Rrëfen i biri: ǒmë tha Bedri Spahiu në çastet e fundit
Afrim Imaj
Ma bëni hallall! Ndjesa e Bedri Spahiut për viktimat e komunizmit, e bërë publike në fillimin e viteve ‘90, ka qenë shumë më e hershme. Spartak Spahiu, i biri i ish-prokurorit të Përgjithshëm, pohon se i ati është përulur para tyre kur ndante të njëjtën qeli në burgun e Burrelit. Pavarësisht kohës së shkurtër në detyrën e kreut të akuzës, shprehet ai, Bedri Spahiu firmosi disa dënime të rënda, madje dhe kapitale, si ato të gjyqit special, të cilat i quante njollë të errët të personalitetit të tij.
Në fakt, ish -prokurori i Përgjithshëm, në përpjekjet për të revizionuar pjesën e bashkëjetesës me lidershipin komunist, e ka shprehur publikisht faljen për viktimat e diktaturës, duke shënuar rastin e vetëm në këtë sjellje nga tërë plejada e ish-funksionarëve komunist. Megjithatë, shton Spartaku, babai deri në çastet e fundit ndjehej i brengosur për efektin e faljes së tij te pjesa e të lënduarve dhe heshtjen e pashpirt të ish-presekutorëve për krimet e diktaturës. Më tej, në rrëfimin për “Panorama”, i biri i ish prokurorit të Përgjithshëm dhe ish ministrit të Arsimit, që bëri 25 vjet burg dhe jetoi në internim deri në vitin ‘90, tregon shndërrimin e të atit, nga një komunist i flaktë në një antikomunist rebel, raportet e tij me Enver Hoxhën dhe pjesën tjetër të lidershipit komunist, lidhjet vëllazërore me Tuk Jakovën dhe legjendën e dëgjuar nëpër burgje se Bedri Spahiu, kur ishte prokuror i kishte propozuar Tuk Jakovës të arrestonin Enver Hoxhën...
Bedri Spahiu i përket brezit të shqiptarëve të parë që përqafuan idealet komuniste, aty nga mesi i viteve ‘20 dhe pjesën më të madhe të jetës e pati të lidhur me të. A mbeti deri në fund me bindje komuniste dhe çfarë revizionoi te vetvetja pas kalvarit të vuajtjeve dhe preskucionit disa vjeçar?
Kontaktin e parë me idetë komuniste babai e pati në vitet ‘20 në Turqi, ku kishte shkuar si emigrant. Ishte literatura që depërtonte aty ilegalisht nga Kaukazi i ish-Bashkimit Sovjetik, e cila filloi të përqafohet masivisht në mbarë Evropën. Fakti që në të predikohej një jetë më e mirë, përtej vuajtjeve dhe varfërisë, e bëri shpresën e vegjëlisë dhe zhvillimeve progresive. Pikërisht për këtë, ai u përqafua jo vetëm nga shtresat e rrënuara, por dhe nga mjaft intelektualë të vendeve perëndimore. Iluzioni për idealet komuniste do të shkonte kreshendo të paktën në vizionin e babait, deri te ngjarjet e bujshme të Hungarisë të vitit ‘56. Deri në këtë periudhë nga Moska delte vetëm propagandë marramendëse për të cilën ende nuk kishin filluar dyshimet. Fill pas ngjarjeve të Hungarisë, ideali komunist u trondit rëndë dhe mjaft nga intelektualët evropianë bënë divorcin përfundimtar me të. Deri te Plenumi i qershorit 55, babai ishte një komunist fanatik. Madje dhe kur e kryqëzojnë për ta zhdukur, mundohet të mbrohet duke operuar me argumentin se gjithçka e ka bërë në interes të “Partisë sonë të lavdishme”. I palëkundur në bindjen e tij vazhdon madje edhe në periudhën e parë të burgut. Në testamentin e parë që i dërgon Kryeministrit nga qelia, teksa e vë në dijeni për dhunën brutale të ushtruar ndaj të dënuarve, shpreh bindjen se një ditë “antiligjorët”, siç i quan ai, do të ndëshkohen. Shkurt do të thosha se Bedri Spahiu në tërë periudhën e viteve ‘50, mbeti me botëkuptim komunist, me shpresën se edhe gjërat që nuk shkonin mirë, do të rregulloheshin brenda regjimit. Të njëjtën bindje ka ndërkaq edhe në kohën kur i dërgon nga burgu Mehmet Shehut testamentin e dytë. Plasaritjen e parë me ideologjinë komuniste, e shfaq në testamentin e tretë që i dërgon Kryeministrit. Aty nuk shfaqen më ditirdamet për regjimin e diktaturës së proletariatit, besnikëria për vijën e Partisë së Punës, por zhgënjimi i thellë nga to, pendesa që ka qenë skllav i filozofisë komuniste, bashkëfajësia për dëmet e shkaktuara. është ky momenti, kur Bedri Spahiu u kërkon falje kundërshtarëve të dikurshëm, duke ju drejtuar me shprehjen “Ma bëni hallall!”. Pastaj fillon e reflekton, duke arsyetuar aspektet antinjerëzore të ideologjisë dhe praktikës komuniste. Nga ky moment e deri në fund të jetës, arrin të arsyetojë ndryshe, madje të keqen nuk e kërkon te Sekretari i Parë, tek Enveri, siç bënte rëndom në vitet e fundit të burgut, por te thelbi i sistemit që kishte rrënuar vlerat dhe kishte imponuar represionin çnjerëzor...
