E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durresit 4 burgime te perjetshme 181 vjet burg

4 dënime me burgim të përjetshëm dhe 181 vite burg në total për 15 pjesëtarët e Bandës së Durrësit, kërkoi Prokuroria e Krimeve të Rënda në seancën e së hënës.Prokuroria kërkon dënimin me “burg për jetë” për Lulzim Berishën dhe Endrit Doklen, të cilësuar si drejtues të bandës.

Gjithashtu kërkon dënim me burg përjetë dhe për Plaurent Dervishajn e Indrit Taullain. Ndërsa kërkon 25 vite burg për Sardian Sulejmanin e Kujtim Bunën, Altin Ollonin, Elvis Hoxhosmanin, Alban Nelin dhe Selman Hetin. Për Adriatik Colin kërkon 10 vite burg, dhe për Osman Korpuzin, 21 vite burg. Më shumë se 5 orë u janë dashur prokurorëve të lexonin në seancë pretencën me 285 faqe.

Gjyqi ndaj të akuzuarve si anëtarë të Bandës së Durrësit është ndër proceset më të gjata gjyqësore, që janë zhvilluar në gjykatën e Krimeve të Rënda. Ky proces ka njohur shtyrje të herë pas hershme të seancave, për shkak të mungesës së avokatëve mbrojtës, të cilët kanë shfrytëzuar çdo hapësirë ligjore, për të shtyrë sa më shumë procesin.

Mbrojtja e të pandehurve për muaj me rradhë mundën të mbanin peng administrimin e dëshmisë se të penduarit e drejtësisë Adriatik Coli, dikur mik i disa prej të pandehurve, që të rrëfente për krimet e bandës. Pas shumë debatesh e braktisje të sallës së gjyqit, Adriatik Coli e dha dëshminë e tij që konsiderohet edhe si prova më e fortë në proces. Të akuzuarit si anëtarë të bandës së Durrësit, akuzohen për nëntë vrasje, 11 plagosje e akuza të tjera të rënda.

Denada Shkodrani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›