Gjirokastra pret ftohtë Festivalin Folklorik
U hap mbrëmë Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës 2009, veprimtaria më e madhe kulturore mbarëkombëtare, që synon mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kombëtare. Ndryshe nga pompoziteti, me të cilin ishte përcjellë nga organizatorët e FFK pjesa e hapjes, ajo u përcoll me indiferencë nga banorët gjirokastritë, të cilët kësaj here kanë preferuar të qëndrojnë të paangazhuar shpirtërisht me momentin e mirëseardhjes së festivalistëve. “Tradita nuk është ajo e mëparshme, organizimi është tërësisht komercial dhe kështu që mirëseardhja ka koston e vet”, shprehet Shefki Meçaj njëri prej banorëve të vjetër gjirokastritë, që ka pritur festivalistë në shtëpinë e tij prej organizimit që nga festivali i parë në vitin 1968 e deri në atë të fundit në kohën e monizmit në vitin 1988. Festivalistët kanë ardhur aty rreth orës 16:00 të organizuar në sheshin e Çerçizit, siç quhet ndryshe sheshi i festivaleve. Daullet dhe boritë e instrumentistëve veriorë, paralajmëruan hapjen zyrtare të aktivitetit folklorik, por ato nuk ngjanin aspak me sinjalet e gëzimit dhe mirëseardhjes, pasi të paktë kanë qenë kureshtarët. Ishte paralajmëruar ardhja e kreut të shtetit, Bamir Topi dhe të Kuvendit Popullor, Jozefina Topalli, të cilët nuk mbërritën. Mungesa e drejtuesve të lartë të shtetit, u zëvendësua me kreun e përfaqësisë së OSBE në Tiranë Robert Bosch, diplomatë të tjerë si dhe mjaft turistë të huaj, që gjendeshin rastësisht në qytetin e gurtë. Ndërsa në skenën e festivalit në Kalanë e Argjirosë, ministri i Kulturës Ferdinand Xhaferri, uroi fillimin e mbarë të FFK 2009. p.n