E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagojnë burgjet: Raporti i KSHH-së, konstatime jo të drejta

Reagon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve lidhur me një raport të dërguar nga KSHH, lidhur me gjendjen në katër burgje të vendit, i cili është bërë publik disa ditë më parë në media. Sipas burgjeve, disa çështje të ngritura nga ky komitet nuk janë të konstatuara drejt. Lidhur me mbipopullimin, edhe vetë kreu i burgjeve është shprehur se ka mbipopullim, duke e ngritur shpesh atë si shqetësim. Ndaj dhe burgjet nuk e konsiderojnë një konstatim të këtij komiteti mbipopullimin, por një shqetësim të evidentuar edhe prej vetë atyre dhe që po i jepet zgjidhje, ku vetëm gjatë 2008 me investime të Bashkimit Evropian dhe Qeverisë Shqiptare janë vënë në funksion tre institucione të reja penitenciare (Vlorë, Fushë-Krujë dhe Korçë) dhe në fund të dhjetorit do të hapen edhe dy të tjera (Durrës dhe Kavajë). Sipas reagimit zyrtar, për vitin 2009 do të ndërtohen dy burgje të reja, një në Shkodër dhe tjetri në Fier me një kapacitet prej më shumë se 550 personash secili. Gjithashtu, Ministria e Drejtësisë ka përfunduar draftin për disa ndryshime të “Kodit Penal” dhe ligjit “Për Ekzekutimin e Vendimeve Penale”, me synim vendosjen e sistemit të provës dhe dënimit alternativ. Të gjitha këto iniciativa janë zbutur dhe po i japin zgjidhje problemit të mbipopullimit. Në fillim të vitit 2008 mbipopullimi ka arritur shifrën 1251, ndërsa në nëntor të 2008-s janë 900 të dënuar mbipopullim. Lidhur me inspektimin në burgun e Shën Kollit, në raport thuhej se ka mbipopullim. “Është për t’u bërë me dije se ky institucion është nën kapacitet. Kapaciteti i këtij institucioni është 266 të paraburgosur dhe në këtë institucion ndodhen 204 të paraburgosur. Për sa i përket mungesës së tualeteve në dhoma, në vitin 2006 në burgun e Lezhës është bërë një investim me vlerë 27.978.000 milionë lekë, ku janë ndërtuar tualetet në çdo dhomë dhe është bërë instalimi i ujit të ngrohtë për të gjithë godinën”, - vijojnë sqarimin burgjet, duke shtuar se “për mosfunksionimin e kutive postare është realizuar nisma e fundit në bashkëpunim me Avokatin e Popullit dhe OSBE-së, ku janë inauguruar kutitë e para postare në burgun Vaqar. Kjo nismë do të realizohet në të gjitha burgjet e vendit. Megjithatë, kjo nuk do të thotë që personave me liri të kufizuar u është mohuar apo i ka munguar korrespondenca me familjarët, zyrtarë apo media”. Ndërsa lidhur me përmendjen e faktit se aty ishte organizuar edhe një grevë, burgjet sqarojnë se “në këtë institucion nuk ka pasur grevë nga të burgosurit, por thjesht është refuzuar ushqimi i institucionit dhe të dënuarit kanë pranuar ushqimin e familjarëve të tyre”.

Burgu Fushë-Krujë

Mbipopullimi ishte përmendur edhe si fenomen në IEVP Fushë-Krujë. Vetëm në ditët e fundit nga ky institucion janë transferuar 23 persona, në kuadër të rishpërndarjes së të dënuarve me rastin e hapjes së institucioneve të reja. Në Fushë-Krujë ishte ngritur edhe problemi i mungesës së sanitarëve në ambientet e takimit me familjarët. Në këtë institucion janë punësuar dy të dënuar si sanitarë për pastrimin e ambienteve të takimeve me familjarët. Ndër ta, sipas reagimit të burgjeve, është dhe Shpëtim Zizi, i cili sipas ekspertizës mjeko-ligjore rekomandohej mjekimi dhe mund të qëndronte në këtë institucion, pa qenë nevoja të dërgohej në një institucion të specializuar. Në burgun e Fushë-Krujës janë të punësuar 3 mjekë të specializuar, 2 psikologë dhe 7 ndihmës-mjekë. Pra, është një staf me shërbim 24 orësh, të cilët i ofrojnë të dënuarve një shërbim shëndetësor cilësor. Pra, nuk mund të pretendohet se në këtë institucion mungon ofrimi i shërbimit shëndetësor. Gjithashtu, është në politikën e DPB-së që çdo vit të rrisë numrin e stafit shëndetësor, sipas nevojave në mjekë, psikologë apo sociologë në të gjitha burgjet në vend.

Burgjet në Tiranë

Në lidhje me dy institucionet e tjera të inspektuara, “Ali Demi” dhe “Jordan Misja”, është e vërtetë që kushtet infrastrukturore të ofruara janë të një niveli të dobët. Për t’i dhënë zgjidhje këtij problemi, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është duke përfunduar hartimin e projektit për rikonstruksionin e ambienteve në burgun Rrogozhinë. Pas përfundimit të rikonstruksionit të ambienteve në këtë institucion, seksioni i burrave në burgun “Ali Demi” do të transferohet në Rrogozhinë. Burgu “Ali Demi” do të shërbejë si institucion vetëm për femra, pjesë e së cilës do të jenë edhe të paraburgosurat në paraburgimin “Jordan Misja”. Rikonstruksioni i plotë i kampit të vuajtjes së dënimit “Ali Demi” do të bëhet brenda vitit 2009. Në bazë të marrëveshjes së lidhur me Agjencinë e Shëndetit Publik dhe DPB-ve është bërë e mundur prezenca dhe zhvillimi i vizitave gjinekologjike për gratë nga 4 mjekë të ambulancës 1 dhe 4. Pra, sipas burgjeve, ky shërbim nuk mungon në burgun “Ali Demi”, siç përmendet në raportin e inspektimit. Si përfundim, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është duke ndërmarrë të gjitha iniciativat, për të ndryshuar situatën e sistemit penitenciar në Shqipëri. DPB-ja mirëpret rekomandimet e çdo organizate për të përmirësuar këtë sistem, por që të jenë të konstatuara drejt dhe të mirëinformuar në lidhje me ndryshimet dhe projektet që janë ndërmarrë për reformën në sistemin e burgjeve.

Detaj

900 të dënuar janë mbipopullim në vitin 2008 në burgje, krahasuar me vitet e mëparshme

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›