Banda e Durrësit, ‘e dashura’ nxori në pritë Marsel Sotirin
Armand Bajrami
Në një seancë me dyer të mbyllura, Gjykata për Krimet e Rënda u njoh dje me dëshminë e G.Jahos, një nga dëshmitaret e mbrojtura të prokurorisë në dosjen në ngarkim të "Bandës së Durrësit". Dëshmitarja e djeshme është motra e V.Jahos, edhe ajo dëshmitare e mbrojtur në këtë proces. Sipas organit të akuzës, V.Jaho është "përdorur" nga "banda" në vrasjen e Marsel Sotirit në gusht 1999, ngjarje për të cilën akuzohen të pandehurit e bandës. Po sipas prokurorisë, për të mos dëshmuar më pas për dijeninë mbi këtë ngjarje në organet kompetente, V.Jaho është mbajtur peng për 18 muaj. Burime brenda seancës pohuan se dëshmitarja ka treguar për lidhjen dashurore mes motrës së saj dhe Klodian Saliut, aktualisht i vrarë, dhe për njohjen e vajzës më pas me Marsel Sotirin. Dëshmitarja ka thënë se motrës së saj i ishte kërkuar të afrohej me Marsel Sotirin. Ndërsa ditën kur Sotiri u vra, dy motrat Jaho kishin qenë pranë vendngjarjes në një apartament. Gjithashtu, dëshmitarja kishte treguar dhe kontaktet me disa nga të akuzuarit e dosjes gjatë kohës që motra e saj ishte e "izoluar".
DESHMIA
Në një seancë disaorëshe, që përfundoi vetëm me mbarimin e orarit zyrtar të punës në gjykatë, dëshmitarja G.Jaho iu përgjigj dje pyetjeve të palëve. "Në vitin 1999 erdhëm nga Skrapari në Durrës me një pjesë të familjes. Një vajzë vendëse, emri i të cilës nuk më kujtohet, e lidhi motrën time V.Jaho me Klodian Saliun. Klodi i gjeti motrës një punë si rrobaqepëse, për t'i mundësuar daljen nga shtëpia", mësohet të jetë shprehur dëshmitarja. Referuar burimeve, G.Jaho ka treguar më pas se një ditë, teksa ishin te Vollga në Durrës, kanë parë ca makina policie dhe aty pranë automjetin e Klodian Saliut. "Shkoi motra dhe e pyeti. Ishin vrarë aty dy veta, shokë të Klodit. Klodi i kishte thënë motrës që i kishte vrarë hasmi i tyre, Marsel Sotiri me grupin", është pohuar nga dëshmitarja. Sipas burimeve, për episodin e vrasjes së Marsel Sotirit, dëshmitarja ka rrëfyer: "Klodi i ka treguar një foto të Marselit, motrës sime V.Jaho. I ka thënë që duhet të afrohej me të. Po Klodi na prenotoi një dhomë në një shtëpi në plazh. Ishte një shtëpi në drejtimin e pistës 'Iliria'. Nga dritarja e dhomës ku ishim ne, dukeshin shinat e trenit. Motra krijoi afrimitet me Marselin. Një ditë, Marseli na shoqëroi për nga shtëpia në plazh. Unë i lashë ata të ecnin mbrapa. Sa u futëm në shtëpi, dëgjuam krisma. Ne lëvizëm nga shtëpia në plazh, pasi kishim një të sëmurë. Vrasjen e Marselit e morëm vesh nga shpalljet në mur. Atë natë erdhën te shtëpia Klodi Saliu me Indrit Taullain. E morën V. dhe i thanë që: 'rrezikohesh nga policia dhe ai grupi tjetër'. Më siguruan edhe se asaj nuk do t'i prekej asnjë fije floku". Mësohet se në vijim dëshmitarja kishte kontaktuar me motrën e saj V.Jaho në telefon, ku i ishte pohuar që ishte mirë dhe që ishte në Itali. Ndërkohë që, e shqetësuar për mungesën e gjatë të së motrës, dëshmitarja e djeshme kishte kontaktuar me Indrit Taullain. Sipas saj, Taullai kishte folur me G.Jahon dhe për pak ditë, ajo e kishte takuar motrën. Në vijim dëshmitarja ka folur për ndërmjetësime të tjera që kishte bërë për kontaktimin e motrës së saj.