SHBA-të: “Nuk e kemi kritikuar qeverinë e Kosovës”
Pas publikimit të lajmit se SHBA-të kanë kritikuar diplomacinë kosovare, ka reaguar Ambasada Amerikane në Prishtinë nëpërmjet një njoftimi për shtyp. Në këtë njoftim janë hedhur poshtë të gjitha spekulimet sipas të cilave zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit Rozmari di Karlo ka kritikuar qeverinë për jo efikasitet në lobimin për njohjen e Kosovës. Në komunikatën e ambasadës amerikane thuhet se ajo nuk ka bërë komente të tilla. “Qeveria e Shteteve të Bashkuara përkrah përpjekjet e qeverisë së Kosovës për nxitjen e njohjes së Kosovës. SHBA-të dhe vendet e tjera gjithashtu janë të angazhuara në këtë proces”-thuhet në komunikatë. Para dy ditësh u publikua lajmi se SHBA-të kanë kritikuar punën e diplomacisë kosovare për ritmin e njohjeve dhe aktivitetin e pakët lobues të Prishtinës zyrtare për sigurimin e të paktën 97 njohjeve. Sipas medieve, zyrtarë ndërkombëtarë kishin konfirmuar se kjo shifër do t’i mundësonte Kosovës të aplikonte për anëtarësim në OKB gjatë shtatorit të sivjetshëm kur mblidhet Asambleja e Përgjithshme.
28 Maj 2008