Aksidentohet me vdekje një 65-vjeçar
Një person ka humbur jetën gjatë një aksidenti automobilistik në rrethin e Librazhdit. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18.00 të pasdites së djeshme, në rrugën nacionale Librazhd-Përrenjas. Sipas burimeve të policisë, bëhet e ditur se një mjet tip "Skoda", me targa greke, MNM 5161, është përplasur me murin mbrojtës të rrugës nacionale. Për pasojë është dëmtuar rëndë drejtuesi i mjetit, 34-vjeçari Dionis Koca dhe 65-vjeçari Josif Toka, nga qyteti i Korçës, pasagjer në këtë makinë. Të dy janë shtruar me urgjencë në spitalin e qytetit të Librazhdit me ndihmën e policisë. Të njëjtat burime bëjnë të ditur se i moshuari Toka ka gjetur vdekjen pas një ore në këtë spital. Grupi i ekspertizës ka konstatuar në vendin e ngjarjes se shkak i aksidentit ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara të automjetit. Ndërkohë nuk përjashtohet lagështira në rrugë, si një shkak i rrëshqitjes së mjetit.