E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët protestë te Kryeministria, policia bën padi: Tejkaluan orarin



TIRANE - Policia dërgon për ndjekje penale në Prokurori Fiqiri Xibrin, si dhe drejtues të tjerë të Sindikatës së Minatorëve, pas incidentit të ndodhur dje gjatë protestave para Kryeministrisë. Polica e kryeqytetit ka reaguar me një deklaratë për shtyp, duke u shprehur se minatorët kanë lëvizur fillimisht në mënyrë paqësore por më pas kanë thyer rregullat e protestës, duke kaluar orarin e përcaktuar, prej 2 orësh. Policia tha se në tejkalim të afatit për të cilin ishte dhënë leje, minatorët kanë kryer tubim të paligjshëm, dhe kanë kundërshtuar edhe punonjësit e rendit publik, që ishin në krye të detyrës. "Oficeri i policisë, përgjegjës për të vëzhguar zhvillimin e tubimit dhe për të bashkëpunuar me drejtuesin dhe personat ndihmës, për mbarëvajtjen e këtij tubimi, i ka kërkuar zyrtarit drejtuesit të tubimit, Fiqiri Xibri, të ndërpresë tubimin dhe të largojë pjesëmarrësit qetësisht, me qëllim qarkullimin e automjeteve në Bulevardit "Dëshmorët e Kombit". Vendimi për mbylljen dhe shpërndarjen e tubimit u mor për shkak të, përfundimit të orarit të përcaktuar, bllokimit të qarkullimit, si dhe për shkak të zhvillimit të disa aktiviteteve të tjera të rëndësishme shtetërore në Tiranë", shpjegoi dje policia nëpërmjet zëdhënëses Alma Katragjini.
PROTESTA
Kjo ishte protesta e dytë e minatorëve, pas asaj të datës 20 shkurt, e cila gjithashtu u shoqërua me incidente, pas kërkesës së drejtuesit të tubimit, Fiqiri Xibri, për të takuar Kryeministrin Sali Berisha. Disa muaj më parë, në vitin 2009, ata protestuan dhe kërkuan nga Qeveria që të miratojë statusin përfundimtar të minatorit, të rishikohet mosha e pensionit dhe pagat. Minatorët kërkojnë që të dalin në pension zyrtarisht në moshën 50 vjeç. Ndërsa gjatë tubimit të djeshëm, që ishte parashikuar të niste në orën 11:00 dhe të përfundonte në orën 13:00, drejtuesi i minatorëve protestues, Fiqiri Xibri, ka kërkuar që Kryeministri Berisha duhet të plotësojë kërkesat e tyre, në të kundërt sipas tij, duhet të largohet nga Qeveria. Për Xibrin, kjo është hera e dytë që do të procedohet penalisht, për të njëjtën akuzë, siç u dënua edhe më 23 dhjetor të vitit 2009, me 34 mijë lekë të reja gjobë, pasi u padit nga Policia.
POLICIA
Policia e Tiranës deklaroi dje se do të referojë materialet në Prokurori për ndjekje penale të drejtuesve dhe organizatorëve të Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë për "kundërshtim të punonjësve të policisë" dhe "tubim të paligjshëm". "Drejtoria e Policisë Tiranë, në përgjigjen e kthyer Sindikatës së Minatorëve të Shqipërisë, për protestën para Kryeministrisë, ka vendosur marrjen e masave për sigurimin e rendit e të qetësisë publike dhe garantimin e zhvillimit normal të tubimit, më datë 4 mars 2010, ora 11:00 deri në 13:00, pa u bërë pengesë për lëvizjen e lirë të qytetarëve automjeteve në rrugë, si dhe pa cenuar punën normale të institucioneve, duke respektuar distancat e sigurisë së tyre", ka deklaruar dje policia. Më pas është sqaruar edhe shkelja e afateve të përcaktuar, pengesa e krijuar në qarkullim, si dhe kundërshtimi i policisë, nga ana e minatorëve. e.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›