E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova po përgatisin një projekt për një park natyror të përbashkët

Shqipëria, Kosova dhe Mali i Zi janë  përfshirë në një projekt të përbashkët për shpalljen park rajonal të Alpeve, që shtrihen në tre shtetet. Bëhet fjalë për Bjeshkët e Namuna, apo Kelmendin në Shqipëri por që shtrihen me tej edhe në dy vendet fqinje. "Do të jetë një projekt gjigand, me përmasa të mëdha, që do të gjallërojë së tepërmi jetën e këtyre zonave dhe do t’i bëjë ato më atraktive", u shpreh sot ministri  Ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujrave, Lufter Xhuveli, duke nënvizuar se strukturat respektive të Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës në parim kanë rënë dakort që e gjithë kjo zonë të shpallet park rajonal". Ministri Xhuveli informoi se specialistët e MMPAU-së tashmë janë duke kryer një studim në zonën e Alpeve shqiptare, që është pak e eksploruar. "Është një natyrë e mrekullueshme që duhet jetë e vizitueshme për turistët vendas dhe të huaj. Kjo do të bëhet duke i dhënë dimensione të reja kësaj zone", tha ministri i Mjedisit. Ne, vijoi ai, parashikojmë që përveç Parkut të Valbonës, të shpallim si park unik kombëtar dhe më pas si pjesë të parkut rajonal ndërshtetëror pjesën e Bjeshkëve të Namuna, pjesën e Kelmendit, së bashku me pjesën e Kosovës dhe Malit të Zi, duke vazhduar në pjesën e Gjakovës deri në kufi me Pejën dhe në pjesën e Malit të Zi, që zbret më tej në Tuz. Shpallja e kësaj zone si e tillë, që sipas ministrit Xhuveli arrin rreth 200 mijë hektarë, do të ndikojë në zhvillimin e turizmit mbi baza ekologjike, zhvillimin e të gjitha llojeve të sporteve, si dhe ngritjen e fshatrave turistikë. "Nuk do të jetë e largët dita, kur kjo zonë do të mësyhet me dëshirë nga turistë shqiptarë dhe të huaj", tha ministri Xhuveli, duke vënë në dukje se këtu do të ndikojë dhe zhvillimi e përmirësimi i infrastrukturës rrugore dhe shërbimit, e bazuar mbi konceptin ekologjik. Bjeshkët e Namuna janë valëzim kreshtash malorë në Alpet shqiptare, me lartësi 2400-2500 metra, me gjatësi 12 kilometra dhe me gjerësi 5-7 kilometra. Disa nga majat e larta janë Radohina, Shëniku, Riskli, Shtogu, etj. Bjeshkët e Namuna të Kosovës janë zona malore më e madhe e Kosovës dhe gjenden në pjesën perendimore të saj. Këtu maja më e lartë është Gjergjevica, 2656 metra. Në këto bjeshkë buron Drini i Bardhë dhe disa degë të tjera lumenjsh.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›