Tiranë, 53-vjeçarja në spital me grykë të prerë
Etleva Delia
Një grua 53-vjeçare mbërriti dje në mbrëmje me urgje-ncën e Spitalin Ushtarak pasi ishte gjetur nga djemtë e saj e gjakosur dhe me grykë të prerë. Policia tha se gruaja është Fiqerete Allmuça, nga fshati Baldushk i Tiranës. Menjëherë pas paraqitjes në spital, ajo është dërguar menjëherë në sallën e operacionit, ku është mbajtur disa orë dhe mjekët të cilët kanë arritur ta kthejnë në jetë edhe pse në gjendje kome. Policia ndërkohë ka nisur hetimet për ngjarjen, duke pyetur familjarët e 53-vjeçares, të cilët kanë qenë të paqartë në thëniet e tyre lidhur me ngjarjen. Një grup oficerësh të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit kanë shkuar në Spitalin Ushtarak, ndërsa efektivat e Komisariatit nr.1 kanë mbërritur në shtëpinë e familjes Allmuça në Baldushk. Bashkëshorti i Fiqerete Allmuçës dhe disa familjarë të tjerë, janë shoqëruar në polici për t'u marrë në pyetje rreth ngjarjes, ndërsa në dhomën ku është gjetur e plagosur 53-vjeçarja, është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe është sekuestruar thika më të cilën ka ndodhur dëmtimi i gruas. Policia tha se familjarët kanë deklaruar gjatë dëshmive se 53-vjeçarja mund të ketë tentuar të vrasë veten, nga gjendja e vështirë ekonomike. Sipas tyre, Allmuça është gjetur e shtrirë në një pellg gjaku në dhomën e gjumit, ndërsa familjarët e tjerë ndodheshin në dhomën e ndenjes. Pranë gruas është gjetur edhe thika, me të cilën sipas familjarëve, 53-vjeçarja ka tentuar të kryejë vetëvrasjen. Të afërmit e saj nuk kanë dhënë shpjegime nëse 53-vjeçarja vuante nga ndonjë sëmundje depresive, apo kishte tentuar më parë të kryente vetëvrasje. Të njëjtën gjë kanë deklaruar në Spitalin Ushtarak për oficerët e Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit edhe dy djemtë e 53-vjeçares, që e kanë transportuar atë nga Baldushku në Spital. Paralelisht me hetimin e ngjarjes si një vetëvrasje, nisur nga deklarimet e familjarëve, policia po heton edhe një vrasje të mbetur në tentativë, që mund të jetë kryer për motive xhelozie, apo pas ndonjë debati të mundshëm nga persona të familjes, kryesisht nga bashkëshorti i gruas. Policia tha mbrëmë se po ekzaminonte gjurmët në thikën e gjetur në vendin e ngjarjes. Një tjetër provë e rëndësishme pritet të jetë edhe vetë dëshmia e gruas pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore të saj.