Gjendet i vdekur te Presidenca, 61-vjeçari
TIRANE - Një 61-vjeçar është gjetur i vdekur nga kalimtarët e rastit, në trotuarin pranë Presidencës, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit" në Tiranë. Qytetarë që kalonin në rrugë dhe kanë parë të shtrirë të moshuarin, i cili nuk jepte shenja jete, kanë lajmëruar menjëherë policinë. Efektivat e policisë dhe një ambulancë kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes dhe trupi i pajetë i 61-vjeçarit të identifikuar si Lulëzim Elezi, është transportuar në Morgun e Tiranës dhe janë njoftuar familjarët e tij. Policia ka nisur hetimet për ngjarjes, edhe pse paraprakisht dyshohet se vdekja e Elezit të jetë natyrale dhe që mund të jetë shkaktuar nga ndonjë infarkt. Dëshmitarët e ngjarjes kanë treguar për efektivat e policisë, se 61-vjeçari ka qenë duke udhëtuar me një biçikletë dhe më pas ka humbur ekuilibrin duke rënë në tokë. Një nga kalimtarët ka pohuar për policinë se i është afruar duke i ofruar ndihmë, por nuk ka mundur të bisedojë me të. e.d