Pa ideologji, por jo pa busull
Ndriçim Kulla
Në një këngë të famshme të viteve ’60 të këngëtarit italian Xhorxhio Gaber “Po ç’është vallë e majta,ç’është vallë e djathta”, përballet me shumë ironi ndarja sipërfaqësore ideologjike midis të majtës dhe të djathtës; madje vargjet kanë edhe ngjyrime të tilla humoristike si: të bësh banjo në vaskë është e djathtë/ në dush, përkundrazi, është e majtë/ një paketë Marlboro është e djathtë/ kontrabandë është e majtë/... Apo diku më tej: nëse çokollata zvicerane është e djathtë/ Nutela është akoma e majtë/ ... e kështu me radhë. Megjithatë, mbetesh i shtangur kur diskutohet shpesh ende dhe sot në mënyrë shumë të thjeshtëzuar teza e kapërcimit të dikotomisë e majtë-e djathtë. Ndodh shpesh të lexojmë a dëgjojmë në ligjërata politikanësh, se bëhet fjalë për dy kategori, që lipset të kapërcehen, ose, që tashmë kanë hyrë në rrugën e kapërcimit.
Por t’i likuidosh me ngut e t’i precipitosh më shpejt se sa duhet ideologjitë është në fakt... përpikmërisht ideologjike. Është një hapësirë problematike, së cilës duhet t’i vigjilojmë me analiza rigoroze themelin dhe evoluimin e fenomenit.
E djathta dhe e majta jonë në të vërtetë lipset të rimendohen. Por, kjo duhet të bëhet më tepër për të përafruar diversitetin, sesa për të ristrukturuar skemat opozitare të së shkuarës, që tashmë nuk i lejojnë dot politikës sonë të rrokë në kohë e në vlera realitetin, jetën e individëve, nevojat dhe dëshirat e tyre që politikës duhet t’i përcaktojnë pikërisht kuptimin dhe projektin. E jo vetëm kaq, por edhe për të mos e mbytur demokracinë në një indiferencë e në një cinizëm pragmatist, të pashpirt, ku pa një gjë të tillë, demokracia demoralizohet, e redukton konsensusin në një duartrokitje të qytetarit-spektator, zëvendëson pjesëmarrjen me delegimin, dhe logjikën e së mirës së përbashkët me interesin e një kaste. E kjo sepse demokracia përfaqësuese është sot njëra nga ato probleme serioze që lipset të shtrohet e të korrigjohet thellësisht në këtë prag fushate zgjedhore. Po ç’alfabete moralë, fjalorë të rinj e gramatika vlerash nevojiten për një kthesë të tillë?
Së pari, ky ndryshim nuk duhet të reduktohet vetëm në një “ripërtëritje gjeneracionale” ose të shtrimit të ndonjë emri të ri nëpër lista e deputetëve të rinj për të qenë në formë “politikisht korrektë”. Përkundrazi, duhet të njihet si hapja e një faze të re historike, në të cilën gjeneratat e reja të zotërojnë një përgjegjshmëri të veçantë, qoftë morale, qoftë kompetencash, qoftë angazhim civil e moral, që duhet të përkthehet edhe në çështjen e një faze të re politike. Është një grishje kjo që i kalon kufijtë e qasjeve dhe pozicioneve politikë, që ka në thelb të gjitha këto lloje formash angazhimi që përmendëm, për ta konsideruar angazhimin social si pikë-fillimin e një stine të re të demokracisë dhe të pjesëmarrjes politike.
Së dyti, ajo çka duhet të parashtrohet si pyetje nuk është “vendi” apo “pozicioni” që duhet të zihet në topografinë (reale) apo ideale të politikës sonë, larg ekstremizmave të së majtës dhe të djathtës, por drejtimi kah të cilit duhet të orientohet ecja e udha që duhet të bëjë ky angazhim, s’ka rëndësi nëse je në qeverisje apo opozitë, për të ushtruar një rol aktiv në stabilimin e rregullave të një etike publike mbizotëruese në vend. Dhe kjo për faktin se përbri të ashtuquajturave vlerave të panegociueshme, që i përkasin “idealisht” çdo pozicioni politik, ekziston edhe një kategori vlerash që kanë nevojë të qeverisen (nga kjo etikë publike) për të qenë të konsensueshme, e për të cilat është e patolerueshme çdo shkujdesje, që mund të shpërthejë në indiferencë. E konsensueshme, ose përafërsisht e tillë, p.sh. është vlera e një sigurie sociale. Por nga ana tjetër, nevojitet që masa dhe instrumentet që do zbatohen për këtë qëllim të jenë të përshtatshme, të garantojnë edhe parimet e solidaritetit e respektimin e plotë të të drejtave të njeriut, biznesit etj. Pse vallë, këto masa nuk lipset të vlerësohen edhe nga mentaliteti, nga skemat e stereotipet kulturore të forcave që i përkrahin apo i gjenerojnë? Kësisoj, shfaqet e konsensueshme edhe vetë vlera e respektimit rigoroz të legalitetit. Po ashtu, vlera e drejtësisë sociale, premisat e një “jete dinjitoze”, që nënkupton luftën kundër varfërisë si një prerogativë dhe vlerë mbetet thelbësisht konsensuale. Ndërsa duke u spostuar në një tjetër terren, a mund të vendosim në një nivel konkurrueshmërie vlerën e familjes me mbrojtjen e të drejtave individuale? A mund të braktiset mbështetja e saj e drejtpërdrejtë financiare, në forma të drejtpërdrejta apo të tërthorta, për t’u premtuar fortësisht nëpër fushatat elektorale, e për t’u harruar pas kësaj në momentin e hartimit të buxhetit, në emër të vlerës, të ekuilibrit të llogarive dhe të ardhurave të shtetit? Kjo politikë e dy kulteve dhe dy qëndrimeve, aq mbizotëruese në të gjitha programet elektorale dhe ato partiake të deritanishme, nuk mund të na çojë kurrsesi drejt asaj etike publike që aspirojmë, nisur nga premisa e një politike më të qetë dhe post-ideologjike, por të ankoruar fort tek vlerat. Po cila është ajo gramatikë që do të përfaqësonte një “zgjedhje të ponderuar” të këtyre të fundit në këtë të ardhme të re që së shpejti pretendojmë të shpallim?
