"Banda e Cërrikut"/ Debate të ashpra në seancën e sotme gjyqësore
Tension dhe debate të ashpra shkaktoi sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda, dëshmia e Bujar Buzanit, të penduarit të "Bandës së Cërrikut", anëtarët e së cilës, akuzohen për vrasjen e 6 punonjësve të Gardës së Republikës dhe plagosjen e disa të tjerëve në vitin 1997 në Cërrik. Debatet nisën sapo Buzani filloi të flasë para trupës gjyqësore për ngjarjen e ndodhur 12 vjet më parë në Cërrik Duke e kundërshtuar dëshminë e Buzanit, njëri nga të pandehurit u largua nga salla e Gjykatës. Një tjetër prej tyre, duke e drejtuar gishtin tregues nga përfaqësuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, tha se po manipulohet me dëshminë e Buzanit. Më pas sallën e braktisi edhe një nga mbrojtësit ligjor të të pandehurve të procesit, c'ka solli ndërprerrjen e seancës. Në këto kushte, trupa gjyqësore vendosi zhvillimin e seancës javën e ardhshme. Dëshmia e Buzanit, cilësohet si mjaft e rëndësishme në zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë të ndodhur në 1997 në Cerrik. Të pandehur në këtë proçes janë: Llazar Bicja, Met Bozi, Arjan Toska, Roland Sota (Xhepexhiu), Alban Toska, Skënder Cani, Tomorr Buzani, Entel Gashi si dhe Bujar Buzani, i cilësuar si i penduari i bandës. Këta persona, shumë prej tyre të arrestuar vitin që shkoi nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda akuzohen për vrasjen me armë zjarri të 6 punonjësve të Gardës së Republikës si dhe plagosjen e disa efektivëve të Policisë së Shtetit afro 12 vjet me pare në qytezën e Cërrikut.
...