Belgjika i jep mbështetje Shqipërisë në procesin e liberalizimit të vizave me BE
Liberalizimi i vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të BE-së ka gjetur mbështetjen e Kryetarit të Parlamentit belg, Patrick Dewal, i cili në një takim që ka pasur me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, ka konfirmuar angazhimin e tij personal për këtë çështje. Dy javë para zhvillimit të Samitit të NATO-s, ku Shqipëria pritet të bëhet anëtare me të drejta të plota e Aleancës, Kryetarja e Kuvendit zhvilloi një vizitë zyrtare dyditore (15-16 mars) në Bruksel dhe takimi me homologun e saj belg, çeli siparin e kësaj vizite. Kryetarja e Kuvendit, falenderoi homologun belg, që vetëm katër javë më parë ratifikoi Protokollin e NATO-s, duke e renditur Belgjikën ndër vendet, që e mbyllën këtë proces me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me procedura të përshpejtuara. Ajo vlerësoi mbështetjen që Parlamenti belg dhe kreu i tij, Deëal ka dhënë në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si dhe mbështetjen për shqiptarët në Kosovë në vazhdimësinë e zhvillimeve të reja politike, ekonomike dhe integruese atje. Në takimin e tyre dy kryeparlamentarët u ndalën në përpjekjet dhe arritjet e realizuara nga Shqipëria, sidomos në ambicien e madhe të qeverisë shqiptare që shqiptarët të lëvizin pa viza në vendet e BE-së. Kryetarja e Kuvendit tha se fakti që 1/3 e shqiptarëve janë jashtë, liberalizimi i vizave është gjëja më e rëndësishme. Kjo, vijoi znj. Topalli, pa dyshim merr angazhimin kryesor të ne politikanëve dhe ambicja më e madhe e jona është projektuar pikërisht në mbylljen e liberalizimit të vizave. Në mbështetje të kësaj, znj. Topalli tha se "Kryetari i Parlamentit belg më premtoi se do të fliste me qeverinë e tij në mënyrë shumë të vendosur, me shumë prioritet, për këtë ambicje të madhe të mundshme për t'u realizuar në një kohë sa më të shkurtër". Sipas saj, mbështetja për procesin e liberalizimit apo heqjes së vizave për shqiptarët, vjen nga një vend që është në zemër të Europës dhe ku janë të përqëndruar të gjitha institucionet kryesore europiane. Kryetarja e Kuvendit u shpreh optimiste, se një hap i mirë me Belgjikën do të jetë një mundësi e jashtëzakonshme për të gjitha vendet e tjera për ta mbyllur procesin e heqjes së vizave të shqiptarëve në një periudhë shumë të shkurtër. Një temë tjetër e bisedës ishte dhe kriza globale ekonomike, ku znj. Topalli shpjegoi se Shqipëria nuk është prekur prej saj. "Doktrina jonë ekonomike rezultoi efikase dhe ne përballuam valën e krizës. Për të përballuar efektet e saj të mundshme në ekonominë tonë, qeveria, Kuvendi dhe institucionet e tjera, kanë hartuar një paketë stimuluese me masa ndihmëse financiare", tha Kryetarja e Kuvendit. Kryeparlamentari belg, vendi i të cilit, u prek në mënyrë të konsiderueshme nga kriza globale, vlerësoi reformat ekonomike të Shqipërisë dhe e vuri theksin në rritjen e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, ku shprehje konkrete, do të jetë rritja e investimeve belge në vendin tonë.
...