E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Banda e Durrësit”, vazhdojnë zvarritjet e procesit gjyqësor

Vazhdojnë zvarritjet në procesin gjyqësor të “Bandës së Durrësit”. Me cilësinë e të pandehurit ne kete proces janë marrë nga prokuroria 16 persona, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, ndër të cilat disa vrasje të ndodhura vite më parë. 

DURRES - Seanca gjyqësore e së enjtes ndaj "Bandës së Durrësit" është shoqëruar me debate të shumta mes palës së akuzës dhe asaj mbrojtëse. Shkak është bërë dorëzimi para Gjykatës së Krimeve të Rënda të një raporti mjekësor, që justifikonte mospraninë e njërit nga avokatët mbrojtës në proces për shkak të gjendjes shëndetësore.
Nisur nga kjo, përfaqësuesi i akuzës pretendoi se mosprezenca e palës mbrojtëse po zvarrit procesin ndaj "Bandës së Durrësit". Ndërkohë që, disa avokatë të pranishëm në sallën e gjyqit, e konsideruan të justifikuar mospraninë e kolegut të tyre.
Debate të tjera janë bërë edhe për kërkesat e disa të pandehurve për procedimin e tyre veçmas nga Gjykata me pretendimin se në proces janë të akuzuar shumë persona dhe rrjedhimisht edhe shumë avokatë, çka ka pasur ndikim në zvarritjen e gjyqit.
Por, kërkesa është kundërshtuar nga Prokuroria dhe më pas edhe nga Gjykata, e cila argumentoi se të pandehurit akuzohen për të njëjtat vepra penale të kryera në kuadër të organizatës kriminale dhe për këtë duhet të procedohen së bashku. Për të përshpejtuar këtë proces, Gjykata ka pranuar kërkesën e organit të akuzës për zhvillimin dy herë në javë të seancave gjyqësore.
Me cilësinë e të pandehurit si anëtarë të "Bandës së Durrësit" janë marrë nga prokuroria 16 persona, të cilët akuzohen për disa vepra të rënda penale, ndër të cilat disa vrasje të ndodhura vite më parë në Durrës.
Shumë prej të akuzuarve si anëtarë të kësaj bande janë arrestuar në vitin 2005 në operacione të organizuara nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, periudhë kjo që shënon fundin e veprimtarisë kriminale të saj.

(O.Zh/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›