Ban këmbëkryq, në Xhaminë e Sinan Pashës në Prizren

I ulur këmbëkryq në mes të Xhamisë së Sinan Pashës, pranë udhëheqësve të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit, sekretari i organizatës më të madhe botërore ka theksuar se dëshiron që të shoh në vepër ndërveprimin e bashkëjetesës fetare dhe etnike, e që sipas tij është parim i veprimit të OKB-së.
“Njerëzit janë të lirë të besojnë siç kanë dëshirë. Vizita ime në Prizren është bërë me qëllim që të shoh ndërveprimin e bashkëjetesës fetare dhe etnike. Kosova është një shoqëri shumë etnike dhe shumë fetare dhe në kuadër të kësaj njerëzit duhet ta gjejnë harmoninë dhe gjuhën e përbashkët të komunikimit. OKB-ja gjithnjë angazhohet për avancimin e kësaj bashkëjetese", ka thënë Ban Ki-moon, raporton Koha.
Gjatë paraqitjes që ka bërë në xhaminë më të bukur të Prizrenit, Ban ka cilësuar se liderët fetarë mund të luajnë rol të rëndësishëm në avancimin e procesit të paqes dhe mirëkuptimit mes njerëzve pavarësisht nga dallimet që ekzistojnë mes tyre.
Para se të jepte mesazhin e tij, Ban ka vizituar klerin katolik në Katedralen e Zonjës Ndihmëtare dhe atë ortodoks në Kishën e Shën Gjergjit.
Vizita e shefit të OKB-së ka zgjatur rreth një orë. Gjatë kësaj kohe shiu ka rënë pandërprerë. Ai ka zbritur me helikopter në bazën e KFOR-it gjerman në Prizren, ku nën përcjellje të forcave të shumta të rendit është ndalur së pari në Kishën Katolike. Aty është pritur nga kancelari i Kishës Katolike, Don Shan Zefi. Ky i fundit i ka shprehur "mirëseardhje të madhe sa vet Kisha" e Zonjës Ndihmëtare. Kleriku katolik ka përkujtuar se vizita e Ban-it ka nderuar shqiptarët dhe gjithë etnitë tjera që jetojnë në Kosovë.