“Banda e Lushnjës”, kërkohet i penduari
Armand Bajrami
I penduari i bandës së Lushnjës, Petrit Lici, i dënuar si anëtar i kësaj organizate, pritet të përballet përsëri me togat e zeza të Gjykatës së Krimeve të Rënda, por këtë herë, si dëshmitar. Personi që “fundosi” anëtarët e “bandës së Lushnjës”, duke zbardhur për drejtësinë veprat e tyre kriminale, është kërkuar të jetë i pranishëm në seancën e ardhshme gjyqësore në kundër anëtarëve të kësaj bande. Nën statusin e “bashkëpunëtorit dhe të penduarit të drejtësisë” të fituar prej disa vitesh, ai do t’i përgjigjet pyetjeve të palëve në lidhje me dijeninë që ka për veprimtarinë kriminale të bandës. Lajmi u bë i ditur në seancë e djeshme në ngarkim të personave të akuzuar si anëtarë të “Bandës së Lushnjës”. Kryesuesja e seancës, gjyqtarja Marsela Balili, relatoi se në seancën e ardhshme do të njoftohet të paraqitet para gjykatës shtetasi Petrit Liçi. “Për njoftimin e tij do të vihet në dijeni Zyra për Mbrojtjen e Dëshmitarëve”, relatoi gjyqtarja Balili para palëve në proces. Burime pranë Gjykatë për Krimet e Rënda bënë të ditur se qëllimi i sjelljes së të penduarit Liçi në gjykatë është qartësimi i disa momenteve të cilat do t’i shërbejnë gjykimit të dosjes, në të cilat ai ka qenë dëshmitar okular.
Dëshmia
Sipas të njëjtave burime, mësohet se Liçi do të pyetet edhe njëherë për ngjarjen ku kreu i “bandës së Lushnjës”, Aldo Bare, i njohur edhe si Alfred Shkurti, ka lëvizur nëpër qytet me kokën e prerë të Artur Dajës. Ngjarja që e “pagëzoi” si “të tmerrshme dhe të frikshme” bandën e qytetit myzeqar ndodhi në tetor të vitit 1998. Disa muaj më parë në një shkëmbim zjarri ku ishte i pranishëm mes Artur Dajës dhe Aldo Bares, mbetet i vrarë vëllai i këtij të fundit. Vdekja e vëllait të tij dhe mbajtja e kufomës për disa ditë nga Artur Daja nuk do të falej lehtë nga Bare. Në 21 tetor 1998 anëtarët e bandës arrijnë të eliminojnë Artur Dajën. Ditën e vrasjes së tij pjestarë të grupit kriminal të drejtuar nga Aldo Bare kanë shëtitur nëpër rrugët e Lushnjës kokën e prerë të kufomës së Artur Dajës.
SEANCA
Kafazi i hekurt i sallës së gjyqit, ashtu si në seancat tjera gjyqësore në ngarkim të “bandës së Lushnjës”, ishte i boshatisur. Të gjithë të pandehurit kishin zgjedhur të mos ishin të pranishëm, por të përfaqësoheshin në seancë nga mbrojtësit e tyre ligjorë. Ndërkaq, seanca nuk ka mundur të zhvillohet. Shkak për këtë është bërë mungesa avokatit Marash Ibraj. Avokati Ibraj kishte njoftuar gjykatën me anë të një deklarate se ndodhej në një proces tjetër gjyqësor në Gjykatën Civile të Tiranës. E gjendur në ato kushte, gjykata vendosi shtyrjen e seancës në një datë të re. Meqë shkak për pengimin e zhvillimit të gjykimit u bë njëri nga mbrojtësit ligjorë gjykata pezulloi afatet e paraburgimit, për të gjithë të pandehurit. Për shkak të shtyrjes së seancës, nuk u arrit të pyeten dy dëshmitarë të cilët ishin të pranishëm. Të pandehurit e këtij procesi janë Arben Boriçi, Ilir Stergu, Afrim Hoxha, Erion (Niko) Ciçi, Arjan Aliçaj, Jorgo (Agur) Muzaka (Musaku) dhe Rexhep Gina.
