Banda e Lushnjës, avokatët debate me gjyqtarët
Tiranë - Avokatët e bandës së Lushnjës kanë bërë dje debate të ashpra me kolegjin penal të Krimeve të Rënda. Gjatë seancës së radhës, ku pritej të dëshmonin 12 dëshmitarë të akuzës, një prej avokatëve ka kundërshtuar dëshminë e njërit prej tyre. Sipas avokatit Vladimir Meçe, nuk ka se si të merret dëshmia e një personi i cili ka vetë probleme me drejtësinë. Duke mos gjetur një gjuhë të përbashkët me gjyqtarët, avokatët kanë kërkuar përjashtimin e trupit gjykues duke e cilësuar gjykimin e tij si të njëanshëm. Pas kësaj kërkese, kolegji penal ka ndërprerë procesin gjyqësor për të nisur sërish pas shqyrtimit të kërkesës së avokatëve. Në procesin e bandës së Lushnjës janë të pandehur 7 persona, mbi të cilët rëndon akuza e kryerjes së një sërë veprash penale të kryera vite me parë në Lushnjë. Procesi gjyqësor ndaj tyre ka nisur më 4 maj të vitit të kaluar, por për një vit me radhë gjykata i ka shtyrë seancat për arsye të mungesës së avokatëve si dhe preferencave të të pandehurve për trupin gjykues, që është ndryshuar disa herë. Ky është grupi i të pandehurve të ish- bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare, i cili është në proces gjykimi në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi.
Mbeten në burg studentët e eurove false
Tiranë - Gjykata e Tiranës i riktheu dje në qeli të katër studentët e arrestuar pak ditë më parë. Gjatë masës së sigurisë, asnjëri prej tyre nuk ka preferuar të flasë mbi pozicionin që kanë mbi akuzat. Përfaqësuesi i akuzës ka kërkuar masën “arrest me burg” për Ervis Toskun, 23 vjeç, lindur e banues në Tiranë, Shyqyri Dushkun, 23 vjeç, lindur në Skrapar dhe banues ne Tiranë, Bedri Nokën, 24 vjeç, lindur në Kukës e banues në Selitë Tiranë, student pranë një fakulteti privat në Tiranë, Kliti Zykën, 20 vjeç, lindur në Skrapar, student pranë një fakulteti privat në Tiranë, dhe Rogert Karaj, 23 vjeç, lindur e banues në Tiranë. Pas një hetimi disamujor, në drejtimin e Task-Forcës së Krimit Financiar dhe Korrupsionit, duke përdorur metodat speciale të hetimit, u arrit dokumentimi i veprimtarisë kriminale të tyre, të cilët dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime të kundërligjshme për shpërndarje të eurove të falsifikuara. Dyshohet se shuma e konsiderueshme e eurove të falsifikuara hynte nga Maqedonia, me synim këmbimin me valuta të tjera në tregun e valutës në Tiranë.
11 Tetor 2008