E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, dy vdekje misterioze në një ditë

Dy persona kanë vdekur në rrethana të paqarta të mërkurën në Elbasan. Një 43-vjeçar nga qyteti i Elbasanit, i cili ishte nisur për të kaluar drekën në një fshat turistik, është gjetur i pajetë në ujërat e një liqeni. Ngjarja është regjistruar rreth orës 17:00 të së mërkurës në fshatin Funarë, rreth 40 kilometra larg qytetit dhe viktima është Neshat Tolaj, banor i lagjes "Çlirimi" në Elbasan. Tolaj ishte për drekë me dy shokë në një lokal të fshatit dhe është çuar nga tavolina me justifikimin se "po shkoj në tualet". Por kur shokët janë shqetësuar nga vonesa dhe kanë shkuar ta kërkojnë, kanë gjetur disa sende të tij në buzë të liqenit, ndërsa vetë Neshati është nxjerrë disa orë më vonë nga palombarët. Një tjetër rast vdekjeje është konstatuar rreth orës 21.30 të së mërkurës, para godinës së Postës në Elbasan. Besim Muça, 64 vjeç, është gjetur i pajetë. Ai bënte jetë prej endacaku dhe zakonisht flinte në stolin e një lulishteje në lagjen "Vullnetari".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›