E Diel, 1 Nëntor 2026

Raporti i BSH-së: “Bizneset dhe ndërtimi janë në krizë për shkak të rritjes së kostove”



Ervin Koçi

“Bizneset vendase të prodhimit dhe të ndërtimit po përballen me krizën e mbijetesës, e cila i ka detyruar shumë prej tyre të punojnë me bilance negative”. Të dhënat e fundit vijnë prej raportit më të fundit të Bankës së Shqipërisë dhe tregojnë se sipërmarrja private në vend po merr kredi për të paguar punonjësit, faturat e taksave dhe të detyrimeve të tjera dhe për ta çuar përpara aktivitetin privat. Kjo vjen në një kohë kur qeveria propagandon zhvillimin e biznesit dhe lehtësimin e tij nga shumë taksa dhe burokraci, por që në fakt e vërteta është krejt ndryshe, pasi sipërmarrja po përballet me krizën e mbijetesës. Të dhënat e fundit të BSH-së tregojnë se “bizneset marrin kredi kryesisht për të plotësuar nevojat e aktivitetit të përditshëm, si pagat e punonjësve, pagesën e faturave etj., pra për të mbijetuar”. Ekspertët e BSH-së kanë evidentuar se, “bizneset i drejtohen sistemit bankar për të marrë kredi, si e vetmja mënyrë për të pasur likuiditet për ta çuar përpara aktivitetin privat”. Sipas BSH-së, në raport theksohet se, “në pjesën më të madhe të kredisë (në mbi 48 për qind të saj), bizneset e përdorin atë për të mbuluar nevojat e tyre për likuiditet dhe vetëm 22 për qind e kredisë shkon për investime në pasuritë e paluajtshme”. Gjendja e vështirë e biznesit i ka detyruar dhe bankat private që të bëjnë seleksionime në fushat ku kreditojnë.

Sektorët më të kredituar

Sektorët e tregtisë, të ndërtimit dhe të industrisë thithin rreth 77 për qind të kredisë për biznese. Në raportin e fundit BSH-ja saktëson se, “gjatë 7 muajve të kaluar, kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore mesatare prej 40.6 për qind, për 7-mujorin e parë të vitit”. Kontributin kryesor e ka dhënë kredia për biznese, por në muajt e fundit është vërejtur një rritje më e theksuar e këtij kontributi kundrejt atij të dhënë nga kredia për individë. Nga ana tjetër, kredia për individë në terma vjetorë është rritur mesatarisht me 51 për qind, për periudhën janar-korrik 2008. “Megjithatë, rritja e kredisë për individët është karakterizuar nga një tendencë rënëse, duke arritur në 44.3 për qind në muajin korrik, nga 57.5 për qind që ishte në fund të vitit 2007. Ky ngadalësim i ndjeshëm i atribuohet në një masë të madhe ngadalësimit të kredisë për konsum”,- shpjeguan ekspertët e BSH-së. Nga ana tjetër, kredia për pasuri të paluajtshme, e cila përbën rreth 66 për qind të portofolit të kredisë për individë, ruan ritme të larta rritjeje, duke dhënë kontributin më të madh në rritjen e këtij portofoli. “Qëndrueshmëria e ritmeve të larta të kredisë për pasuri të paluajtshme për individët, si dhe përshpejtimi i asaj për biznese, kanë rritur peshën e kësaj kredie, duke e çuar në nivelet 12.5 për qind ndaj PBB-së, 2 pikë përqindjeje më shumë se në fund të vitit 2007”, - thuhet në raport. Ekspertët e BSH-së vlerësojnë se në 6-mujorin e parë të vitit 2008 kërkesa e bizneseve dhe individëve për hua nga bankat është vlerësuar si pozitive, por me prirje në ulje.

Kredia në valutë

Sa i përket kreditimit në valutë të huaj, faktori kryesor që ka nxitur kërkesën e bizneseve ka qenë diferenca në normat e interesit. “Bankat kanë paraqitur si faktor tjetër të rëndësishëm, lëvizjet në kursin e këmbimit apo të normës së interesit”,- nënvizon raporti. Sa i përket faktorëve që kanë nxitur kërkesën e individëve për kreditim në valutë të huaj, çmimet e të mirave të blera, të shprehura në valutë të huaj dhe diferenca në normat e interesit, janë dy faktorët me ndikimin më të theksuar.

