E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndoka: Pollo, një viktimë që po i kacavirret Berishës

Reagon kryetari i PDK-së, dikur përkrahësi kryesor i Pollos pas largimit nga PD-ja

TIRANË - Kryetari i PDK-së, Nard Ndoka, ka deklaruar dje se bashkimi i reformatorëve me demokratët, tregon në thelb dështimin e Genc Pollos në politikë. Duke kujtuar arsyet e ndarjes midis këtyre dy partive, që asaj kohe, ishte mungesa e demokratizimit të brendshëm të PD-së, Ndoka e quan një dështim rikthimin në këtë parti, ku, sipas tij, nuk ka ndryshuar asgjë brenda saj. Si ish-nënkryetar i PDR-së, por edhe si një nga përkrahësit kryesorë të Pollos, pas largimit nga PD-ja, Ndoka e cilësoi një lëvizje të gabuar shkrirjen, teksa kujton momentin e largimit nga partia. “Pollo doli nga dera e kongresit duke u përjashtuar, duke u anatemuar nga zoti Berisha, duke iu vendosur epitete nga më të ndryshmet për disa vite”, - u shpreh Ndoka. Duke marrë parasysh historinë 9-vjeçare të ndarjes së këtyre dy partive, bashkimi nuk mund të quhet kurrsesi si pasja e një vizioni të përbashkët, ashtu si u interpretua nga të dy krerët e partive. Por, sipas Ndokës, Pollo duke e parë veten jashtë politikës shqiptare, “u përpoq t’i kacavirrej Berishës”. “Kjo është një përpjekje e dështuar e Pollos, i cili është edhe viktima e parë e Kodit Zgjedhor”, - tha Ndoka. Rikthimi i papritur i Pollos brenda PD-së, pa u mbledhur asnjë strukturë e Partisë Demokratike, por njëkohësisht dhe asnjë strukturë e Partisë Demokrate e Re, sipas Ndokës, nuk tregon gjë tjetër veçse një krizë të brendshme, që është duke kaluar PD-ja, e cila kërkon që përmes kësaj lëvizjeje, të sigurojë numrat e nevojshëm për zgjedhjet e ardhshme. Ndërsa kryetari i PR-së, Fatmir Mediu, ka deklaruar dje se, ajo që është më e rëndësishme, qëndron në faktin se e djathta duhet të organizohet që të fitojë zgjedhjet, pavarësisht ndryshimeve që kanë ndodhur këto ditë në kampin e djathtë.   -----------------------------------------------------------------Deputeti i PD-së, Preç Zogaj shprehet se, të rikthyerit, duhet t’i nënshtrohen votës në parti

Zogaj: Kthimi i Pollos, nuk sjell vota për PD-në

TIRANË - Deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, e thotë publikisht se, bashkimi mes dy partive PD-PDR, nuk sjell vota për Partinë Demokratike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Në një prononcim për “Shekulli”-n, Zogaj e ka thënë hapur dhe qartë se nuk është dakord me një nga qëllimet, mbi të cilat u trumbetua shkrirja e dy ditëve më parë, pikërisht me fitoren e zgjedhjeve të ardhshme. Zogaj nuk e sheh aspak si një kartë fituese këtë bashkim dhe se, nëse do të konsiderohej si e tillë, sipas tij, do të ishte një tejkalim i të vërtetës. “Ne kemi pasur momente rikthimesh që kanë sjellë dhe vota shumë dhe kemi momente hapjeje, që janë më shumë psikologjike sesa elektorale. Pra hapja, rikthimet, bashkimet, kanë natyra të ndryshme dhe jo të gjitha sjellin vota, por kanë edheefekte të tjera”, - tha Zogaj. Duke i mëshuar fort kësaj teze, Zogaj shtoi se, për të fituar zgjedhjet, PD-ja ka karta të tjera, që janë me më shumë peshë, siç janë bilanci i qeverisë dhe projektet e saj. “Gjithashtu, PD-së do t’i duhet të gjejë karta të tjera të fuqishme që zgjojnë elektoratin, që motivojnë elektoratin, pra, mbetet për t’u zgjidhur ky problem”, - tha Zogaj.

Katapultimi i Pollos

Deputeti i PD-së, Preç Zogaj, është një ndër të rikthyerit në parti, i cili plot katër vite më parë, iu nënshtrua votimit të strukturave të partisë. Një proces ky që, në bazë të statutit, në fakt duhet të shoqërojë të gjithë ata që kërkojnë të rikthehen në PD. Ndaj, Zogaj shfaq shenja pakënaqësie kur bëhet fjalë për katapultimin e Pollos në strukturat e PD-së. Edhe pse asgjë nuk është bërë publike, fakti që Pollo drejton një nga grupet e punës në zgjedhjen e strukturave të partisë, tregon shumë, pasi një kompetencë të tillë e gëzojnë vetëm anëtarët e kryesisë në PD. “Përsa u përket pozicioneve partiake, ato fitohen me votë, me garë nuk jepen. Shkrirja është pozitive, por tani edhe anëtarët e PDR-së u nënshtrohen rregullave të statutit të Partisë Demokratike. Rregullat e këtij statuti shprehin qartë sesi fitohet një post partiak në këtë parti”, - tha deputeti demokrat, Zogaj. Edhe pse e konsideron pozitive shkrirjen, Zogaj këmbëngul në faktin se, figurat e rikthyera, duhet t’i nënshtrohen votimit, dhe se asgjë nuk duhet të fitohet pa të drejtë. “Duhet të konkurrojnë se, dhe ne që jemi rikthyer më parë, jemi votuar në Kongresin ePartisë Demokratike dhe jemi mbuluar me votë që kemi marrë ndonjë përgjegjësi dhe jo se na është falur kështu, si ndonjë dhuratë”, - u shpreh më tej ai.

--------------------------------------------------------------------------------Kryetari i LZHK-së, Dashamir Shehi, flet për lëvizjen e re brenda PD-së

TIRANË - Arsyeja kryesore e largimit të Genc Pollos nga PD-ja, plot 8 vite më parë, ishte mungesa e demokratizimit të partisë. Megjithatë, pas krijimit të lëvizjes së parë reformatore në ’99-n, që u shndërrua një vit më pas në një parti, për Pollon, situatat ndryshuan shumë. Dy ditë më parë, gjatë nënshkrimit të marrëveshjes, Pollo u shpreh se nuk ekzistonin më ato divergjenca, për të cilat ai u shkëput nga PD-ja. Por, ish-zv. kryeministri Dashamir Shehi, i cili prej vitesh është larguar nga PD-ja, shprehet se, në këtë parti, nuk ka ndryshuar asgjë. Madje, në një deklarim për mediat, ai është shprehur se kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk ka ndryshuar në konceptin e drejtimit, por vetëm duke shtuar dozat e pragmatizmit. Më shumë se sa justifikim të vendimit për shkrirjen në një të dy partive, dikur sulmuese të njëra-tjetrës, Shehi argumenton se Berisha po mbledh votat që ndau në vitin 2005. “Gjykoj se sot Berisha është më oportunist dhe kjo bën që ai të jetë më tolerant, për ato të cilët i binden linjës së tij dhe po ta shohim nuk kemi asgjë të re”,- tha Shehi. Ky i fundit prej vitesh ka qenë një zë oponent ndaj mënyrës së drejtimit, jo vetëm të partisë, por edhe të qeverisë nga ana e kryeministrit Sali Berisha. Shehi është shprehur kohë më parë se nuk do të pranonte një koalicion me Berishën dhe se LZHK-ja ishte e gatshme të dilte e vetme në zgjedhje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›