E Diel, 1 Nëntor 2026

Banda e Durrësit, peng dëshmia e Colit

Zvarritet procesi gjyqësor kundër anëtarëve të bandës së Durrësit, duke futur procesin në ngërç të tejzgjatur

Procesi kundër bandës ka dështuar për herë të 45-të. Debate të ashpra mes avokatëve dhe gjyqtarëve

TIRANË- Procesi gjyqësor kundër bandës së Durrësit ka hyrë prej kohësh në ngërç, duke penguar dëshminë e të penduarit Adriatik Coli. Gjatë ditës së djeshme dështoi edhe seanca e 45-të, pas një debati mes avokatëve të të pandehurve dhe trupit gjykues. Debati i ashpër mes avokatëve dhe kryesuesit të Gjykatës së Krimeve të Rënda në këtë proces, Gurali Brahimllari, vijoi për shkak se ky i fundit i kishte zëvendësuar tre avokatët e të pandehurve Lul Berisha, Endrit Taullai e Indrit Dokle me avokatë kryesisht, por edhe ky vendim i Gjykatës së Krimeve të Rënda nuk e zhbllokoi procesin gjyqësor.

Shkaku i zëvendësimit të avokatëve të zgjedhur prej të akuzuarve si krerë të bandës së Durrësit ishte braktisja e sallës së gjyqit,javën e kaluar. Por edhe gjatë seancës së djeshme nuk munguan tonet e larta të debatit mes avokatit Riza Icka e gjyqtarit Brahimllari, pasi ky i fundit i kërkoi që të shprehet nëse vazhdon të jetë avokat i të pandehurit Plarent Dervishaj e Endrit Taullaj. Avokat Icka i ulur në karriget ku ndjekin gjyqin pjesëtarët e familjes, u irritua pas përmendjes së emrit të tij dhe kërkoi me ton të ashpër dhe zë të ngritur që mos i përmendet emri nga kryesuesi i gjyqtarëve. “Emrin mos ma përmendni, jam në sallë si një qytetar i thjeshtë, pasi ju më keni përjashtuar dhe nuk ju lejoj të ma përmendni emrin. Kur të revokoni vendimin për kthimin tim si mbrojtës në këtë proces, atëherë do të ulem në vendin e avokatëve dhe ju mund të më thërrisni emrin. Mësojeni e lexojeni ligjin njëherë dhe pastaj më thirrni emrin”,-u shpreh Icka me një ton fyes për gjyqtarin Brahimllari, edhe pse pa lejen e këtij të fundit për të folur.

Në të njëjtën linjë me avokatët e tyre, edhe të pandehurit Lul Berisha, Endrit Taullaj e Indrit Dokle kërkuan nga gjykata të vazhdojnë gjykimin me avokatët e caktuar kryesisht, të cilët kishin munguar në këtë seancë gjyqësore, duke u bërë shkak edhe për ndërprerjen e këtij shqyrtimi gjyqësor për ditën e djeshme. Seanca e kaluar u ndërpre pasi të pandehurit e kësaj “bande” u larguan nga salla e gjyqit, duke mos lejuar të japin shpjegime para gjykatës nga i penduari i “bandës”, Adriatik Coli. Të 16 të pandehurit e kësaj bande akuzohen për një sërë veprash të rënda penale të ndodhur në qytetin bregdetar të Durrësit nga viti 1998 deri në vitin 2005, kur u krye arrestimi i tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›