Burgje; Të miturit, takimi për t’u njohur me të drejtat e tyre
“Jemi të pafajshëm, na akuzojnë kot”. Kjo është shprehja që dëgjon nga pjesa më e madhe e të miturve në paraburgimin “Jordan Misja” në kryeqytet. Gjatë një takimi të zhvilluar dje në këtë burg, disa nga të miturit e kontaktuar shprehen se janë arrestuar kryesisht për veprat penale të “vjedhjes”. Mes tyre nuk ishin më Saelo Stojani, i njohur si një nga të miturit më problematikë derisa mbushi moshën, pasi ishte transferuar në burgun e Bënçës, për shkak të një procesi gjyqësor që është duke u zhvilluar në Gjykatën e Tepelenës, si dhe Aleksandri, shoku i Markeljan Cungut, ky i fundit i njohur si Arsen Lypeni për numrin e madh dhe stilin e vjedhjeve. 27 të miturit ishin mbledhur dje për të shprehur fjalën e tyre, çfarë ata kërkojnë dhe këtë e kanë deklaruar me zë të lartë. Dikush deklaroi se ishte dënuar kot për një vrasje që nuk e kishte kryer, tjetri mundohej të argumentonte pse akuzohej më kot për përdhunimin e së dashurës, ndonëse në këtë veprim kishte qenë së bashku me një tjetër të mitur, tashmë nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit. Një nga të miturit që e ka ngritur më tepër zërin në këtë takim ishte Edmir Shehu, i akuzuar për vjedhje banke, nën hetim për veprën penale të “grabitjes së bankës”. “Jam i pafajshëm. Dua të gjykohem sa më parë dhe të përfundojnë hetimet. Nuk kam grabitur asnjë bankë”, - deklaroi ai, duke shtuar se është rrahur nga policia dhe e kanë detyruar të firmosë diçka që as e ka lexuar dhe nuk dinte çfarë ishte shkruar brenda. Disa kanë qenë edhe më të guximshëm për të pranuar fajet e tyre. Një prej tyre ishte edhe një 14-vjeçar, një tjetër shok i 11-vjeçarit Markeljan Cungu, me të cilin akuzohet se ka vjedhur një makinë. “Më kapën bashkë me Markeljanin për një makinë që vodhëm”, - shprehet ai, duke shtuar se vetëm ai përfundoi në burg, pasi shoku i tij nuk ka mbushur moshën. Të gjithë bashkë, të miturit u njohën me të drejtat që kanë, si dhe Konventën për të Drejtat e Fëmijëve, nëpërmjet aktivitetit të mundësuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe qendra “Fëmijët Sot”.