Shërbimet

Ekspertët vlerësojnë se ky profil tregon një rritje tepër të shpejtë të sektorit të shërbimeve dhe sugjeron se ky është aktualisht sektori më dinamik i ekonomisë vendase. “Rritja prej rreth 40 për qind e shitjeve, në tremujorin e parë të vitit 2008 është e njëjtë me rritjen vjetore të shitjeve për të gjithë vitin 2007, ndërkohë që rritja vjetore ka ardhur duke u përshpejtuar gjatë 4 viteve të fundit”,- thotë raporti. BSH-ja vlerëson në raportin e saj se disa lloje shërbimesh kanë shënuar norma relativisht të larta të rritjes së çmimeve, rreth 4 për qind në terma vjetore. “Këto janë reflektuar në normën e rritjes së vlerës së shitjeve”, - nënvizon raporti. Prodhimi në tërësi deri në fund të tre muajve të parë të vitit ka regjistruar ritme të larta rritjeje në nivel vjetor. Sektori i tregtisë, hoteleve dhe restoranteve, sipas treguesit të shitjeve, ka vazhduar të rritet me rreth 20 për qind, duke qenë pranë ritmeve vjetore të 3-4 viteve të fundit.

Ndërtimi, përmirësim gradual pas krizës së 2007-s

Sektori i ndërtimit, sipas treguesve të publikuar deri në shtator 2008 në raportin e BSH-së, po paraqet një përmirësim gradual ndaj situatës jo pozitive të vitit 2007. Edhe numri i lejeve për ndërtime të reja gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2008 është rritur ndjeshëm, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. “Megjithatë, gjatë kësaj periudhe ky tregues mbetet rreth 50 për qind më i ulët sesa mesatarja historike e 3-mujorëve të parë të viteve 2003-2007”,- sqarojnë ekspertët. Kontributin më të lartë në rritjen vjetore të lejeve të reja për ndërtim, për 3-mujorin e parë të vitit e kanë dhënë lejet për ndërtimin e banesave. “Këto kanë përfaqësuar rreth 64 për qind të numrit të përgjithshëm të lejeve të ndërtimit”, - thuhet në raport. Vlera e parashikuar e ndërtesave të reja sipas lejeve të ndërtimit të dhëna gjatë 3-mujorit të parë të vitit 2008, pati një rritje vjetore me rreth 50 për qind. “Rreth 90 për qind e këtyre fondeve do të përdoren për ndërtimin e objekteve të banimit dhe 10 për qind për ndërtesa të tjera ku përfshihen ndërtesa tregtare, ndërtesa industriale e të tjera”,- nënvizojnë ekspertët.

Ngërçi në ndërtim, shkak është rritja e kostos së materialeve

Sektori i ndërtimit në vend po vuan pasojën e shtrenjtimit të materialeve të ndryshme të ndërtimit si pasojë e krizës globale ekonomike. Indeksi i Kushtimit të Ndërtimit u rrit me 1.3 për qind në 3-mujorin e dytë të vitit 2008, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. “Faktori kryesor në rritjen e këtij treguesi është rritja me 2.2 për qind e shpenzimeve direkte ku shpenzimet për materiale elektrike, ato për paga dhe të transportit u rritën me përkatësisht 7.5, 5 dhe 2.5 për qind në terma vjetorë”, - thuhet në raport. Rritja e çmimit të materialeve të ndërtimit u ka kushtuar shtrenjtë kompanive të ndryshme, të cilat nëpërmjet Shoqatës së Ndërtuesve kanë kërkuar indeksim. Ndërkohë, raporti i Bankës së Shqipërisë vlerëson se, “fitimet e parashikuara në këtë periudhë pësuan një rënie prej 1 për qind”. Objektivat e buxhetit diktojnë rritjen e ritmit të realizimit të shpenzimeve nga ana e qeverisë për periudhën e mbetur të vitit.

11 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›