Pra, Bedri Spahiu ish komunisti i zjarrtë, pas një kalvari vuajtjesh, shprehet hapur kundër regjimit komunist...
Ndoshta përvoja personale në qelitë e burgut e bëri më objektiv në gjykimin e sistemit, por edhe më herët ai ka shprehur rezerva në forma të ndryshme ndaj praktikave të tij. Madje në vitin ‘51, kur ishte me detyrën e Ministrit të Arsimit dhe kulturës kërkoi dorëheqjen, por nuk ja miratuan. Pavarësisht se nuk i shpjegoi arsyet, siç ka treguar më vonë, ato kishin të bënin me mënyrat arbitrare me të cilat operonin disa nga institucionet shtetërore në atë kohë...
Kur doli nga burgu, Bedri Spahiu shprehej hapur kundër Enverit?
Ai u lirua nga burgu në vitin ‘74 dhe përfundoi direkt në internim në Selenicë të Vlorës. Sakaq ne na internuan nga Elbasani në Belsh. Pra për shumë vite jetuam larg njëri-tjetrit. Gjatë kësaj kohe takimet i kishim të pakta dhe në të gjitha rastet në praninë e njerëzve të sigurimit, herë haptaz e herë tinëz. Vonë u bashkuam me të në Dushk të Belshit. Po dhe aty më qëlloi të rri pak me të, pasi në 78 më arrestuan. Mënyra si u shkërmoqëm si familje, hallet e jashtëzakonshme që na pllakosën, nuk na lanë të merreshim me shkaqet e dramës, ca më tepër me diskutime për politikën.
Pas sa vitesh u ribashkuat si familje?
U ribashkuam në Belsh në fillimin e viteve ‘90, kur dola unë nga burgu. Në prill të ‘91 ikim andej dhe vijmë e sistemohemi me një dhomë në Vaqarr të Tiranës. Arritëm më në fund të marrim frymë lirisht, pavarësisht kushteve të vështira të jetesës. Qysh ditët e para na mbuluan vizitorët e shumtë, të njohur e të panjohur. Më kujtohet se ndër të parët trokiti Pjetër Arbnori, ish-shoku i qelisë së babait në Burrel. Pastaj një fluks i madh gazetarësh nga BBC, Zëri i Amerikës, Evropa e Lirë etj.
Gjatë kësaj periudhe, Bedri Spahiu bëhet i pranishëm në media me një profil interesant...
Në fakt babai kishte menduar t’i qëndronte larg medias dhe punonte të sistemonte refleksionet e veta në një libër me kujtime. Që në fillim u interesua në Ministri të Brendshme, për fatin e dorëshkrimeve të sekuestruara në burgun e Burrelit dhe sa ra në gjurmë të tyre ju përvesh punës për t’i sistemuar. Pikërisht në këtë periudhë, aty nga mesi i vitit ‘91, njëra nga të përditshmet e Tiranës, e goditi ashpër me epitete nga më tronditëset, kriminel, inkuizitor, barbar, diktator, xhelat, etj. E lexoi me vëmendje, u indinjua jashtë mase dhe aty për aty i ktheu përgjigje. Në fakt pati edhe më vonë replika të tjera në adresë të tij, të cilat merrnin shkas nga koha kur Bedri Spahiu kishte qenë Prokuror i Përgjithshëm. Babai brengosej me to jo vetëm se shtrembëronin të vërtetën, por se mjaft syresh ishin produkt i ish-zyrtarëve dhe ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit. Në reagim të tyre në fund të vitit ’92, Bedri Spahiu bëri një artikull përmbyllës në të cilin bashkë me përgjigjen ndaj “sampistëve të penës”, siç i quante ai replikuesit e dyshimtë, solli në vëmendjen e opinionit një refleksion të gjatë mbi vitet e diktaturës dhe krimet e saj. Që këtej nuk u mor më me median...
E keni fjalën për artikullin “Bedri Spahiu revizionon Bedri Spahiun”, që botoi në fillim të viteve ‘90...
