp regjistroi disa prova të tij duke punuar me Bruce Eitkin për të përmirësuar aftësinë e tij vokale pa pasur nevojë për një kurs të kualifikuar kantoje. Producenti Richard Zanuck pranon se të gjithë i kishin thënë njëri-tjetrit: “Johnny është një djalë inteligjent. Nuk do ta kishte marrë kurrë përsipër këtë detyrë nëse do të mendonte se nuk do t’ia dilte”. Sondheim do të thoshte në këtë pikë: “Unë kisha llogaritur që ai do të kishte një zë baritoni... Unë e dua shumë atë si aktor dhe kështu do të jetë gjithmonë. Nuk kam hezituar për asnjë moment të vetëm”.
Depp zgjodhi një interpretim të afërt me Punk rock, duke u frymëzuar nga Anthony Seeley e Iggy Pop. Për këtë të fundit Depp thotë: "Është këngëtar agresiv, sidomos në detaje të vogla ka diçka të paharrueshme që të kujton sulmet e personazhit tim”.
Depp dëgjoi të flitej për herë të parë për Sweeney Todd në vitin 2000, kur iu dha një regjistrim i kastit origjinal nga Burton. Depp nuk ishte një fans i kësaj gjinie, por i pëlqeu muzikali.
E teksa folëm për protagonistin e padiskutueshëm, filmi sjell edhe një surprizë tjetër që mban emrin: Helene Bonham Carter.
Në krim dhe në film Johnny Depp nuk mund të jetë vetëm. Me ndihmën zonjës Lovett, të interpretuar nga aktorja Helene Bonham Carter ai kryen ndëshkimet e tij. Aktorja thuhet se e ka dëshiruar këtë rol që kur ishte 11-vjeç dhe donte t’i tregonte vetes që të ishte në kastin e filmit jo për shkak të një nepotizmi të mundshëm nga ana e bashkëshortit të saj, regjisorit Tim Burton. Aktorja mori mësime kantoje nga Ian Adam për tre muaj me radhë. Personazhi i saj shpesh këndon duke lëvizur dhe Carter është përgatitur shumë për të bërë njëkohësisht të gjitha veprimet. Aktorja ka kaluar orë të tëra duke pjekur byrekë në një furrë për të realizuar më mirë performancën e saj. E në fakt, kritika ka vënë në pah lojën e saj, duke e vlerësuar si suprizën e vërtetë të këtij filmi. Ndër aktorët që interpretojnë në film janë dhe Alan Rickman e Timothy Spall (aktorë në seritë e Harry Potter).

Skeda e filmit

Titulli: “Sweeney Todd: The Demon Barber of Fleet Street”
Regjia: Tim Burton
Subjekti: Përshtatje e Christopher Bond nga muzikali i Stephen Sondheim e Hugh Wheeler
Skenari: John Logan
Aktorë: Johnny Depp, Helena Bonham Carter, Alan Rickman, Timothy Spall, Sacha Baron Cohen, Laura Michelle Kelly, Jamie Campbell Boëwr, Jayne Wisener
Muzika: Stephen Sondheim
Skenografia: Dante Ferreti, Francesca Lo Schiavo
Kohëzgjatja: 116 minuta
Gjinia: Triller, muzikal
Buxheti: 50 milionë dollarë

28 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›