Zihet babai me vjehrrin, vret veten e reja
Një 31-vjeçare ka tentuar t‘i japë fund jetës, pas një sherri në familje. Protagonistët e një sherri të fortë kanë qenë babai i viktimës dhe vjehrri i saj. Pasojat e këtij sherri janë ndjerë te nusja e shtëpisë një ditë më pas, kur dhe ka marrë vendimin e rëndë. Rreth orës 21.00, e reja M. K. nga rrethi i Durrësit është dërguar e helmuar në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Ndërhyrja në kohë ka mundur ta shpëtojë nga kthetrat e vdekjes, ndërkohë që menjëherë janë njoftuar autoritetet policore për rastin. Nga hetimet e para të kryera prej grupit hetimor i ngritur për këtë rast, rezultoi se viktima është vetëhelmuar me substancën helmuese "Lindon". Paraprakisht nga shqyrtimi i rrethanave në të cilat ka ndodhur ngjarja, hetuesit mendojnë se shkaku i vetëhelmimit ka qenë një konflikt i zhvilluar midis babait dhe vjehrrit të viktimës një ditë më parë. Burimet policore bënë të ditur se aktualisht e dëmtuara ndodhet nën trajtim mjekësor dhe jashtë rrezikut për jetën.