E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjirokastër, banorët grevë nën gërmadhat e pallatit

Banorët e pallatit të shembur në Gjirokastër kanë hyrë nën gërmadha duke mos hequr dorë deri në zgjidhje të kërkesës së tyre. Bashkë me gratë dhe fëmijët, grevistët kanë kërkuar të bllokojnë rrugën nacionale Gjirokastër-Kakavijë. 

GJIROKASTËR- Duke filluar që prej orëve të para të ditës së sotshme 10 kryefamiljarët e pallatit të shembur në lagjen “11 Janari” të qytetit të Gjirokastrës, të cilët ishin ngujuar në grevë urie, tashmë kanë kaluar nën rrënojat e mbetura të këtij pallati. Situata është e rënduar, ata janë të irrituar që pas ditës së djeshme ku u është komunikuar një vendim i qeverisë në lidhje me dëmshpërblimin që do të merrnin për banesat e tyre. Shkak i këtij irritimi është bërë skema dëmshpërblimit e paraqitur për banorët nga kryetari i Partisë Demokratike të degës Gjirokastër Bexhet Çobani, ku shuma e përcaktuar është përgjysmuar në krahasim me atë se çka është premtuar që në fillim për banesat e tyre. Ky irritim ka bërë që gjatë ditës së sotme banorët të braktisin grazhdin në të cilin ishin të ngujuar prej 4 ditësh dhe të futen nën rrënoja, duke marrë me vete dhe familjet e tyre. Për momentin ata janë të vendosur nën rrënoja duke protestuar. Pas këtij vendimi i cili ka qenë mjaft i rëndë për ta, ata kërcënojnë se do të bllokojnë dhe rrugën nacionale Gjirokastër- Kakavijë si dhe gjatë ditës së nesërme do të protestojnë para institucioneve të Bashkisë dhe Prefekturës së Gjirokastrës. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›