E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banda e Lushnjës, dëshmojnë 6 dëshmitarë

Juria e Krimeve te Renda degjoi sot dëshmitarët qe përgjithësisht folën për momentet e pas ngjarjes së ndodhur më 13 shkurt, 1998 në Kolonjë të Lushnjes, kur si pasojë e një sulmi me armë zjarri, u vra shtetasi Nimet Zeneli. 

TIRANË- Procesi ndaj "Bandës së Lushnjes" vijoi sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda me dëshmitë e 6 dëshmitarëve të akuzës. Dëshmitarët përgjithësisht folën për momentet e pas ngjarjes së ndodhur më 13 shkurt, 1998 në Kolonjë të Lushnjes, kur si pasojë e një sulmi me armë zjarri, u vra shtetasi Nimet Zeneli.
"Pashë një grumbull njerëzish, nga të cilët mësova se ishte vrarë një person", tha para trupës gjyqësore dëshmitari M. Gremi, duke iu referuar momenteve pas atentatit ndaj Nimet Zenelit.
Dëshmitarët e thirur sot në Gjykatën e Krimeve të Rënda, janë banorë të Kolonjës në Lushnje, të cilët ditën kur u vra Nimet Zeneli, ndodheshin pranë vendit të ngjarjes.
Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se vrasja e Nimet Zenelit, 11 vjet më parë në Lushnje, ka për autorë të pandehurit e ish-bandës së drejtuar nga Alfred Shkurti, i njohur si Aldo Bare.
Me cilësinë e të pandehurit në këtë proçes, janë shtetasitë: Arben Boriçi, Rexhep Gina, Afrim Hoxha, Ilir Stregu, Agur Musaku dhe Erion Cici, të cilët akuzohen për disa ngjarje të rënda kriminale, mes tyre edhe vrasje të ndodhura vite më parë në Lushnje.
Ky është grupi i dytë i të pandehurve të ish-bandës së drejtuar nga Aldo Bare, i cili po ashtu është në proçes gjykimi në këtë Gjykatë, por në mungesë, pasi ndodhet i arrestuar në Turqi.
Anëtarët e kësaj bande janë arrestuar në operacione policore të organizuara këto tre vitet e fundit nga Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë.

(d.b/Ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›