Në atë artikull, përveç jetëshkrimit të vet, babai u përpoq të bënte një denoncim publik për mekanizmin vrastar të diktaturës. Përjetimet e veçanta si përfaqësues i organeve represive dhe si viktimë e represionit të sistemit, realizonin në një mënyrë origjinale atë që ai e quante “revizionimi i Bedri Spahiut” që fillonte me faljen për vendimet e dhëna gjatë kohës kur ishte Prokuror i Përgjithshëm dhe përvijonte me dramën e tmerrshme të popullit shqiptar nën thundrën e Enverit...
Bedri Spahiu u bë Prokuror i Përgjithshëm me bekimin e Enver Hoxhës. Si e vlerësonte qëllimin e diktatorit për caktimin e tij në krye të institucionit të akuzës?
E para, ai këtë periudhë që zgjati vetëm disa muaj, e quante një njollë të errët të personalitetit të tij. Ndërkaq, sa herë rrëmonte te shkaqet që e kishin shtyrë Enverin për ta bërë Prokuror të Përgjithshëm, shprehej shkurtazi se diktatorit i duhej një injorant nga fusha e ligjeve, për ta vënë në krye të institucionit të akuzës. Babai ishte i ndërgjegjshëm se nuk ishte kompetent për këtë detyrë, madje këtë e kishte shfaqur qysh në kohën kur ja ngarkuan si përgjegjësi. Ai ishte një ushtarak që kishte mbaruar të gjitha llojet e akademive në kohën e Zogut dhe ishte ushtruar si i tillë për disa vite. Në periudhën e luftës bëri detyrën e komisarit dhe të liderit politik për qarkun e Jugut. E tërë lavdia e tij, deri atëherë fillonte e mbaronte me emrin e mirë si komandues i aftë dhe si orator i talentuar...
Megjithë periudhën e shkurtër si Prokuror i Përgjithshëm, Bedri Spahiu ka dhënë disa vendime të rënda, madje dhe kapitale mbi bazën e të cilave janë pushkatuar njerëz të pafajshëm....
Njihet tashmë gjyqi i parë që ka drejtuar Bedri Spahiu menjëherë pas çlirimit. Me vendim të tij janë pushkatuar 17 veta si bashkëpunëtorë të fashizmit. Një ndër ta ka qenë dhe Bahri Omari, që kishte qenë i njohur dhe mik i tij qysh në moshë të re. Babai është shprehur hapur më vonë se ata nuk duhej të pushkatoheshin. Sidoqoftë, sot njerëzit thonë se ata i ka pushkatuar Bedri Spahiu dhe kjo padyshim është e vërtetë, pasi ai ka qenë prokurori i atij gjyqi. Megjithatë, duket vënë në dukje se ato gjyqe më parë i merrnin vendimet në udhëheqjen e partisë dhe prokurori, e gjykatësit në këtë rast nuk bënin gjë tjetër vetëm se legjitimonin zbatimin e tyre. Pra, dora vrastare në këtë rast ishte e sekretarit të Parë, Enver Hoxhës, ai urdhëroi për pushkatimin e tyre...
Enveri urdhëroi edhe për pushkatimin e kunatit të tij, Bahri Omari?
Kjo është katërcipërisht e vërtetë. Kam folur gjatë me babain për këtë çështje. I kam shprehur dyshimet e mija rreth pushkatimit të Bahriut, pasi më është dukur diçka e pabesueshme që Enveri të urdhëronte zhdukjen e burrit të motrës së tij...
Si ua ka shpjeguar babai të vërtetën e pushkatimit të Bahri Omarit?
Kur procesi gjyqësor ishte drejt përfundimit, e shoqja e Bahri Omarit i shkoi në zyrë dhe u interesua për fatin e tij. “Kam dëgjuar se do pushkatohen”, i tha babait. “Kështu është vendosur”, ja ktheu ai duke i kujtuar vendimin e udhëheqjes. “Po Bariu?”, pyeti e motra e Enverit. “Edhe Bariu!”, shpjegoi Bedriu. “Si ka mundësi, çfarë ka bërë, ju e dini mirë zemrën e tij” Sakaq babai i ka nxjerrë nga sirtari i tavolinës urdhrin me firmën e Enverit dhe e ka adresuar tek ai, si e vetmja shpresë për të shpëtuar jetën e të shoqit, pasi të tjerët nuk mund të ndryshonin gjë nga verdikti i tij. Këtë moment dramatik, babai e ka përshkruar me detaje edhe në librin e tij...
Bedri Spahiu ka qenë ndërkaq edhe prokuror në gjyqin e Koçi Xoxes...
