E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë-Athinë, zgjidhet çështja e varrezave greke në Shqipëri



Çështja e varreve të shumëpërfolura të ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri, gjatë luftës italo-greke në fillim të viteve ‘40 ka marrë një zgjidhje, duke shënuar një sukses të diplomacisë së vendit tonë. Burime nga Ministria e Jashtme thanë se ishte përcaktuar që të vendosej vetëm një varrezë nga tre të kërkuar, ndërsa do të mbetej ashtu siç ishte një varrezë e vogël aktuale. Sipas burimeve, të gjithë ushtarët grekë të rënë në Shqipëri do të varrosen në një varr të vetëm në Këlcyrë.

Arritja e një marrëveshjeje mbi varret e ushtarëve është edhe zgjidhja e njërit prej problemeve më të mprehta mes Tiranës dhe Athinës dhe tejkalimi i këtij problemi pritet të çojnë në një përmirësim të fortë të marrëdhënieve mes dy vendeve. Dihej se pala greke pak vite më parë kishte kërkuar fillimisht tre vende varrimi, por vetëm këto ditë është rënë dakord për ndërtimin e vetëm një vendi, që do të mbledhë të gjitha eshtrat e të rënëve grekë në Jugun e Shqipërisë. Po ashtu marrëveshja ka paracaktuar lënien të paprekur të njërit prej varreve të ndërtuara tashmë. Burimet thanë se bëhej fjalë për një varrezë ekzistuese në fshatin Bularat, me 56 varre, e cila do të mbetet ashtu siç është.

Historia e varrezave të ushtarëve grekë është hapur prej disa vitesh dhe ka pasur disa herë debate mbi arsyet e kërkimit të saj dhe format që ajo do të merrte. Nga ana e saj, pala greke kishte theksuar se për të kishte rëndësi zgjidhja e kësaj çështjeje dhe ishte një ndër pikat që ajo këmbëngulte edhe në ecjen para të marrëdhënieve mes dy vendeve. Shpeshherë varret e ushtarëve grekë të rënë në luftë me Italinë e Musolinit, u shndërruan nga media në problem, sidomos pas zbulimit të disa zhvarrosjeve të kryera nga një prift në një fshat të Përmetit, ku rezultoi se eshtrat e nxjerra nuk u përkisnin ushtarëve grekë, por banorëve të zonës. Megjithëse, zhvarrosja nuk ishte kryer nën vëzhgimin apo me kërkesën e qeverisë greke, por bëhej fjalë për një punë të nisur dhe financuar privatisht ajo u përcoll si një “sulm”. Pas kësaj përplasjeje, të dyja palët ishin të detyruar të punonin në tejkalimin problemeve të ngjashme dhe një marrëveshje shtetërore u pa e nevojshme për të nderuar ushtarët grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore.

Shqipëria, atëherë e pushtuar nga Italia, u shndërrua në fillim të viteve 40’ një fushë betejë mes ushtrive fashiste të Musolinit dhe atyre greke, që mbroheshin nga një agresion italian i nisur duke shfrytëzuar territorin e Shqipërisë. Thyerja e italianëve u shoqërua edhe me një tërheqje të tyre, ndërsa ushtria greke i ndoqi ata edhe përmes territorit të Shqipërisë, në të cilin u zhvilluan edhe një pjesë e betejave.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›