Meta: “Zgjedhjet në rrezik nëse KQZ-ja përbëhet vetëm nga PS-ja dhe nga PD-ja”
Shaban Sulçe
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, ka paralajmëruar se ndershmëria e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të vitit 2009 është vënë seriozisht në rrezik. Sipas Metës, procesi i ardhshëm zgjedhor do të vihet në pikëpyetje për shkak të makinacioneve të dy partive kryesore, PS-së dhe PD-së, si dhe mënyrës aspak transparente me të cilën po realizohet reforma zgjedhore. Kryetari i LSI-së kundërshtoi çdo propozim për përbërjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve vetëm me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike. Meta tha se nëse ndodh një gjë e tillë, do të kemi të bëjmë me një KQZ të paligjshme, ndërkohë që ai theksoi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet të përbëhet nga të gjitha forcat politike.
KQZ-ja
Kryetari i LSI-së tha se heqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Kushtetuta nga dy partitë kryesore, të cilat votuan për ndryshimin e Kushtetutës, ishte shprehje e qartë e planit të tyre për të monopolizuar këtë institucion si dhe për të goditur procesin zgjedhor në Shqipëri. Kryetari i LSI-së tha se në rast se KQZ-ja do të përbëhet vetëm nga përfaqësuesit e dy partive, PS dhe PD, ai do të jetë një institucion i paligjshëm dhe ndershmëria e zgjedhjeve të ardhshme do të vihej seriozisht në rrezik. “Ne mendojmë se në çdo rast KQZ-ja duhet të jetë gjithëpërfshirëse, që do të thotë se në çdo rast një KQZ PD-PS është një KQZ e paligjshme. Sepse, dua t’ju kujtoj juve dhe gjithë opinionit publik që në zgjedhjet e fundit të përgjithshme vendore, PD-ja dhe PS-ja së bashku kanë marrë 43 për qind të votave të qytetarëve shqiptarë. Pra, të ashtuquajturat parti të mëdha, pa dyshim që të dyja së bashku, kanë përfaqësuar më pak se sa gjysmën e votuesve shqiptarë. Ndaj dhe çdo përpjekje e tyre për të monopolizuar procesin e administrimit të zgjedhjeve pa dyshim që i konteston zgjedhjet që tani dhe krijon probleme mjaft serioze për stabilitetin e vendit”, - tha Meta.
Zgjedhjet
Kryetari i LSI-së denoncoi mungesën e transparencës nga ana e përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore. Meta tha se një gjë e tillë ndodh sepse këto dy parti nuk e përballojnë dot konkurrencën e hapur dhe të ndershme politike. “Për mendimin tim zgjedhjet janë të rrezikuara. Së pari, nga mungesa e transparencës së përfaqësuesve të PD-së dhe të PS-së, e të gjithë funksionimit të deritanishëm të Komisionit për Reformën zgjedhore. Së dyti, nga frika e përfaqësuesve të PD-së dhe të PS-së për të përballuar një konkurrencë të hapur e të ndershme politike”, - u shpreh Meta.
Kartat e identitetit
Lideri i LSI-së fajësoi përfaqësuesit e Partisë Socialiste dhe të Partisë Demokratike, se përveçse kanë bllokuar transparencën në Komisionin Parlamentar për Reformën Zgjedhore, po e zvarrisin qëllimisht realizimin e Kodit të ri Zgjedhor. “Të dyja partitë e vjetra dhe përfaqësuesit e tyre nuk synojnë standarde më të larta në zgjedhjet e ardhshme në Shqipëri, por thjesht të shtyjnë sa më shumë, ta zvarrisin këtë reformë, sikurse kanë bërë edhe përpara Samitit të NATO-s në Bukuresht, sikurse vijojnë përsëri, me qëllim që të ecin me politikën e vjetër të faktit të kryer, gjë që është paralajmëruar disa herë se do të ndëshkohet nga partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët janë vërtet shumë të shqetësuar për lojërat që përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së, synojnë të bëjnë me zgjedhjet e ardhshme”, - tha Meta. Ai fajësoi qeverinë se nuk do të arrijë të prodhojë dhe të shpërndajë në kohë kartat e identitetit.
LSI-ja është kundër projektligjit për mediat
Lëvizja Socialiste për Integrim i bashkohet shqetësimit të përsëritur të OSBE-së në lidhje me projektligjin “Për Këshillin Kombëtar të Radios dhe Televizionit dhe për RTSH-në”. Sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama, tha se një projektligj i tillë nuk siguron pavarësinë e këtyre institucioneve mediatike, nuk u paraprin zhvillimeve të ardhshme të tregut mediatik dhe mbi të gjitha synon rikthimin e tyre në rrjetin e kapur dhe të kontrolluar prej pushtetit. “LSI-ja i kërkon publikisht Komisionit kuvendor për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik që të përmbushë detyrimet dhe përgjegjësitë e veta përmes një procesi transparent dhe në bashkëpunim institucional me aktorët e interesit, veçanërisht me ato që operojnë në tregun mediatik të transmetuesve dixhitalë. Pavarësia e institucioneve mediatike dhe e trupave ligjore që monitorojnë veprimtarinë e tyre është një arritje e madhe që duhet mbrojtur, që duhet konsoliduar dhe që duhet ridimensionuar me tej”, - tha sekretari për Marrëdhëniet me Publikun në LSI, Luan Rama.
PS: Shteti i kapur, ekonomia në krizë
Partia Socialiste ka reaguar pas publikimit më të fundit të raportit të Forumit Ekonomik Botëror, ku Shqipëria renditej e 108-ta ndër 134 vende përsa i përket hapësirës së konkurrencës në ekonomi. Nënsekretari i Programit për Partinë Socialiste, Ilir Beqja, shprehu shqetësimin e Partisë Socialiste për mungesën e konkurrencës në ekonominë shqiptare. Beqja tha se në një vend ku shteti është i kapur nga personazhe të dyshimtë të ish-Jugosllavisë nuk ka se si të ndodhë ndryshe me ekonominë shqiptare. “Nuk mund të jetë konkurruese një ekonomi e cila kontrollohet nga monopolet me koperturë politike. Nuk mund të jetë konkurruese një ekonomi në të cilën gjejnë strehë personazhe të dyshimta të ish-Jugosllavisë, sekserë serbë të rritur në paradhomat e Stanislaviçit dhe UDB-së së tij. Nuk mund të jetë konkurruese një ekonomi në të cilën mbrohen nga Policia e Shtetit personazhe të cilët në televizione të vendeve të tjera janë pjesë e kronikave të zeza dhe shoqërohen për në stacione policie nga forcat speciale”, - tha Beqja.
11 Tetor 2008