Po ka qenë dhe ka bërë të njëjtën gjë si në gjyqin e Bahri Omarit. Ka kumtuar pretencën e hartuar nga kreu i Partisë. Shumë vite më vonë, në përballjen me trupin gjykues për krimin e tradhtisë e të agjitacionit, babai i bëri thirrje prokurorit Siri çarçani, ta merrte akuzën e tij dhe bashkë me atë të Koçi Xoxes, t’i arshivonte si turpin e drejtësisë shqiptare. Këtë e faktojnë edhe dokumentet e procesit, në të cilat është regjistruar dëshmia e Bedri Spahiut se Koçi Xoxe është pushkatuar pa faj! Sidoqoftë, nga ato që më ka treguar babai për dënimin e tij, mund të them se ai ka pasur rezerva qysh në kohën e procesit ndaj Xoxes. Ai më ka shpjeguar se një ditë para se Koçi të arrestohej, shkoi dhe e takoi në shtëpi. Kanë folur aty gjerë e gjatë. I tha se Enveri e penalizonte për disa raste vrasjesh e pushkatimesh pa gjyq. Koçi ishte befasuar dhe aty për aty i kishte pohuar se për çdo syresh kishte zbatuar vetëm urdhrin e Enverit. A i ke urdhrat e Enverit me shkrim?, e kishte pyetur babai duke shpresuar se mund ta shpëtonte. Ku firmos Enveri ndonjë herë për vendime të tilla!, kishte shtuar Xoxe. Si rrodhi më tej kjo histori, tashmë dihet publikisht...
Në fakt Bedri Spahiu për këto vendime ka kërkuar falje publike...
Ndjesa ka qenë e plotë, e ndjerë dhe e sinqertë. Ai duke reflektuar thellë, sidomos për kohën e shkurtër kur ishte Prokuror i Përgjithshëm, ka shprehur pendesë dhe ka kërkuar falje për gjithçka, duke thënë ma bëni hallall. Edhe për gjyqin e parë edhe për atë të Koçi Xoxes...
Të kthehemi pak te miqësia e Bedri Spahiut me Tuk Jakovën. Kur kishte mundësi të rrinte në shoqërinë e Enverit, si ndodhi që zgjodhi miqësinë me Jakovën?
Për Enverin, për karakterin e dyzuar dhe veset e tij, babai ka shkruar gjatë. Ato tashmë janë publike. Fakti që i ndanin shumë gjëra të rëndësishme, tregon shpërfilljen e Bedriut për Enverin. Sa për miqësinë me Tuk Jakovën, ajo ka qenë e hershme që nga vitet e luftës. Te Tuku, përpos një burri shteti me principe, shikonte një mik e shok dinjitoz, njerëzor e bujar. Deri në çastet e fundit të jetës, ai mbajti si diçka të rrallë një kuti të vjetër duhani, të cilën nuk e shqiti asnjëherë nga xhepi. I bleva dikur një të re, duke i thënë se nuk shkonte me atë rrangallë të vjetër. Jo, më tha, edhe të florinjtë të ma sjellësh, nuk e ndërroj se e kam kujtim nga Tuk Jakova. Sakaq, bashkëvuajtësit e tij të burgut të Tiranës më kanë treguar dhe një histori interesante për miqësinë e tyre. Ndodhte shpesh që Tuku gjatë torturave humbiste durimin dhe rebelohej. “Ah bre burra, ç’bëra, thërriste në këtë gjendje, mora në qafë Shqipërinë, mora në qafë familjen, mora në qafë Bedriun”. Kur të tjerët e pyesnin për atë që kishte bërë, ai rrëfente ngazëllyeshëm: “Bedriu kur ishte prokuror më tha të arrestonim Enverin, por unë i mbusha mendjen që të mos e bënte. E bëra, e bëra, thërriste Tuku për ta lënë kular në qafë të shqiptarëve. Ah, unë i gjori!..” Nuk e di në është e vërtetë apo legjendë kjo histori, por di që Bedri Spahiu nuk ka pasur shok tjetër më të afërt se Jakova. Babai e kishte brengë pabesinë me të cilën i morën jetën në spitalin e burgut. Ai thoshte se e lanë të vdiste nga apandesiti...
Ju keni bashkëjetuar me Bedriun deri në çastet e fundit të jetës. Mbani mend ndonjë amanet të tij?
Ai kishte bindjen se pavarësisht vuajtjeve të shumta që kishte kaluar, do të arrinte 100 vjeç. Në fakt vdiq në moshën 90 vjeçe. Për çfarë shqetësohej në momentet e fundit? Brenga e vetme e tij lidhej me atë sa ishte ndjerë falja e tij nga viktimat e komunizmit. Ndërkaq, zemërata që shprehte shpesh, bile edhe çastet e fundit, ishte heshtja cinike e taborit të ish funksionarëve të diktaturës, që asnjëherë nuk morën mundimin t’u kthehen viktimave të tyre, qoftë edhe me një fjalë goje “Më fal!”