Banda e Lushnjës, s’dëshmon i penduari
Armand Bajrami
Petrit Liçi, "i penduari" i "bandës së Lushnjës", dëshmia e të cilit "fundosi" 14 anëtarë të grupit, nuk do të dëshmojë në procesin e pjesës tjetër të bandës te Krimet e Rënda. Prokuroria për Krimet e Rënda hoqi dorë dje nga thirrja e Petrit Liçit, si dëshmitar në procesin me shtatë të pandehur. Kërkesa në fjalë u bë në seancën e djeshme në ngarkim të "bandës", një vit pasi prokurorët e çështjes kërkuan thirrjen e Liçit në gjykatë. Sipas prokurorëve, nuk u konsiderua më e nevojshme thirrja si dëshmitar në proces e Liçit, i cili ka fituar statusin e të penduarit e bashkëpunëtorit të drejtësisë, duke u strehuar në një vendqëndrim sekret për shkak të sigurisë. Kjo për shkak të mbrojtjes së tij nga shteti. Po dje, gjykata u njoh me dy dëshmi të reja në proces. "Hija e rëndë" që ka lënë pas "banda e Lushnjës" dukej qartë te dëshmitari Xhevit çela. Ndonëse ishte daja i Artur Dajës, për vrasjen dhe masakrimin e kufomës të së cilit në vitin 1998 akuzohen anëtarët e "bandës", dëshmitari pretendoi fillimisht të mos kishte dijeni mbi të. Ndërsa dëshmitari Brahim Plaku tregoi se si i kishte "ikur nga duart" aksioni në lagunën e Karavastasë, kundrejt një shume prej 60 mijë lekësh, e paguar prej të cilësuarit si kreu i "bandës", Aldo Bare.
I PENDUARI LIçI
"Kërkojmë heqje dorë nga pyetja e dëshmitarit Petrit Liçi", thanë dje para gjykatës prokurorët e çështjes teksa hoqën dorë nga disa prej dëshmitarëve të mbetur të pa pyetur. Kërkesa u pranua nga gjykata. Në këtë mënyrë u shmang përfundimisht një përballje e të akuzuarve të bandës me personin që pak vite më parë "fundosi" 14 pjesëtarë të tjerë të saj. Bëhet e ditur se nga ana e Prokurorisë do të merren parasysh thëniet e dhëna prej tij në gjykatë, në gjykimin e pjesës së parë të "bandës së Lushnjës". Në këtë gjykim Petrit Liçi, nën statusin e të penduarit dhe bashkëpunëtorit të drejtësisë, serviri detaje nga ekzekutimet makabre të bandës. Ndër të tjera ai ka folur edhe për vrasjen e kundërshtarit kryesor të Aldo Bares, Artur Dajës, koka e të cilit u shëtit nëpër qytetin e Lushnjës dhe më pas u përçudnua duke e "shndërruar" top futbolli. Në përfundim të gjykimit në vitin shtator të vitit 2006 ai u dënua me 25 vjet burg, dënim i cili u ul në 8 e më pas në 7 vjet për shkak të pendesës së tij. Ndërkohë që ende pa u përmbushur ky afat kohor, ai "u zhduk" nga burgu. Kjo u konfirmua në qershor të vitit 2009 teksa në Gjykatë e Tiranës po shqyrtohej kërkesa e tij për "lirim me kusht". Kërkesës së gjykatës për shoqërimin e Liçit, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve iu përgjigj zyrtarisht se "Petrit Liçi nuk ndodhet më te ne".
DESHMITE
Ngjarja e vrasjes së Artur Dajës, e "skalitur" frikshëm në kujtesën e banorëve të atëhershëm të Lushnjës, nuk njihej nga daja i tij. Vëllai i nënës së Artur Dajës, Xhevit çela dha një dëshmi të cilës i mungonin thënie të dhëna prej tij në Prokurori në vitin 2006. "Nuk di se çfarë është bërë me të. Nuk di nëse ka vdekur. Nuk di si ka vdekur apo kush e ka vrarë", tha dëshmitari ndërsa më pas pohoi se "nuk di si ka vdekur, por di që nuk është më gjallë". Dëshmitari tha dje se kishte mbajtur për një vit e gjysme motrën e tij në shtëpi në fshatin Spoliat, pasi shtëpinë e saj e kishin djegur. Sipas dëshmitarit, motra nuk i kishte treguar se kush i kishte djegur shtëpinë, apo kush e kishte vrarë djalin e saj Artur Dajën. Gjykata pranoi dje kërkesën e Prokurorisë për kundërshtimin e pjesshëm të dëshmitarit. "Motra më ka thënë që shtëpinë ia dogji grupi i Aldo Bares. Gjatë gjithë kohës ajo qante dhe tregonte se djalin ia kishte vrarë Fredi Shkurti (Aldo Bare), madje nga kjo edhe u sëmur mendërisht. Na thoshte që nuk mund të qëndronte gjatë te ne, pasi Fredi do hakmerrej dhe ndaj nesh", kishte pohuar dëshmitari në Prokurori. Ndërsa dëshmitari Brahim Plaku tha se nuk donte t'i shiste aksionet e tij në lagunë në vitin 1999. "Na 60 mijë lekë dhe na thanë që 'je likuiduar me ne'. Firmosëm një letër, bordero, që morëm shumën e parave, por jo kontratë për ta shitur", tha dëshmitari.