E Shtunë, 31 Tetor 2026

Invalidët protestojnë përpara Kryeministrisë



Invalidët kanë protestuar dje përpara Kryeministrisë
për plotësimin e kërkesave të tyre. Ata i janë drejtuar me megafon kryeministrit të vendit, Sali Bersiha duke i ripërsëritur edhe njëherë kërkesat. Më pas, invalidët të drejtuar edhe nga kreu i shoqatës së tyre kanë bllokuar rrugën kryesore në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Pas kësaj proteste, invalidët do të nisin protesta masive që do të pasohen me grevë urie pa afat deri në plotësimin e kërkesave. Pak kohë më parë kreu i shoqatës së invalidëve Ali Plaka bëri të ditur për gazetën “Albania” se afati i fundit që i kishin vendosur qeverisë për të kthyer një përgjigje ishte data 10 tetor, pikërisht dita e djeshme. Sipas tij, qeveria jo vetëm që nuk ka mbajtur asnjë premtim për invalidët, por edhe i ka mashtruar. Në një peticion të dërguar Ministrisë së Punës dhe kryeministrit të vendit Sali Berisha që në datën 10 të muajit të kaluar, kryesia e Shoqatës së Invalidëve ka parashtruar gjashtë kërkesat më emergjentë të kësaj kategorie. Rritja e paketës higjiene-sanitare në masën 30 mijë lek në muaj është kërkesa e parë e invalidëve. Ndërkohë që një problem tjetër po aq shqetësues për këtë pjesë të shoqërisë është edhe njohja e siguracionit të shërbyesit si vjetërsi pune. Kërkesat e tjera të paraqitura në peticionin e dërguar dy dikastereve të shtetit kanë të bëjnë me: Rritjen e karburantit në masën 80 litra në muaj për paraplegjikët e aksidentuar me dëmtime në shtyllën kurrizore; Çështjen e strehimit, që nënkupton sigurimin e banesave falas nga qeveria, siç ndodh në vendet europiane; Rritjen e përfitimit të kujdestarisë sipas rrogës minimale; Dhe së fundi, dhënien e një godine në bregdetin e Durrësit apo Shëngjinit për Paraplegjikët. Moszbatimi i kërkesave i ka detyruar invalidët që të mos qëndrojnë më në pritje, por të ndërmarrin hapa të tjerë për zgjidhjen e këtij problemi.

Kërkesat e paraqitura
Rritja e paketës higjiene-sanitare në masën 30 mijë lek në muaj
Njohja e siguracionit të shërbyesit si vjetërsi pune
Rritja e karburantit në masën 80 litra në muaj për paraplegjikët e aksidentuar me dëmtime në shtyllën kurrizore
Çështja e strehimit, që nënkupton sigurimin e banesave falas nga qeveria, siç ndodh në vendet europiane
Rritja e përfitimit të kujdestarisë sipas rrogës minimale
Dhënia e një godine në bregdetin e Durrësit apo Shëngjinit për Paraplegjikët

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›