E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi vizionin e zotit Strazimiri

Maklen Misha 

Nuk qëllon shpesh që përfaqësuesit e qeverisë,qofshin këta ministra apo zëvendësministra të na nderojnë me ndonjë editorial për të na ndriçuar mbi politikat, qëndrimet apo dhe thjesht opinionet e tyre Por, dhe në ato pak raste kur ndonjë syresh e merr mundimin ta bëjë këtë, siç ishte rasti me shkrimin e pardjeshëm të zëvendësministrit të Brendshëm, Strazimiri, mjafton t’i hedhësh një sy gjuhës që përdor, frymës që përçon, egërsisë, agresivitetit dhe rrugaçërisë dhe s’të mbetet tjetër po veç të lutesh hapu dhe të futem, në dorë të kujt kemi rënë. Dhe ç’është më e keqja, aq të shpeshta janë shfaqje të tilla nga përfaqësuesit e kësaj maxhorance – mjafton të përmendim këtu përfaqësuesit më të spikatur të kësaj rryme, si ish-ministrin Ylli Pango, Edi Palokën, apo dhe vetë zotin Strazimiri – sa të krijohet përshtypja se që të çash në partinë dhe qeverinë e Sali Berishës duhet të jesh së paku harbut, dhe – në rast se do të bësh vërtetë karrierë – të kesh ca prirje të qarta prej banditi.
Në shkrimin e tij, zoti Strazimiri na sqaronte vizionin e tij për një Shqipëri të qeverisur nga opozita e majtë. “Kjo Shqipëri e neveritshme do të ishte një vend orgjish të dhunshme të heronjve me xhelatët, vlerave me antivlerat, kodoshëve të njomë e të mplakur me njeriun e ndershëm që jeton vetëm me djersë”. Pyetja e parë që të lind është: Në ç’vend të botës demokratike mund të përfytyrohet që një anëtar i qeverisë të mund të shkruante fjalë të tilla për opozitën, pa krijuar një skandal që do ta detyronte atë sakaq të jepte dorëheqjen! Por s’është vetëm kjo. Puna është se ky zotëri është zëvendësministër i Brendshëm! Pra është një ndër njerëzit kryesorë mbi shpatullat e të cilëve rëndon përgjegjësia për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat teorikisht – ose nëse u referohemi sondazheve, edhe praktikisht – mund të shënojnë fundin e qeverisë ku bën pjesë ky zotëri. Por, sa mund të presim ne që zoti Strazimiri ta përmbushë ndershmërisht këtë përgjegjësi në momentin që ai e sheh përballjen e ardhshme elektorale si një përballje mes të mirës dhe të keqes! Sa mund të presim prej zotit Strazimiri që ai të mos angazhohet me të gjitha forcat për të manipuluar, abuzuar e vjedhur sa më shumë vota të jetë e mundshme në 28 qershor, në një moment kur përfytyrimi që ka ky njeri – që dikur ka qenë i majtë – për Shqipërinë e qeverisur nga opozita është ca më i keq se imazhi i ferrit? 
Si ka mundësi që një njeri që është gjykuar nga drejtuesit e partisë së tij si i aftë për një detyrë kaq të rëndësishme sa ajo e zëvendësministrit të Brendshëm, të mos dijë të lidhë dy fjalë e të parashtrojë dy argumente me njerëzillëk, përse shqiptarët na u dashkërka t’i japin qeverisë ku ai aderon një mandat të dytë? Por, për hir të së vërtetës, duhet thënë se nuk është se zoti Strazimiri nuk jep argumente. Në shkrimin e tij ai sjell dy argumente, që në kontekstin e sotëm politik tingëllojnë dhe më të fandaksura sesa krahasimi që i bënte para do kohësh Grid Roi, Berishës me Obamën. Sepse për zotin Strazimiri dy nga arsyet kryesore përse shqiptarët duhet të rivotojnë qeverinë e tij janë morali dhe respekti për familjen! Dhe është me tërë mend indikative e shkallës në të cilën maxhoranca e sotme e ka humbur fillin që zoti Strazimiri zgjedh të trumbetojë pikërisht moralin dhe respektin për familjen, në këtë moment, kur logjika ta do që maxhoranca të përpiqet me çdo kusht që morali dhe respekti për familjen të zhduken fare nga debati publik shqiptar. Si mund të mburret me moralin një qeveri mbi ndërgjegjen e së cilës rëndojnë Gërdeci, Fazlliçi, dyshimet për një korrupsion qindra milionësh në rrugën Durrës–Kukës, dy ministra të dorëhequr për çështje korruptive, një i shkarkuar për korrupsion dhe perversitet, këtë ndoshta do të ishte mirë të na e sqarojë zëvendësministri! Se në fund të fundit, edhe vetë morali është një koncept relativ, kështu që çdo gjë varet nga përkufizimi që ka ky zotëri për moralin. Po përpara se të përgjigjet le të këshillohet një herë dhe me ata gjashtë ministrat që nxituan të merrnin në telefon “Fiks Fare” për t’u siguruar që s’bëhej fjalë për filmimet e tyre. Sa për familjen... Po! Qeveria Berisha ka dhënë prova të padiskutueshme që ka respekt për familjen. Për sa kohë këto familje quhen Berisha, apo pse jo, Strazimiri, mund të flemë të qetë se qeveria ka treguar respektin më të madh të mundshëm në adresë të tyre. 
Zoti Strazimiri, ju kishte bërë përshtypje thënia e Erion Veliaj se ne e duam së tepërmi Shqipërinë për ta lënë në dorë të Sali Berishës. Apo tuajën për atë punë. Nëse do ta lexonit dhe njëherë me sy të ftohtë shkrimin tuaj të djeshëm, jam i sigurt se keni për ta kuptuar dhe ju se përse e ka fjalën Erjon Veliaj. Por, sa për t’u siguruar që s’do të ketë ndonjë keqkuptim, më lejoni t’ua shpjegoj kështu: Qeveria Berisha, ku ju bëni pjesë, është si puna e verdhëzës: nëse përsëritet, mund të jetë e pashërueshme!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›