"Banda e Durrësit", me grup të ri avokatësh
"Banda e Durrësit" do të përfaqësohet nga një grup i ri avokatësh. Kjo u vendos dje nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda pas mungesës në sallën e kësaj gjykate të disa prej përfaqësuesve të mbrojtjes ligjore të të pandehurve të bandës. Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, shumë prej të cilëve janë arrestuar në këto tre vitet e fundit në operacione e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda. Të pandehurit si anëtarë të "Bandës së Durrësit", akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, mes të cilave, edhe vrasje. Sipas të dhënave hetimore të mbledhura nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, "Banda e Durrësit" ka vepruar vite më parë, nga 1997 deri në fillim të 2005-ës, kryesisht në qytetin e Durrësit. Në fillimet e saj, organizata kriminale pretendohet se drejtohej nga i pandehuri Lulëzim Berisha, ndërsa me kalimin e kohës, banda u përfshi në konflikte mes grupeve rivale brenda saj, duke lënë pas shumë episode kriminale, si vrasje, plagosje, atentate etj., të cilat tashmë janë objekt shqyrtimi për Gjykatën e Krimeve të Rënda.