Amato: “Edi Rama, njeriu i duhur për të ndryshuar Shqipërinë
Ish-kryeministri italian, Xhuliano Amato, ka deklaruar se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, është njeriu i duhur që do të ndryshojë Shqipërinë në rast se Partia Socialiste do të arrijë të fitojë zgjedhjet e vitit 2009. “Unë jam i bindur se Rama do të arrijë të plotësojë kërkesat që njerëzit kanë për të. Unë e kam njohur vite më parë, kur ishte atëherë kryebashkiaku i ri i Tiranës. Është një njeri që ka cilësi të jashtëzakonshme, sipas mendimit tim, ka një kapacitet të madh teknik, si dhe sjelljen e një lideri. Është e vështirë të gjenden së bashku elemente të tilla dhe Shqipëria ka avantazhin e të pasurit një njeri të tillë”, - ka thënë Amato për kreun e selisë rozë, Edi Rama. Ky i fundit ka qenë i pranishëm në një takim të zhvilluar në fondacionin “Italianieuropei”, ku Rama dhe ekipi drejtues i PS-së kanë prezantuar programin e ardhshëm qeverisës, përpara dy ish-kryeministrave italianë, Xhuliano Amato dhe Masimo D’Alema.
Amato ka vlerësuar gjithashtu edhe përmbajtjen e programit qeverisës të prezantuar nga ekipi i Partisë Socialiste. “Ky program do të sjellë pikërisht një administratë që funksionon, që nuk bën dallimin mes qytetarëve që nuk i njeh dhe që i trajton të gjithë në të njëjtën mënyrë të njohur nga ligji. Do të ketë një sistem shëndetësor, i cili do të mund të mbulojë nevojat më të rëndësishme për të gjithë dhe mbi të gjitha do të ketë një program asistence sociale, i cili nuk do të hedh lekët duke asistuar ata që nuk kanë nevojë, por do t’ia jap atyre që kanë nevojë dhe do të ketë gjithashtu infrastrukturën e nevojshme, në mënyrë që të ketë atë proces rritjeje të fortë”, - vijoi Amato. Ish-kryeministri italian i uroi fitoren Partisë Socialiste në zgjedhjet e ardhshme, duke u shprehur optimist në realizimin me efektivitet të programit të saj. “Unë uroj që nëse Partia Socialiste fiton zgjedhjet e 2009-s, problemet për të cilat folëm, të jetë në gjendje t’i ndryshojë, dhe nëse realisht arrin t’i realizojë do t’i ketë kryer një shërbim shumë të madh Shqipërisë”, - u shpreh Amato.
11 Tetor 2008