Dëshmia e Liçit “për kokën” e Artur Dajës
“Atë ditë kam qenë duke pirë kafe në një lokal pranë gjimnazit të qytetit. Aty kam marrë vesh se Tur Daja ishte vrarë dhe se disa persona, një pjesë të mirë të tyre unë i njihja, kishin dalë në qendër të qytetit me kokën e prerë të tij. Pranë monumentit “Toka Jonë” kam parë Verin (Enver Dondollakun) që mbante në dorë, të kapur prej flokësh kokën e prerë të Tur Dajës. Pranë tij kam parë Leonard Priftin, Iliri Stërgun, Enver Boriçin dhe disa persona të tjerë që nuk i njoha. Rreth e rrotull sheshit ka qenë një grumbull i vogël qytetarësh që ndiqnin nga larg skenën”, ka thënë Petrit Liçi, për episodin e vrasjes së Artur Dajës.
Petrit Liçi nuk u paraqit në procesin për lirimin me kusht
TIRANE – Zbardhja e krimeve që dyshohet se janë kryer nga anëtarët e Bandës së Lushnjës ndoshta nuk do të kishte qenë e mundur nëse Petrit Liçi, njëri nga të akuzuarit, nuk do të “tradhtonte” ish-bashkëpunëtorët e tij. I pandehuri si pjesëmarrës në disa prej krimeve të kryera nga banda, pranoi të bashkëpunonte me policinë dhe Prokurorinë pasi ra në pranga dhe u mor i pandehur për një sërë veprash penale. Dëshmitë e marra prej tij shërbyen jo vetëm për zbardhjen e krimeve për edhe për orientimin e hetimit në drejtim të identifikimit të provave e dëshmitarëve që hodhën dritë mbi një sërë episodesh kriminale të ndodhura në Lushnjë. Petrit Liçi, një nga të parët persona nga rradhët e organizatave kriminale që pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, u gjykua dhe u dënua së bashku me ish-miqtë e tij Dritan Vila, Maksim Çela, Erion Cici, Petrit Lici, Leonard Prifti (i vdekur), Erion Kashari, Elton Mermali, Enver Dondollaku. Bashkëngjitur dëshmive dhe provave të tjera të mbledhura gjatë hetimeve, Prokuroria kërkoi gjatë gjykimit edhe dëshmitë e Petrit Liçit të cilat shërbyen për bindjen e gjykatës në drejtim të fajësisë së personave të pandehur. I dënuari si anëtar i bandës së Lushnjës, përfitoi edhe masat mbrojtëse të sigurisë pasi deklarimet e dhëna prej tij përbënin rrezikshmëri të lartë nisur edhe nga grupi kriminal pjesë e të cilit ai kishte qenë. Masat mbrojtëse të shtetit për Petrit Liçin ishin të dukshme gjatë gjithë procesit ku ai u mbajt i veçuar nga të arrestuarit tjerë ndërsa pak kohë më parë, në një gjyq në Gjykatën e Tiranës, me objekt “lirimin e tij me kusht” Liçi nuk u paraqit. Gjykata iu drejtua Drejtorisë së Burgjeve për njoftimin e të dënuarit, por burgjet kthyen përgjigje duke thënë se Petrit Liçi duhej të kërkohej në Drejtorinë e Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë. Gjykata iu drejtua këtij institucioni, nga i cili mbërriti një përgjigje e çuditshme sipas të cilës Petrit Liçi duhej të kërkohej në Drejtorinë e Burgjeve. Mundësia e largimit të personazhit të penduar jashtë Shqipërisë, nuk është konfirmuar zyrtarisht asnjëherë megjithatë mosparaqitja e tij në gjyqin ku do të vendosej për ta liruar, la dyshime të forta mbi mundësinë që i strehuari të jetë strehuar diku përtej kufijve të vendit tonë. tr.so