Besojmë t’i sintetizojmë ato në pohimin se çështja sociale, çështja e drejtësisë, reforma e institucioneve dhe emergjenca e sotme edukative në të gjitha nivelet e shoqërisë, do përbëjnë kufijtë themelorë të angazhimit kulturor dhe politik, për të cilat të gjithë duhet të rreshtohemi në vend të parë. Pa ideologji, por jo pa busull.
Kalon pikërisht mbi këta kufij ajo gramatikë vlerash që quhet jetë, drejtësi, paqe, përfshirje sociale, kulturë, arsim, dinjitet dhe korrektësi ndaj njeriut dhe të drejtave të tij. Po ç’lipset për ta hapur të ardhmen në këtë perspektivë? Të gjitha këto vlera, konsensuse, gramatika të reja që fare mirë mund t’i quajmë edhe “migrime konjitive”, duhet të përkthehen konkretisht në një rrugëtim “të një natyre kulturore”, që arrin ta pranojë thellësisht sfidën e përballjes me kategoritë e reja të politikës në një epokë post-ideologjike. Për t’iu përshtatur këtij qëllimi, “besnikërinë ndaj demokracisë përfaqësuese” nuk mund ta ngatërrojmë me një besnikëri enigmatike dhe konfuze ndaj saj, pse ajo tash mund të duket e papërvijuar, fluide dhe e mangët nga aftësia për t’u ankoruar; një realitet, pra, që luhatet midis modelit të vjetër të demokracisë përfaqësuese dhe modelit që mbizotëron në shoqërinë tonë, atë të demokracisë së opinioneve, ku orvatja e politikës është zhvendosur fortësisht nga lufta për përfaqësimin e interesave sociale - siç duhet të ishte, në përkatësi të pozicionit ideologjik - në një përllogari cinike për të “zënë në kurth” konsensusin e qytetarëve nëpërmjet fuqisë së propagandës dhe mediave.
Duke i përshtatur ditëve tona në Shqipëri një shprehje të goditur të Spinozës, mund të themi se “jemi duke jetuar në politikë kohën e pasioneve të trishta”, një epokë të disgregacionit, ku lidhjet sociale të forcave politike apo partiake me shoqërinë, lëkunden dhe shpresa në të ardhmen, e besuar në kohë ndaj programeve partiake të formuluara idealisht, nuk ka qartësi. Por terapia fitimtare nuk mund të jetë tjetër, veçse ajo e rindërtimit, me durim, të një rrjeti lidhjesh komunitare në këtë shoqëri, individualiste dhe utilitariste, ku shpesh këto raporte mbeten të braktisura e të izoluara. Prej këtej, kundra kësaj fotografie të akullt e të krupshme të një shoqërie të karakterizuar nga protagonizmi radikal, lipset të ringjallim personalizmin komunitar, e ta ngremë atë edhe në të gjitha nivelet e shoqërizimeve, civile, intelektuale e politike.
Nëse sot, qytetarët e këtij vendi që quhet Shqipëri duken të kenë humbur shpresën në angazhimin politik si faktor transformimi, arsyeja qëndron në faktin se ndjenja mbizotëruese e kohës sonë është frika dhe pasiguria që i pengon njerëzit të kenë besim tek ndryshimi dhe i gozhdon paksa të gjithë në një lloj fatalizmi, pafuqie dhe dorëzimi pasiv. Bëhet kështu gjithnjë e më e qartë se frika nuk është vetëm një kategori psikologjike, por një kategori e vërtetë politike, siç e kishte kuptuar fare mirë Hobsi, Karl Shmiti, e në një kohë më të afërt, edhe neokonservatorët amerikanë.
Pikërisht për këtë gjë është e rëndësishme të mos i besojmë vetëm kodit të arsyes e të post-ideologjive, por të mbështetemi edhe tek kodi i sensit të jetës dhe emocioneve, sepse siç thotë biologu i famshëm Humberto Maturana, nuk është arsyeja ajo që na bën të veprojmë, por emocioni. Le të mos harrojmë, pra, se është ngacmimi i dëshirave dhe emocioneve, e jo vetëm ai racional dhe konjitiv, shtysa sekrete që mund t’i shtyjë njerëzit të angazhohen përsëri, me shpresë dhe kurajë, për ndryshimin dhe të ardhmen.
Pra, nëse duam t’i ndezim sërish motorët e ndryshimit dhe të çelim një stinë të re të shpresës në këtë konkurrim elektoral që po përgatisim, që të na bëjë të dalim nga dyert e kësaj kohe të shënjuar nga pasionet e trishta, duhet të kemi kthjelltësinë ta orientojmë angazhimin tonë drejt lidhjeve sociale, qytetarisë në përgjegjshmërinë e vet dhe pjesëmarrjes civile. Duhet ta transformojmë kështu shpresën në këtë vend, nga një qëndrim psikologjik në një virtyt politik, e pastaj, nga virtyt në një parim rrënjë-ndryshues të realitetit.