“Banda e Durrësit”, prokurorët kërkojnë gjykim të pandërprerë
Loja e avokatëve me klientët e tyre të pandehur në “Bandën e Durrësit” vazhdon. Të përjashtuar dy seanca më parë, ata u pranuan sërish për mbrojtjen e Lul Berishës, Indrit Dokles e Indrit Taullajt, duke larguar nga mbrojtja avokatët e zgjedhur kryesisht nga gjykata. Por, seanca e djeshme ishte e destinuar të dështonte sërish, ashtu sikundër ka ndodhur në të gjitha seancat e fundit. Dhe gjithë kjo lojë mes avokatëve, për të shtyrë sa të jetë e mundur ditën kur i penduari Adriatik Coli të dëshmojë para togave të zeza. Por, ashtu si seanca e djeshme, edhe ajo e caktuar për javën e ardhshme do të shtyhet për mungesë të prokurorëve, pasi asnjëri prej tyre nuk do ketë mundësi të jetë i pranishëm. Madje, duke vënë në dijeni për këtë fakt edhe gjykatën, e cila nuk e mori parasysh në caktimin e seancës së radhës. Madje, gjykata as nuk e shqyrtoi dje kërkesën e njërit prej prokurorëve të çështjes, Anton Martini, i cili i shqetësuar për këto shtyrje të njëpasnjëshme, kërkoi gjykim të pandërprerë për “Bandën e Durrësit”, pra gjykim ditë pas dite. Prokurorët e kanë argumentuar kërkesën e tyre, me faktin se për një periudhë prej një viti e gjysmë në sallën e gjyqit nuk ka dëshmuar asnjë person dhe gjyqi po shtyhet seancë pas seance me pretendime nga më të ndryshmet. Por, kryesuesi i trupit gjykues nuk e pranoi kërkesën e prokurorit Martini, duke caktuar si datë gjyqi të enjten e ardhshme, ndonëse morën dijeni për mungesën e prokurorëve. Ky proces gjyqësor është ndërprerë në fazën e dëshmisë së të penduarit Coli, të cilit sapo iu dha mundësia për të folur para gjykatës, tre eksponentë të bandës u larguan në mënyrë demonstrative nga salla e gjyqit bashkë me avokatët e tyre. Avokatët u përjashtuan nga trupi gjykues për largimin dhe u zëvendësuan me tre avokatë kryesisht, për t’u ripranuar sërish në seancën e djeshme. Qysh në fillim të seancës, gjykata pranoi kërkesën e të pandehurve Indrit Dokle, Lulëzim Berisha dhe Indrit Taullai, që të përfaqësohen në këtë gjyq nga avokatët e zgjedhur prej tyre, dhe jo nga avokatët e caktuar nga shteti. Pas kësaj, seanca është ndërprerë për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës Petraq Selmani, i cili përfaqëson të pandehurit Kujtim Buna dhe Indrit Dokle. Avokati përmes një raporti mjekësor justifikonte mungesën e tij në sallën e gjyqit.
Somario
Prokurorët e kanë argumentuar kërkesën e tyre, me faktin se për një periudhë prej një viti e gjysmë në sallën e gjyqit nuk ka dëshmuar asnjë person dhe gjyqi po shtyhet seancë pas seance me pretendime nga më të ndryshmet
Somario
Prokurorët e kanë argumentuar kërkesën e tyre, me faktin se për një periudhë prej një viti e gjysmë në sallën e gjyqit nuk ka dëshmuar asnjë person dhe gjyqi po shtyhet seancë pas seance me pretendime nga më të ndryshmet